Teksa populli iranian thërret ‘Vdekje diktatorit’ nëpër rrugë, Rouhani përsërit pretendimet e tij pa baza e të çuditshme në samitin virtual të Asemblesë së Përgjithshme të OKB-së
Më 23 shtator, Presidenti i regjimit iranian Hassan Rouhani e përdori fjalimin e tij vjetor në Asemblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të përsëritur pretendimet e tij qesharake. Megjithatë, ai e vërtetoi edhe nje herë se nuk përfaqëson popullin iranian, dhe mbrojti krimet e regjimit të tij kundër qytetarëve iranianë. Fjalët e Rouhani-t treguan sa e domosdoshme është që të dëbohen regjimet autoritare nga OKB dhe vendi i tyre t’u jepet opozitave legjitime.
Në fjalimin e tij, Rouhani sinjalizoi se regjimi i tij nuk do t’i braktisë sjelljet malinje brenda dhe jashtë Iranit, veçanërisht në Lindjen e Mesme. Kjo ndërkohë që keqmenaxhimi ekonomik dhe ambiciet bërthamore të regjimit i kanë vënë qytetarët iranianë në kushte të rënda. Për më tepër, autoritetet iraniane i përgjigjen çdo zëri opozitar me dhunë të egër.
Në nëntor 2019, Forcat e Sigurisë së Shtetit (SSF) qëlluan për vdekje të paktën 1,500 demonstrues të cilët kishin shpallur në mënyrë paqësore kundërshtimin e tyre ndaj rritjes së çmimit të gazolinës. Videot tregojnë se SSF dhe Garda Revolucionare (IRGC) kanë përdorur helikopterë, tanke, mitralozë të rëndë, snajpera, dhe automjete të armatosura për t’i heshtur protestuesit.
Sipas organizatave dhe aktivistëve të të drejtave njerëzore, regjimi ka vrarë rreth 23 fëmijë, shumë gra, madje edhe kalimtarë. Forcat shtypëse kanë kapur gjithashtu mbi 12,000 njerëz të zemëruar me regjimin dhe i kanë transferuar nëpër burgje. Fati i shumë të burgosurve është ende i paqartë.
Më 2 shtator, Amnesty International ekspozoi një pjesë të torturave e keq-trajtimeve tronditëse që ushtrohen ndaj qytetarëve të burgosur. Kjo organizatë jo-fitimprurëse kishte mësuar detaje përmes intervistave me rreth 60 protestues që ia kanë dalë të arratisen nga burgjet famëkeqe të Iranit.
Janë duart e regjimit klerikal, Lideri Suprem Khamenei dhe konglomeratet e tij, si dhe IRGC, Gjyqësori, parlamenti, dhe qeveria e tij që duhet të priten e të hiqen nga jeta dhe pasuria e popullit iranian, dhe sovraniteti i uzurpuar duhet t’i rikthehet popullit iranian.
Drejtësia kriminale e regjimit klerikal ka dënuar katër të burgosur në Urmia me prerje të gjymtyrëve, për akuzën e vjedhjes. Ky dënim i neveritshëm vjen në një kohë kur Khamenei, Rouhani, Ebrahim Raisi, dhe klerikë të tjerë të lartë së bashku me bijtë e bijat e tyre të korruptuara, si dhe liderët e Gardës Revolucionare, janë pa dyshim hajdutët më të mëdhenj në historinë e Iranit. Ata vjedhin qindra biliona dollarë nga pasuria e popullit. Kjo bëhet me koston e urisë, varfërisë, dhe papunësisë së dhjetëra mijëra njerëzve, inflacionit që kap majat, dhe shkatërrimit të ekonomisë së vendit.
Ish-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Komisionin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, Ken Blackwell, në një shkrim të tij në Townhall të mërkurën, ka dënuar heshtjen e komunitetit ndërkombëtar lidhur me masakrën e 1988-ës ndaj 30,000 të burgosurve politikë iranianë. Ambasadori Blackwell nënvizoi se heshtja e komunitetit botëror e ka trimëruar regjimin e mullahëve për të vazhduar me shkeljet e të drejtave njerëzore deri në ditët e sotme.
