Në Naqadeh të Iranit veri-perëndimor kanë rrahur me kamxhik një person, në fillim të kësaj jave, sepse kishte “fyer” një gjykatës. Sipas Agjencisë së Lajmeve për të Drejtat Njerëzore, ky person, i identifikuar si Mehdi Khairi, ka marrë 35 goditje në Njësinë e Implementimit të Dënimit të Gjykatës Publike Mohammadyar. Ai ishte gjykuar në mungesë nga kjo gjykatë në korrik.
Një burim i informuar ka thënë se Khairi kishte hyrë në debat me gjykatësin që kishte në ngarkim padinë e tij.
“Në seancën e fundit të gjyqit, atë e dënuan për faktin që kishte debatuar. Gjykatësi Karim Haji Hatamlu kishte bërë kallëzim kundër tij,” ka thënë burimi.
Ai ishte akuzuar edhe për krijimin e “rrëmujës në gjykatë” por më vonë kjo akuzë i ishte hequr.
Të premten do të fillojë gjyqi për katër agjentë të regjimit iranian në Belgjikë. Por në njëfarë kuptimi do të jetë i gjithë regjimi iranian që do të gjykohet. Kjo sepse njëri nga katër të pandehurit është një diplomat-terrorist i rangut të lartë, roli i të cilit si organizator i një komploti terrorist në 2018-ën ndihmoi në ekspozimin e zakonit që regjimi ka për të përdorur rrjetet e tij diplomatike për qëllime malinje.
Ky diplomat-terrorist, i quajtur Assadollah Assadi, shërbente si konsullor i tretë në ambasadën iraniane në Vienë përpara se të arrestohej në korrik 2018, pas një tubimi opozitar të cilin operativët e tij kishin tentuar ta hidhnin në erë. Krahas faktit që e kishte koordinuar operacionin, Assadi e kishte transportuar personalisht pajisjen eksplozive në Europë para se t’ia dorëzonte në Luksemburg një çifti iraniano-belg, me udhëzimin për ta dërguar atë në destinacionin final jashtë Parisit.
Hetimet që kanë gjurmuar zinxhirin e kujdestarisë për atë pajisje kanë dalë gjithashtu në përfundimin se i gjithë operacioni ishte ndërmarrë me dijeninë dhe mbështetjen e plotë të zyrtarëve të lartë të regjimit, duke përfshirë Presidentin Hassan Rouhani dhe Liderin Suprem Ali Khamenei. Ky fakt duhet të marrë vëmendjen e duhur në gjyqin e të premtes në Anversë, si dhe në mbulimet mediatike që do ta shoqërojnë këtë gjyq.
Që me krijimin e tij në vitin 1981, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe anëtarët e tij kanë qenë shënjestër e disa sulmeve vdekjeprurëse të orkestruara nga regjimi iranian, sipas Grupit Parlamentar të të Drejtave të Njeriut në Mbretërinë e Bashkuar.
Një tentativë vrasjeje kundër Z. Hossein Abedini, anëtar i NCRI, ka ndodhur në Turqi më 14 mars 1990.
Gjithashtu, më 24 prill 1990 ndodhi vrasja e Z. Kazem Rajavi, vëlla i Massoud Rajavi dhe përfaqësues i NCRI në Gjenevë. Sulmi u krye nga disa agjentë iranianë të cilët kishin përdorur pasaporta qeveritare ‘me mision.’
Më 16 mars 1993 u qëllua Z. Mohammad Hossein Naghdi, përfaqësuesi i NCRI në Itali. Në 2014-ën, Shtetet e Bashkuara e refuzuan një diplomat iranian si ambasador për zyrat qendrore të OKB në Neë York për shkak të përfshirjes së tij në vrasjen e Naghdi.
Një plan për të eliminuar Znj. Maryam Rajavi dështoi kur në një anije iraniane mallrash pranë Anversës u gjetën raketa dhe një mortajë e stërmadhe.
Përpara kësaj, kiashte patur edhe një komplot tjetër për ta vrarë Znj. Rajavi gjatë një mbledhjeje të madhe në Dortmund në qershor 1995. Sulmin e kishte nisur Hossein Mousavian, ambasadori iranian në Gjermani.
Ka tregues që edhe sulmi i dështuar në Villepinte ka patur në shënjestër Znj. Rajavi.
