Forcat e sigurisë shkatërrojnë shtëpinë e një nëne të pamartuar e të papunë në Bandar Abbas
Raportim nga PMOI/MEK
Iran, 20 nëntor 2020—Në periferi të qytetit jugor Bandar Abbas të Iranit jetonte një grua e varfër, e pamartuar dhe e papunë në një shtëpi të vogël të bërë vetë, së bashku me fëmijët e saj. Por bota iu shemb asaj të mërkurën, më 18 nëntor, kur agjentët e sigurisë ia bastisën dhe shkatërruan shtëpinë me argumentin se ajo nuk kishte leje nga qeveria për të jetuar atje. E mbetur pa strehë dhe pa asnjë perspektivë për jetën, gruaja është vetë-flijuar pas këtij incidenti.
Ky është një tjetër shembull i mungesës së tolerancës së regjimit dhe trajtimit brutal që ai u bën miliona njerëzve të varfër e në nevojë në Iran. Disa nga vendasit që ishin të pranishëm në vendngjarje, e filmuan incidentin dhe e postuan atë në rrjetet sociale, gjë që ka shkaktuar një valë zemërimi publik.
Zyrtarët e regjimit e mohojnë përgjegjësinë
Si përgjigje, kryegjyqtari i regjimit Ebrahim Raisi është përpjekur ta shpëtojë veten nga zemërimi i popullit duke i bërë thirrje prokurorit të provincës Hormozgan që ta hetojë incidentin. Pas komenteve të Raisi-t, zyrtarë dhe organe të tjera të regjimit e ndoqën shembullin e tij dhe u përpoqën ta hiqnin nga supet përgjegjësinë duke ia vënë fajin kryebashkiakut të qytetit, oficerëve të papërgjegjshëm të policisë dhe kujtdo tjetër përveç vetes. Prokurori i Bandar Abbas pretendon se ka krijuar një dosje për incidentin.
Ndërkohë Raisi, i cili është famëkeq për rolin kryesor që ka luajtur në ekzekutimin e mijëra të burgosurve politikë, shtiret tani sikur i vjen keq për po ata njerëz jetët e të cilëve ai dhe zyrtarë të tjerë të regjimit i kanë shtyrë drejt varfërisë dhe mjerimit.