Në 1988-ën, kur sunduesit e Iranit ekzekutuan brutalisht mbi 30,000 të burgosur politikë, përfshirë adoleshentë e gra shtatzëna, komuniteti botëror heshti. Në fakt, deri më sot, Organizata e Kombeve të Bashkuara nuk e ka hetuar asnjëherë zyrtarisht këtë krim të paprecedent kundër njerëzimit.
Ata që e kanë studiuar historinë e dinë se kjo çështje u ngrit në atë kohë por komuniteti diplomatik refuzoi t’i kushtonte vëmendjen e duhur dhe nuk u kërkoi llogari ajatollahëve për atë që një numër ekspertësh e kanë përshkruar si krimi më i rëndë kundër njerëzimit në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të për përfitime politike. Dhe historia e ka vërtetuar se ky ka qenë një gabim i madh me pasoja të rënda për popullin iranian.
Ajo që ndodhi në 1988-ën nuk është thjesht një relike e shekullit të shkuar. Përkundrazi, ka lidhje të drejtpërdrejtë me situatën aktuale në Iran, në mënyrë tragjike.
Në nëntor 2019, kur forcat iraniane të sigurisë qëlluan mizorisht për vdekje 1,500 njerëz gjatë protestave mbarëkombëtare, komuniteti botëror, përsëri, nuk reagoi në mënyrën e duhur. OKB dhe shtetet anëtare të saj nuk vepruan me vendosmëri, duke e lejuar kështu Teheranin që t’i shtonte me shkathtësi shkelje të tjera regjistrit të tij tronditës të të drejtave njerëzore.
Dhe përsëri, ky mosveprim pati pasoja shkatërrimtare. Amnesty International ka raportuar këtë muaj se regjimi ka ushtruar “torturë në masë të gjerë, duke përfshirë rrahje, goditje me kamxhik, shok elektrik … imitim ekzekutimi … dhunë seksuale,” mes shumë abuzimeve të tjera.
Me pandëshkueshmëri të pamerituar, mullahët i kanë përshkallëzuar abuzimet e tyre gjatë viteve. Sa përgjegjësi mban OKB për vuajtjen katastrofike dhe humbjen e jetëve që ka rezultuar prej kësaj?
Neni i parë i Kartës së OKB-së thotë se, mes qëllimeve të saj është “promovimi dhe nxitja e respektit për të drejtat njerëzore dhe për liritë themelore.” Nuk do të ishte gjë tjetër veçse një iluzion i bukur nëse OKB do të priste që vetë Irani të ndërmerrte “hetime të paanshme” në sjelljen e vet, siç u kërkua nga OKB në dhjetor 2019. Kjo është njësoj sikur të ftoje zjarrvënësin të hetonte një zjarrvënie.
OKB duhet të marrë përsipër zhvillimin e hetimeve të menjëhershme, të paanshme e të pavarura mbi masakrën e 1988-ës si dhe mbi vrasjet e qytetarëve të thjeshtë të sponsorizuara nga shteti në nëntor 2019. Askush nuk duhet të lejohet të torturohet apo të ekzekutohet për shkak të besimeve të tij. E megjithatë, duke ndjerë pandëshkueshmërinë, regjimi vazhdon të ekzekutojë protestues pro demokracisë si Navid Afkari.
Është koha që sunduesve të Teheranit t’u kërkohet llogari për sjelljen e tyre të përçmueshme.
Më 18 shtator, Samiti Trans-Atlantik mbi Politikën ndaj Iranit, i sponsorizuar nga opozita demokratike e Iranit, mblodhi bashkë një larmi parlamentarësh e ish-zyrtarësh të lartë nga Europa dhe SHBA nga tendenca të ndryshme politike, të bashkuar në një thirrje: OKB duhet t’i japë fund pandëshkueshmërisë së mullahëve dhe t’i kërkojë llogari regjimit për krimet e tij kundër njerëzimit. Në këtë event folën nëntë senatorë amerikanë dhe 22 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve nga të dy partitë.