Në shkurt 1996, Znj. Zahra Rajabi, anëtare e NCRI, u vra në Turqi. Një nga autorët e krimit ishte agjent i regjimit iranian i cili u dënua me disa vite burg. Gjykata Penale e Stambollit e dënoi Reza Berzeger-in me burgim të përjetshëm, duke përfshirë një vit burgim të izoluar për vrasjen e Znj. Rajabi dhe Z. Ali Moradi.
Më 21 mars 2018, një sulm kundër PMOI-së u parandalua në Shqipëri. Pas kësaj ngjarjeje, Shqipëria deportoi dy agjentë sekretë të Ministrisë Iraniane të Inteligjencës (MOIS).
Që në 2016-ën, Shqipëria është bërë shtëpia e rreth 3,000 anëtarëve të MEK në kampin Ashraf 3. Pas kësaj doli se forca punëtore e ambasadës iraniane në Tiranë, e cila fillimisht kishte qenë shumë e vogël, ishte rritur në mënyrë të konsiderueshme në numër. Disa anëtarë të ambasadës janë dëbuar nga vendi për abuzim të statusit të tyre diplomatik.
Këshilli i Qytetit të Teheranit: Koronavirusi ka shkaktuar vdekjen e 20,000 njerëzve në Teheran deri tani, dhe implementimi i kufizimeve është thelbësor dhe i efektshëm në parandalimin e përhapjes së virusit dhe vdekshmërisë.
Një anëtar i ekipit kërkimor për Taskforcën Kombëtare të Luftimit të Korornavirusit: Bilanci ynë i vdekjeve është 516 për milion, një nga më të lartit në botë, dhe mund të jetë edhe shumë më i lartë.
Kryetari i Këshillit Suprem të Organizatës Mjekësore: Me ndërhyrje jo-shkencore dhe me nxjerrjen e lejeve nën titullin e mjekësisë islamike dhe tradicionale apo iraniane nga Ministria e Shëndetësisë, po luhet me shëndetin e njerëzve pa asnjë bazë shkencore.
Hamid Emadi, një specialist i sëmundjeve infektive: Nuk ka shtretër bosh në spitalet publike. Pacientët nuk mund të akomodohen në një spital privat as me 100 milion Toman. Jo vetëm që të gjitha pavijonet e terapisë intensive janë të mbushura plot, por nuk ka as pavijone të zakonshme bosh. Jemi të paralizuar.
Universiteti i Shkencave Mjekësore në Kerman: Numri i vdekjeve nga Koronavirusi në provincën Kerman ka arritur në 40 brenda 24 orësh.
Universiteti i Shkencave Mjekësore në Bam: Në lindje të provincës Kerman, numri i pacientëve është rritur gjashtë herë krahasuar me muajin e mëparshëm.
Këtë javë, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit ka përsëritur thirrjen e tij për një “komision ndërkombëtar të gjetjes së fakteve” për të hetuar kushtet në burgjet iraniane dhe për të intervistuar personat e burgosur atje për arsye politike. Thirrjet më të fundit mbartin një ndjesi pak më të madhe urgjence për shkak të faktit që i përgjigjen raporteve të reja të rritjes së popullsisë së të burgosurve të ndërgjegjes në Iran.
NCRI ka specifikuar se më 11 nëntor policia ka bastisur disa shtëpi, duke marrë në shënjestër aktivistë të njohur dhe individë që kanë qenë më parë të burgosur në lidhje me trazirat e fundit civile në vend. Tre prej tyre, Saeed Asghari, Saeed Samimi, dhe Kasra Bani-Ameriyan janë marrë në pyetje secili gjatë një periudhe dy-mujore, nga marsi në maj të 2018-ës, para se të liroheshin me kusht. Riarrestimi i tyre këtë muaj ka qenë, sipas të gjitha gjasave, arbitrar, pasi është bërë në mungesë të një thirrjeje të mëparshme apo të paraqitjes së një urdhër arresti ligjor.
Arrestimet e para në mars 2018 koinçiduan me një varg zhvillimesh potencialisht transformuese në çështjet iraniane. Në atë kohë, regjimi nuk ishte shëruar ende nga një kryengritje mbarëkombëtare që kishte përfshirë pjesën më të madhe të atij janari dhe mbi 100 qytete të mëdha e të vogla. Këto protesta me koordinim të gjerë u ndërprenë pas vdekjes së rreth 60 aktivistëve, por jo përpara se Lideri Suprem i regjimit Ali Khamenei të bënte një lëvizje të papritur duke e pranuar se këto trazira kishin qenë në masë të madhe të planifikuara dhe të lehtësuara nga Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI-MEK).
