Wednesday, February 8, 2023

Arrestimet e Fundit në Iran Theksojnë Dëshpërimin dhe Dobësinë e Regjimit

 

Këtë javë, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit ka përsëritur thirrjen e tij për një “komision ndërkombëtar të gjetjes së fakteve” për të hetuar kushtet në burgjet iraniane dhe për të intervistuar personat e burgosur atje për arsye politike. Thirrjet më të fundit mbartin një ndjesi pak më të madhe urgjence për shkak të faktit që i përgjigjen raporteve të reja të rritjes së popullsisë së të burgosurve të ndërgjegjes në Iran.

NCRI ka specifikuar se më 11 nëntor policia ka bastisur disa shtëpi, duke marrë në shënjestër aktivistë të njohur dhe individë që kanë qenë më parë të burgosur në lidhje me trazirat e fundit civile në vend. Tre prej tyre, Saeed Asghari, Saeed Samimi, dhe Kasra Bani-Ameriyan janë marrë në pyetje secili gjatë një periudhe dy-mujore, nga marsi në maj të 2018-ës, para se të liroheshin me kusht. Riarrestimi i tyre këtë muaj ka qenë, sipas të gjitha gjasave, arbitrar, pasi është bërë në mungesë të një thirrjeje të mëparshme apo të paraqitjes së një urdhër arresti ligjor.

Arrestimet e para në mars 2018 koinçiduan me një varg zhvillimesh potencialisht transformuese në çështjet iraniane. Në atë kohë, regjimi nuk ishte shëruar ende nga një kryengritje mbarëkombëtare që kishte përfshirë pjesën më të madhe të atij janari dhe mbi 100 qytete të mëdha e të vogla. Këto protesta me koordinim të gjerë u ndërprenë pas vdekjes së rreth 60 aktivistëve, por jo përpara se Lideri Suprem i regjimit Ali Khamenei të bënte një lëvizje të papritur duke e pranuar se këto trazira kishin qenë në masë të madhe të planifikuara dhe të lehtësuara nga Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI-MEK).

Kjo përpjekje nuk ishte e izoluar vetëm brenda kufijve të Iranit. Pranimi i Khamenei-t për rolin e MEK e bëri praktikisht të domosdoshme për regjimin që ta konfrontonte direkt këtë organizatë, dhe kjo gjë i nxiti autoritetet të merrnin në shënjestër bazat e mbështetjes së kësaj organizate në vende të huaja. Në të njëjtën kohë kur regjimi po fillonte marrjet në pyetje të të burgosurve politikë për muaj të tërë, ai po planifikonte gjithashtu për sulme terroriste kundër aktivistëve të Rezistencës Iraniane në tokën europiane. Fatmirësisht, këto sulme nuk u realizuan. Njëri prej tyre u parandalua në Shqipëri në mars 2018, ndërsa tjetri në Francë në qershor të po atij viti.

Ndonëse të pasuksesshme, domethënia e këtyre komploteve nuk mund të nënvlerësohet. Po të mos ishte parandaluar me anë të përpjekjeve të përbashkëta të disa organeve europiane të zbatimit të ligjit, komploti në Francë do të kishte sjellë shpërthimin e një eksplozivi të fuqishëm në mesin e një tubimi mërgimtarësh iranianë e personalitetesh politike nga e gjithë bota. Vetë shpërthimi do të kishte vrarë me shumë mundësi qindra njerëz, ndërsa paniku i shkaktuar brenda sallës së populluar dendur do ta kishte rritur më tej numrin e viktimave.

Potenciali i humbjes së jetëve është simbol i përbuzjes që regjimi iranian ka për të drejtat e njeriut, dhe kjo duhet të ketë ndikim në përgjigjen ndërkombëtare ndaj raporteve të kohëve të fundit që flasin për arrestime të reja me motive politike brenda Iranit. Në të njëjtën kohë, gatishmëria e Teheranit për ta nxitur një përgjigje të tillë është tregues i njëfarë paniku që është krijuar tek udhëheqja e regjimit pas pranimit ngag ana e Khamenei-t se ekziston një sfidë serioze brenda vendit që rrjedh nga veprimtaritë e “Njësive të Rezistencës” të MEK.

Ky panik u shtua së tepërmi në nëntor 2019 kur një tjetër kryengritje popullore e bëri të qartë që sulmet ndaj protestave, marrjet në pyetje të të burgosurve politikë, dhe kërcënimet kundër mbështetësve të huaj kishin bërë shumë pak për ta penguar progresin e lëvizjes aktiviste pro democracisë. Në mesin e atij muaji, iranianë nga të gjitha shtresat e jetës reaguan me zemërim të madh ndaj njoftimit për një rritje të papritur në çmimin e gazolinës, gjë që publiku e pa si simbol të mospërfilljes së regjimit për vështirësitë e tij ekonomike në përkeqësim e sipër. Kryengritja që rezultoi qe edhe më e gjerë sesa paraardhësja e saj, duke përfshirë të paktën 191 qytete të mëdha e të vogla, dhe u karakterizua nga e njëjta urrejtje për regjimin teokratik që ishte shfaqur edhe në kryengritjen e janarit 2018.

Kryengritja e dytë ndodhi pasi ishin shfaqur një shumëllojshmëri deklaratash nga Khamenei e zyrtarë të tjerë të regjimit, të cilat konfirmonin nevojën e këtyre zyrtarëve për t’u shqetësuar lidhur me ndikimin në rritje të MEK. Sapo u konfirmua që këto shqetësime ishin të justifikuara, regjimi reagoi me një shpërthim dhune politike që eklipsonte çfarëdolloj represioni të mëparshëm në 30 vite. Brenda vetëm pak ditësh, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike mbikëqyri sulmimin dhe vdekjen e 1,500 protestuesve paqësorë dhe kalimtarëve të pafajshëm. Rreth 4,000 të tjerë u plagosën, dhe 12,000 u arrestuan. Shumë prej të arrestuarve janë përballur me akuza që mund të mbartin dënimin me vdekje.