Ky samit global lidhi bashkë dhjetëra mijëra njerëz në 10,000 lokalitete në mbarë botën. Ai ofroi një raport mirë-informues lidhur me zhvillimet në Iran. Folësja kryesore në event, zonja Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), tha: “Aktualisht, një numër të burgosurish që mbështesin [opozitën kryesore Mujahedin-e Khalq] MEK janë akuzuar për Moharebeh (luftë kundër Zotit) dhe janë dënuar me vdekje nga Gjykata e [burgut] Evin. Ata janë në rrezik ekzekutimi.”
Shtetet anëtare duhet ta përdorin mbledhjen e këtij muaji të Asemblesë së Përgjithshme për të shpëtuar jetët e të burgosurve politikë në Iran. Nuk mjafton thjesht të japin deklarata dënuese. Qeveritë e përgjegjshme që janë të përkushtuara ndaj parimeve humanitare duhet të marrin masa të menjëhershme e domethënëse, duke përfshirë diskutimin e shkeljeve të të drejtave njerëzore nga regjimi në Këshillin e Sigurisë.
Nuk ka kohë për të humbur. Siç pati thënë dikur Martin Luther King Jr.: “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.” Është koha të veprojmë pa vonesë dhe t’u kërkojmë llogari sunduesve të Iranit për mohimin e të drejtave më themelore të popullit iranian për 41 vite.
Përfaqësuesja demokratike Sheila Jackson Lee tha në Samitin Trans-Atlantik: “Duhet ta bëjmë OKB-në t’i hetojë këto abuzime ndaj të drejtave njerëzore.” Në një shfaqje të natyrës jo-partiake të kësaj çështjeje, kolegu i saj republikan, Përfaqësuesi Tom McClintock, pohoi gjithashtu: “Nëse nuk i kërkojmë llogari këtij regjimi vagabond, nuk dihet se ç’mund të vendosë të bëjë më pas ai.”
Ja çfarë duhet bërë: Si hap i parë, shtetet anëtare duhet ta nxisin OKB-në që t’i japë fund pandëshkueshmërisë për abuzuesit e të drejtave në Iran. Dosjet e masakrës së 1988-ës dhe të vrasjeve të nëntorit 2019 duhet t’i referohen Këshillit të Sigurimit të OKB-së për marrjen e masave të duhura.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm, Këshilli i Sigurimit, dhe Këshilli i të Drejtave Njerëzore i OKB-së duhet të marrin masa urgjente për t’ua shpëtuar jetën të burgosurve politikë që torturohen apo që janë në pritje të ekzekutimit. Gjithashtu, është e domosdoshme të dërgohet një mision ndërkombëtar i gjetjes së fakteve i cili të vizitojë burgjet e Iranit dhe të burgosurit politikë. Një komision hetimi i udhëhequr nga OKB duhet të bëjë atë që nevojitet për të siguruar garancitë e mos-përsëritjes së torturës dhe shkeljeve të tjera të rënda të të drejtave. Pas 32 vitesh, komuniteti botëror nuk duhet të ndërmarrë rrugën e lehtë. Ai duhet të ndërmarrë rrugën e drejtë e të moralshme.
Një tubim i mbështetësve të opozitës iraniane PMOI/MEK përpara zyrave qendrore europiane të OKB-së në Gjenevë
Njëzet e një OJQ nxitën Komisioneren e Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, më 14 shtator, që të mbështeste nisjen e misioneve të pavarura të gjetjes së fakteve me fokus masakrën e 1988-ës në Iran dhe masakrën ndaj protestuesve iranianë kohët e fundit.