Kjo përpjekje nuk ishte e izoluar vetëm brenda kufijve të Iranit. Pranimi i Khamenei-t për rolin e MEK e bëri praktikisht të domosdoshme për regjimin që ta konfrontonte direkt këtë organizatë, dhe kjo gjë i nxiti autoritetet të merrnin në shënjestër bazat e mbështetjes së kësaj organizate në vende të huaja. Në të njëjtën kohë kur regjimi po fillonte marrjet në pyetje të të burgosurve politikë për muaj të tërë, ai po planifikonte gjithashtu për sulme terroriste kundër aktivistëve të Rezistencës Iraniane në tokën europiane. Fatmirësisht, këto sulme nuk u realizuan. Njëri prej tyre u parandalua në Shqipëri në mars 2018, ndërsa tjetri në Francë në qershor të po atij viti.
Ndonëse të pasuksesshme, domethënia e këtyre komploteve nuk mund të nënvlerësohet. Po të mos ishte parandaluar me anë të përpjekjeve të përbashkëta të disa organeve europiane të zbatimit të ligjit, komploti në Francë do të kishte sjellë shpërthimin e një eksplozivi të fuqishëm në mesin e një tubimi mërgimtarësh iranianë e personalitetesh politike nga e gjithë bota. Vetë shpërthimi do të kishte vrarë me shumë mundësi qindra njerëz, ndërsa paniku i shkaktuar brenda sallës së populluar dendur do ta kishte rritur më tej numrin e viktimave.
Potenciali i humbjes së jetëve është simbol i përbuzjes që regjimi iranian ka për të drejtat e njeriut, dhe kjo duhet të ketë ndikim në përgjigjen ndërkombëtare ndaj raporteve të kohëve të fundit që flasin për arrestime të reja me motive politike brenda Iranit. Në të njëjtën kohë, gatishmëria e Teheranit për ta nxitur një përgjigje të tillë është tregues i njëfarë paniku që është krijuar tek udhëheqja e regjimit pas pranimit ngag ana e Khamenei-t se ekziston një sfidë serioze brenda vendit që rrjedh nga veprimtaritë e “Njësive të Rezistencës” të MEK.
Ky panik u shtua së tepërmi në nëntor 2019 kur një tjetër kryengritje popullore e bëri të qartë që sulmet ndaj protestave, marrjet në pyetje të të burgosurve politikë, dhe kërcënimet kundër mbështetësve të huaj kishin bërë shumë pak për ta penguar progresin e lëvizjes aktiviste pro democracisë. Në mesin e atij muaji, iranianë nga të gjitha shtresat e jetës reaguan me zemërim të madh ndaj njoftimit për një rritje të papritur në çmimin e gazolinës, gjë që publiku e pa si simbol të mospërfilljes së regjimit për vështirësitë e tij ekonomike në përkeqësim e sipër. Kryengritja që rezultoi qe edhe më e gjerë sesa paraardhësja e saj, duke përfshirë të paktën 191 qytete të mëdha e të vogla, dhe u karakterizua nga e njëjta urrejtje për regjimin teokratik që ishte shfaqur edhe në kryengritjen e janarit 2018.
Kryengritja e dytë ndodhi pasi ishin shfaqur një shumëllojshmëri deklaratash nga Khamenei e zyrtarë të tjerë të regjimit, të cilat konfirmonin nevojën e këtyre zyrtarëve për t’u shqetësuar lidhur me ndikimin në rritje të MEK. Sapo u konfirmua që këto shqetësime ishin të justifikuara, regjimi reagoi me një shpërthim dhune politike që eklipsonte çfarëdolloj represioni të mëparshëm në 30 vite. Brenda vetëm pak ditësh, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike mbikëqyri sulmimin dhe vdekjen e 1,500 protestuesve paqësorë dhe kalimtarëve të pafajshëm. Rreth 4,000 të tjerë u plagosën, dhe 12,000 u arrestuan. Shumë prej të arrestuarve janë përballur me akuza që mund të mbartin dënimin me vdekje.