Në një letër të përbashkët të dërguar në seancën e dyzet e pestë të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, OJQ-të u bënë apel Procedurave Speciale të OKB, në veçanti Javaid Rehman, Raportuesit Special mbi situatën e të drejtave njerëzore në Iran, dhe Fabian Salvioli, Raportuesit Special për promovimin e të vërtetës, drejtësisë, kompensimeve dhe garancive të mospërsëritjes, që të hetonin masakrën e 1988-ës në Iran si pjesë e mandateve të tyre.
Mes këtyre OJQ-ve ishin: Shoqata Ndërkombëtare për të Drejtat e Grave, Edmund Rice International Limited, France Libertes : Fondation Danielle Mitterrand, HANDS OFF CAIN, Nouveaux Droits de l’Homme (France), Drejtësi për Viktimat e Masakrës së 1988-ës në Iran (JVMI), Association des femmes Iraniennes en France (AFIF), Comité de Soutien aux Droits de l’Homme en Iran (CSDHI), Association delle Donne Democratiche Iraniane in Italia, Shoqata e Grave Anglo-Iraniane në Mbretërinë e Bashkkuar, Iran Libero e Democratico (Italia), Shoqata e rinisë iraniane në Zvicër, Association des Refugiés politiques en France, Associazione Medici e FarmacistiDemocraticiIraniani in Italia, Association des jeunesIraniens pour la démocratie et la liberté-Luxembourg, Association IranRef (Belgique), IranskaKvinnosamfundeti Sverige (Suedi), Anglo-Iranian Professionals, dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë Iranianë-Mbretëri e Bashkuar.
NavidAfkari, një kampion 27-vjeçar i mundjes në Iran, është ekzekutuar nga regjimi i mullahëve, i akuzuar për pjesëmarrje në protesta paqësore
Mostafa Salehi, një i burgosur politik i arrestuar gjatë kryengritjes mbarëkombëtare të dhjetorit 2017 në Isfahan, është ekzekutuar më 5 gusht. Ai ka lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë të vegjël.
Në një letër tjetër të dërguar më 13 shtator, 17 fitues të çmimit Nobel nxitën Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres, që ta dënojë ekzekutimin e Navid Afkari dhe të dërgojë përfaqësues për të vizituar burgjet iraniane e për t’u takuar me të burgosurit politikë që mbahen në kushte çnjerëzore.
Më 15 dhjetor 2019, Rezistenca Iraniane shpalli se numri i të vrarëve nga forcat e sigurisë gjatë protestave të Iranit shkon përtej shifrës 1,500. Të paktën 4,000 njerëz janë plagosur dhe të paktën 12,000 janë arrestuar.
Më 23 dhjetor 2019, duke cituar burime brenda regjimit klerikal, Reuters konfirmoi se 1,500 njerëz janë vrarë në Iran brenda më pak se dy javëve plot trazira që nisën më 15 nëntor. Reuters kishte mësuar se mes të vrarëve janë rreth 400 gra dhe 17 adoleshentë. Zyrtarët iranianë që ua kishin dhënë shifrat Reuters-it, kishin thënë se këto shifra janë të bazuara mbi informacione të mbledhura nga forcat e sigurisë, morgjet, spitalet dhe zyrat mjeko-ligjore.
Reuters thotë se urdhri i Khamenei-t për të “bërë çfarëdo të jetë nevoja për t’i ndaluar (protestuesit),” është konfirmuar nga tre burime të afërta me rrethin e brendshëm të liderit suprem, si dhe një zyrtar i katërt.
Komiteti i Grave i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit ka mbledhur emrat dhe raporton listën e grave të vrara nga forcat e sigurisë gjatë kryengritjes së Iranit në nëntor 2019.
Lista e grave të vrara gjatë protestave të Iranit në nëntor 2019
Përfaqësues të studentëve të mjekësisë grumbullohen përpara Majlis (parlamentit) të regjimit – Teheran, Iran—24 shtator 2020
Në seancën parlamentare të së martës, Shiva Ghassemipour, deputete nga provinca Kurdistan, tha, “Kështu si po shkojnë gjërat, pak muaj më vonë buka do të zhduket nga tryezat e njerëzve, siç ka ndodhur me mishin dhe vezët.”
Deputetja shtoi: “Pas gjithë këtyre viteve duhet të pyesim veten, a nuk kishte asnjë zgjidhje për këtë situatë?… Zyrtarët tanë nuk bëjnë asgjë për të ndihmuar segmentet e varfra të shoqërisë, të cilat po shtohen në numër çdo ditë. Kur kemi premtuar se do të krijonim limane për të pasurit, të strehonim të korruptuarit, dhe t’i privonim të varfrit nga fuqia për të blerë vezë?”
Ghassemipour tha: “Qeveria krenohet se ka i ka plotësuar të gjitha nevojat e popullit, po me çfarë çmimi? Kur njerëzit nuk kanë fuqi blerëse, nuk ia vlen… E kemi parë herë pas here se zyrtarët që flasin në televizionin kombëtar as nuk i dinë fare çmimet e të mirave, nuk e dinë se njerëzit janë kaq të dëshpëruar saqë po shesin organet e trupit për të fituar bukën… A përputhen rrogat e vogla me shpërthimin e çmimeve?”
Ghassemipour e mbylli fjalën e saj duke paralajmëruar kundër vdekjeve të vazhdueshme të hamejve, vetëvrasjeve të të rinjve, largimit të intelektualëve nga vendi, dhe probleme të tjera shoqërore që kanë pllakosur vendin.
Gjatë fjalimit të tij në përvjetorin e luftës Iran-Irak, lideri suprem i regjimit iranian Ali Khamenei e pranoi edhe një herë politikën kriminale të regjimit për përdorimin e COVID-19 për ta vënë nën kontroll shoqërinë, duke e krahasuar situatën me kohën e luftës e duke thënë se ka qenë bekim për regjimin.
“Lufta është natyrisht një dukuri e tmerrshme dhe e dhunshme. Por kjo dukuri e dhunshme dhe e tmerrshme që zgjati tetë vite solli bekime për ne, siç i numërova më herët, dhe mund të thuhet edhe më shumë për këtë. Me fjalë të tjera, ne fituam të mira e freski nga ajo.”
Khamenei e krahasoi situatën aktuale në Iran me kohën e luftës, duke konfirmuar kështu se ka ndërmend ta përdorë koronavirusin vdekjeprurës për ta mbajtur të shtypur shoqërinë e trazuar iraniane, ashtu si pararendësi i tij, Ruhollah Khomeini.
Lufta Iran-Irak, të cilën Khomeini e zgjati për tetë vite, rezultoi në vdekjen e një milion iranianëve, plagosjen e dy milion njerëzve dhe shpërnguljen e dy milion njerëzve të tjerë nëpër Iran. Edhe pse qeveria irakene propozoi një armëpushim pas shumë muajsh shkatërrimi më 17 qershor 1982, Khomeini nuk e pranoi ofertën. Khomeini e mirëpriti luftën si një gjë të miër, duke e quajtur atë “një bekim hyjnor,” teksa e përdorte në mënyrë demagogjike për të goditur çdo kundërshtim ndaj regjimit të tij duke e quajtur kolonë të pestë irakene.
Khamenei e ka quajtur pandeminë e COVID-19 një “sprovë dhe bekim” edhe prillin e shkuar duke thënë: “Për sa i përket problemit aktual të vendit – shpërthimit të koronavirusit – epo, kjo është një epidemi dhe një sprovë. Ka patur sprova edhe më të mëdha, i kemi parë disa edhe në vendin tonë. Kjo nuk është diçka e jashtëzakonshme. Këto incidente ndodhin nëpër vende, megjithëse nuk po përpiqem ta minimizoj problemin, por nuk duhet ta ekzagjerojmë. Kjo është diçka që ka ndodhur dhe do të kalojë. Por eksperiencat që do të fitojmë nga kjo sprovë, veprimtaritë e njerëzve dhe organizatave mund të kthehen në një mundësi. Nëse i mbajmë këto mundësi, kjo sprovë do të kthehet në një bekim dhe ky kërcënim do të kthehet në një mundësi.”