Një punëtor iranian është vetë-flijuar jashtë Sindikatës së Punëtorëve në Kermanshah të Iranit perëndimor më 18 nëntor, si protestë ndaj ndërprerjes së sigurimit të tij shëndetësor dhe pamundësisë për të paguar për trajtimin e kancerit të së ëmës.
Punëtorin 45-vjeçar e transferuan në spital por ai vdiq nga një arrest kardiak për shkak të djegieve të rënda që kishte pësuar, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Mehr.
Më 20 nëntor, kryetari i Organizatës së Sigurimeve Shoqërore në Kermanshah, Iman Bious, tha se ky person ishte paraqitur në Shoqatën e Punëtorëve të Ndërtimit në Kermanshah për të kërkuar një zgjatje të afatit të sigurimit të tij shëndetësor, por pasi kishte debatuar me sekretarin e shoqatës, kishte kërcënuar të digjte veten.
“Personi kishte aplikuar për një rinovim të sigurimit të tij shëndetësor dhe për zgjatje të anëtarësimit të tij si punëtor ndërtimi, por ia kishin mohuar kërkesën pasi ai mbante veshur një uniformë mekaniku,” tha Bious.
Vala e arrestimeve të familjarëve dhe mbështetësve të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) vazhdon.
Në gjysmën e dytë të nëntorit, njëkohësisht me përvjetorin e protestave të vitit të shkuar, protesta të cilat e shkundën regjimin me themele, Ministria e Inteligjencës dhe forcat e agjentët e saj represivë kanë kryer një varg arrestimesh, veçanërisht mes familjarëve e mbështetësve të PMOI/MEK.
Në Teheran është marrë në shënjestër familja e mirënjohur Vafaii. Pouria Vahidian, 27 vjeç, është gjithashtu mes të arrestuarve të ditëve të fundit. Ai është një i afërm i Saeed Moghimi që është ekzekutuar gjatë masakrës së 1988-ës. Pouria Vahidian ka qenë më parë i burgosur nga viti 2018 në 2020-ën dhe është liruar pas mbarimit të dënimit në prill 2020.
Iran HRM ka raportuar më 15 nëntor mbi arrestimin e disa mbështetësve të tjerë të PMOI/MEK në Kermanshah, Yazd dhe Teheran.
Agjentët e Departamentit të Inteligjencës të Songhor, në provincën Kermanshah, kanë bastisur e plaçkitur rezidencat e disa ish të burgosurve politikë më 11 nëntor 2020. Gjithashtu kanë arrestuar Saeed Asghari, Saeed Samimi, dhe Kasra Bani Amerian dhe i kanë çuar ata në Pavijonin 4 të burgut Evin në Teheran, pas disa orësh marrje në pyetje. Për këta persona nuk kishte dalë asnjë thirrje për të raportuar në burg.
Lajme të tjera tregojnë se edhe të burgosurin politik Hamid Sharif e kanë arrestuar në mes të nëntorit dhe e kanë çuar në pavijonin 4 të burgut Evin. Gjykata Revolucionare e kishte dënuar atë me një vit burg.
Një tjetër i burgosur politik me emrin Sina Zahiri është thirrur për t’u paraqitur në burgun Evin më 14 nëntor, për të filluar dënimin e tij pesë-vjeçar.
Iran Human Rights Monitor i bën thirrje Kombeve të Bashkuara dhe raportuesve specialë, sidomos Raportuesit Special mbi Iranin dhe Komisioneres së Lartë Michelle Bachelet që të dërgojnë një delegacion ndërkombëtar në Iran për të vizituar burgjet e Iranit dhe sidomos për t’u takuar me të burgosurit politikë.
Forcat e sigurisë shkatërrojnë shtëpinë e një nëne të pamartuar e të papunë në Bandar Abbas
Raportim nga PMOI/MEK
Iran, 20 nëntor 2020—Në periferi të qytetit jugor Bandar Abbas të Iranit jetonte një grua e varfër, e pamartuar dhe e papunë në një shtëpi të vogël të bërë vetë, së bashku me fëmijët e saj. Por bota iu shemb asaj të mërkurën, më 18 nëntor, kur agjentët e sigurisë ia bastisën dhe shkatërruan shtëpinë me argumentin se ajo nuk kishte leje nga qeveria për të jetuar atje. E mbetur pa strehë dhe pa asnjë perspektivë për jetën, gruaja është vetë-flijuar pas këtij incidenti.