Një student iranian në luftën Iran-Irak
Ministria e Arsimit e regjimit pati shpallur më 5 janar 1989 se gjatë luftës kishte dërguar 440,000 studentë në vijat e para në fushat e minuara. Në mënyrë të ngjashme, në 2020-ën regjimi zhvilloi provimet e pranimit në universitete në gusht dhe rihapi shkollat, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga profesionistët e shëndetit se kjo gjë mund ta rrisë më tej numrin e infektimeve me COVID-19 dhe numrin e vdekjeve mes studentëve.
Në një njoftim për shtyp të martën, Komiteti Britanik për Lirinë e Iranit (BCFIF) shpalli mbështetjen e mbi 250 parlamentarëve nga Europa e vendet arabe për rikthimin e të gjitha sanksioneve të Kombeve të Bashkuara mbi regjimin iranian për veprimtaritë e tij të paligjshme dhe për përpjekjen për të ndërtuar armë bërthamore. Nënshkruesit e kësaj deklarate bënë thirrje gjithashtu për etiketimin ndërkombëtar të Gardës Revolucionare (IRGC) të regjimit dhe për mbështetje për popullin iranian e lëvizjen e tij të rezistencës.
Iranianë mbështetës të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), mbajtën një tubim përpara Shtëpisë së Bardhë të martën në mbështetje të sanksioneve mbi regjimin e mullahëve. Ata nxitën gjithashtu komunitetin ndërkombëtar që t’i kërkojë llogari regjimit iranian për krimet e tij kundër njerëzimit. Ata përsëritën edhe një herë se fakti që komuniteti ndërkombëtar nuk u ka kërkuar llogari mullahëve për masakrën e 1988-ës ndaj 30,000 të burgosurve politikë iranianë e ka trimëruar regjimin për të vazhduar me shkeljet e të drejtave njerëzore, veçanërisht vrasjen e 1500 protestuesve gjatë protestave mbarëkombëtare të Iranit në nëntor 2019 dhe ekzekutimin e kampionit të mundjes Navid Afkari.
Mbështetësit e MEK dhe pjesëtarët e diasporës iraniane e zhvilluan këtë tubim njëkohësisht me fjalimet vjetore të Asemblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Iranianët në këtë tubim përsëritën faktin se regjimi i mullahëve kupton vetëm gjuhën e rreptësisë dhe paqësimi i këtij regjimi mesjetar e terrorist vetëm sa do ta shtojë vuajtjen e popullit iranian dhe përhapjen e terrorizmit në mbarë globin.
Shtetet e Bashkuara kanë aktivizuar mekanizmin ‘snapback’, një provizo e paktit bërthamor të 2015-ës të Iranit me fuqitë botërore, duke dhënë si shkak veprimtaritë e paligjshme të regjimit iranian dhe shkeljet e vazhdueshme të detyrimeve të tij nën kushtet e marrëveshjes. Rivendosja e sanksioneve do të ketë pasoja të rënda për regjimin.
Të hënën, Sekretarët amerikanë të Shtetit, Mbrojtjes dhe Thesarit, në një konferencë të përbashkët për shtyp, shpallën rivendosjen e vargut të parë të këtyre sanksioneve mbi regjimin e mullahëve. Ata shpallën vënien e sanksioneve të reja, sipas një Urdhri Ekzekutiv nga Presidenti amerikan Donald J. Trump, për sa i përket rikthimit të të gjitha sanksioneve mbi regjimin iranian.
Gjithashtu, gjatë konferencës për shtyp të hënën, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, duke kritikuar marrëveshjen bërthamore të Iranit me fuqitë botërore në 2015-ën, e quajti atë “një ushtrim në paqësim,” i cili “i dhuroi biliona regjimit dhe përgatiti terrenin që Irani të bëhej tregtari i zgjedhur i armëve për grupe terroriste e diktatorë në mbarë botën brenda vetëm pesë vitesh.”
Regjimi iranian ka qenë nën këto sanksione më përpara, por cili është ndryshimi këtë herë? A do të rikthehet situata e regjimit në atë që ka qenë para nënshkrimit të paktit bërthamor?
Siç e ka përmendur Sekretari Pompeo, regjimi iranian e ka gëzuar për vite të tëra politikën e paqësimit nga qeveritë perëndimore. Për shkak të politikës së paqësimit, shumë nga sanksionet nuk janë implementuar plotësisht, dhe regjimi e ka përdorur këtë mundësi për të vazhduar me veprimtaritë e tij të paligjshme.
Ç’është më e rëndësishmja, situata e shoqërisë iraniane ka ndryshuar shumë. Dy protesta të mëdha iraniane në 2018-ën dhe 2019-ën i kanë shkundur themelet e regjimit. Populli iranian, veçanërisht gjatë protestave të nëntorit, duke sakrifikuar mbi 1500 dëshmorë, tregoi dëshirën e tij për ndryshim regjimi. Kjo dëshirë dhe vendosmëri u reflektuan edhe në slloganet e tyre si “vdekje diktatorit.” Ata refuzuan gjithashtu politikat luftënxitëse të regjimit duke thirrur “As Gaza, as Libani, jeta ime vetëm për Iranin.”
Për shumë vite, regjimi iranian e ka përdorur politikën e paqësimit të qeverive perëndimore dhe luftërat në rajon për të vazhduar me politikat e tij luftënxitëse dhe për të eksportuar kaosin e brendshëm jashtë vendit. Duke i quajtur Irakun, Jemenin, Libanin, dhe Sirinë “thellësinë strategjike” të tij, regjimi iranian e ka përdorur mundësinë, veçanërisht Luftën e Dytë të Gjirit Persik, për ta rritur praninë dhe dominimin e tij vdekjeprurës në rajon. Forcat Quds të Gardës Revolucionare (IRGC)dhe komandanti i tyre, Qassem Soleimani, kanë avancuar plotësisht me politikat luftënxitëse të mullahëve dhe kanë përhapur frikë e kaos në Lindjen e Mesme. Eliminimi i Qassem Soleimani-t dhe protestat e vazhdueshme në Irak, Liban e Siri, si dhe krijimi i një fronti ndërkombëtar kundër terrorizmit të regjimit, e kanë shkatërruar tashmë “thellësinë strategjike” të regjimit.
Për shkak të korrupsionit të institucionalizuar, keqpërdorimit të pasurisë kombëtare për të financuar terrorizmin, dhe politikave të gabuara ekonomike, regjimi iranian është në prag të një asfiksimi ekonomik. Sanksionet i kanë tharë burimet e mullahëve për ndjekjen e veprimtarive të paligjshme në rajon. Politikat e gabuara ekonomike të regjimit dhe korrupsioni i kanë shtyrë drejt varfërisë edhe më shumë qytetarë iranianë, duke e shndërruar kështu shoqërinë iraniane në një fuçi baruti.
Krahas krizave ekonomike e shoqërore, regjimi iranian dhe populli po luftojnë tani kundër pandemisë së COVID-19. Politika e regjimit për t’i përdorur viktimat në masë të COVID-19-ës për të parandaluar një tjetër kryengritje, politikë si pjesë e së cilës mullahët kanë vazhduar me mosveprimin e fshehjen kriminale të fakteve, ka dështuar për shkak të njohurive në rritje të popullit dhe protestave të tij të vazhdueshme.
Pikat e mësipërme tregojnë se nga rikthimi i sanksioneve dhe aktivizimi i mekanizmit ‘snapback,’ pasojat për regjimin e Iranit do të jenë krejtësisht ndryshe nga situata nën sanksionet e mëparshme.