Ky është një tjetër shembull i mungesës së tolerancës së regjimit dhe trajtimit brutal që ai u bën miliona njerëzve të varfër e në nevojë në Iran. Disa nga vendasit që ishin të pranishëm në vendngjarje, e filmuan incidentin dhe e postuan atë në rrjetet sociale, gjë që ka shkaktuar një valë zemërimi publik.
Zyrtarët e regjimit e mohojnë përgjegjësinë
Si përgjigje, kryegjyqtari i regjimit Ebrahim Raisi është përpjekur ta shpëtojë veten nga zemërimi i popullit duke i bërë thirrje prokurorit të provincës Hormozgan që ta hetojë incidentin. Pas komenteve të Raisi-t, zyrtarë dhe organe të tjera të regjimit e ndoqën shembullin e tij dhe u përpoqën ta hiqnin nga supet përgjegjësinë duke ia vënë fajin kryebashkiakut të qytetit, oficerëve të papërgjegjshëm të policisë dhe kujtdo tjetër përveç vetes. Prokurori i Bandar Abbas pretendon se ka krijuar një dosje për incidentin.
Ndërkohë Raisi, i cili është famëkeq për rolin kryesor që ka luajtur në ekzekutimin e mijëra të burgosurve politikë, shtiret tani sikur i vjen keq për po ata njerëz jetët e të cilëve ai dhe zyrtarë të tjerë të regjimit i kanë shtyrë drejt varfërisë dhe mjerimit.
Të riun e burgosur Mohammad Dowji, 19 vjeç, e kanë torturuar për vdekje rojat e burgut Amirabad në Gorgan më 18 nëntor 2020. Atë e kishin burgosur për shkak se ishte përfshirë në një përleshje. Djali ishte nga fshati Odak Dowji në AghGhala të provincës Gorgan, në Iranin verior.
Një nga të burgosurit e këtij burgu ka thënë: “Në burg shpërtheu një përleshje. Për ta ndëshkuar Mohammad-in, rojat e burgut e zhveshën atë dhe ia lidhën duart e këmbët. E varën nga tavani në të ftohtë dhe e rrahën deri sa ai humbi ndjenjat. Pastaj i hodhën ujë të ftohtë përsipër. E bënë këtë përpara gjithë të burgosurve në mënyrë që të na bëhej mësim. Fatkeqësisht, Mohammad nuk mundi ta duronte torturën dhe ndërroi jetë në mëngjes.”
Ky i burgosur shtoi se autoritetet e burgut i kanë shtuar masat e sigurisë në burgun Amirabad pas këtij incidenti dhe kanë vënë kufizime të tjera mbi gjithë të burgosurit. Nuk i kanë lejuar të largohen asnjë nga të burgosurit që e kanë mbaruar periudhën e dënimit.
Departamenti amerikan i Thesarit të mërkurën vuri sanksione të reja me në shënjestër regjimin iranian, duke futur në listën e zezë fondacionin Bonyad Mostazafan, i cili kontrollohet nga Lideri Suprem i regjimit, Ali Khamenei.
Sanksionet e Departamentit të Thesarit të SHBA kanë marrë në shënjestër edhe ministrin e inteligjencës të regjimit iranian, Mahmoud Alavi. Sanksionet janë vënë si “një rrjet kryesor patronazhi për Khamenei-n”. Këto sanksione kanë në shënjestër gjithashtu dhjetë individë dhe 50 entitete të lidhura me fondacionin në sektorë që përfshijnë energjinë, minierat, dhe shërbimet financiare.
“Lideri Suprem i Iranit e përdor fondacionin Bonyad Mostazafan për t’i shpërblyer aleatët e tij nën pretekstin e bamirësisë,” tha në deklaratë Sekretari i Thesarit të SHBA, Steven Mnuchin.
Departamenti i Shtetit i SHBA të mërkurën futi në listën e zezë edhe dy zyrtarë të Korpusit të Gardës Revolucionare (IRGC) iraniane, duke i akuzuar ata për përfshirje në vrasjen e gati 150 njerëzve në qytetin Mahshahr gjatë masave shtypëse të vitit të shkuar.