Shoferët e kompanisë Shahdab në provincën Kerman janë në grevë
Shoferët e kompanisë Shahdab në Anomaly verior të provincës Kerman, kanë qenë në grevë për disa ditë. Të shtunën më 23 janar, pasi nuk iu lejua të hynin në minierë, ata zhvilluan një protestë përpara zyrës së guvernatorit të kontesë Bafgh.
“Shoferi i kamionit super të rëndë punon në këtë minierë me një rrogë bazë prej 19 milion rial (rreth $82),” tha njëri nga shoferët. “Të ardhurat tona mujore janë 35 milion (rreth $152) deri në 50 milion (rreth $217) rial. Kemi nëntë muaj që punojmë vetëm me premtime boshe.”
“Shoferët punojnë tre turne me vetëm 20 minuta pushim. Punojmë me makineri të rënda, por bonusin e kemi të ulët. Në kontratën tonë përmendet fjala ‘edukative.’ A është e mundur që një shofer me 10 vite eksperiencë të jetë ende në trajnim ndërkohë që klasat e trajnimit janë përfunduar për 15 ditë pa asnjë rrogë?” thotë njëri nga shoferët.
Vetëm pak ditë para se një gjykatë në Anversa të Belgjikës të shpallë verdiktin për sa i përket diplomatit terrorist të burgosur iranian, Assadollah Assadi, më 4 shkurt, Ministria e Jashtme e regjimit po u drejtohet për shpëtim teorive konspirative dhe këmbëngul në të ashtu-quajturin “imunitet diplomatik” të Assadi-t, duke shprehur kështu frikën e mullahëve nga probabiliteti i lartë që Assadi të dënohet.
“Ky është një kurth i ndërlikuar që është bërë duke përdorur MEK-un [Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit] për këtë diplomat iranian,” tha të dielën Saied Khatibzadeh, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme.
Autoritetet europiane e arrestuan Assadi-n së bashku me tre nga bashkëpunëtorët e tij ndërkohë që ata tentonin të shpërthenin një bombë në tubimin e opozitës iraniane në Paris në qershor 2018. Përpara arrestimit të tij, Assadi shërbente si sekretar i tretë në ambasadën iraniane në Austri.
Khatibzadeh konfirmoi frikën e regjimit nga gjykimi i Assadi-t, duke thënë “mund të krijojë një precedent të rrezikshëm.”
Bazuar në prova dhe në padinë e prokurorëve, Assadi kishte transferuar 500 gramë TATP me eksplozivitet të lartë në Europë me anë të një avioni pasagjerësh. Ai u ishte shmangur kontrolleve të sigurisë duke përdorur pasaportën e tij diplomatike. Assadi ua kishte dorëzuar eksplozivët çiftit Nasimeh Na’ami dhe Amir Saadouni dhe i kishte ngarkuar ata me detyrën për ta vendosur bombën “sa më afër të jetë e mundur” me zonjën Maryam Rajavi, presidenten e opozitës iraniane.
Khatibzadeh, zëdhënës për ekzekutuesin numër një në botë per capita, ankohet se Assadi është “burgosur në kushte çnjerëzore.”
“Ai ka patur akses të kufizuar në avokatin e tij dhe në kontakte me telefon me familjarët e tij,” pretendon ai.
Khatibzadeh flet për mungesë avokati për Assadi-n, ndërkohë që regjimi që ai përfaqëson ka ekzekutuar në mënyrë jashtëgjyqësore mijëra disidentë. Kryegjyqtari i regjimit Ebrahim Raisi dhe Ministri i Drejtësisë Alireza Avaii kanë luajtur një rol kyç në masakrën e 1988-ës ndaj mbi 30,000 të burgosurve politikë.
Khatibzadeh pretendon se Assadi ka imunitet diplomatik dhe se i janë mohuar “të drejtat,” ndërkohë që ai ka tentuar të kryejë vrasje masive në Europë.
Gjatë gjyqit të Assadi-t më 27 nëntor dhe 3 dhjetor, prokurorët kanë paraqitur prova të shumta, të gjetura në makinën e Assadi-t, duke përfshirë një bllok me kode për operacionin, duke konfirmuar kështu rolin e tij si komandant i këtij komploti terrorist.
Thirrje ndërkombëtare për veprim të menjëhershëm për t’ua shpëtuar jetën të burgosurve të dënuar me vdekje
Pavarësisht protestave e thirrjeve të shumta nga brenda dhe jashtë vendit, të hënën më 25 janar 2021, fashizmi fetar që sundon Iranin ekzekutoi në burgun e Dezful një tjetër mundës iranian, Mehdi Ali Hosseini, lindur në Andimeshk.
Hosseini, 30 vjeç, dhe i burgosur që në 2015-ën, ishte i dyti mundës iranian i ekzekutuar nga regjimi klerikal gjatë muajve të fundit. Më herët, heroi kombëtar Navid Afkari u ekzekutua më 12 shtator 2020 për pjesëmarrje në protestat e gushtit 2018 në Shiraz, pavarësisht protestave globale kundër ekzekutimit të tij.
Më 14 janar, Komiteti Sportiv i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit i kishte bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar, sidomos Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, që të merrnin masa të menjëhershme për të shpëtuar jetën e Z. Hosseini.
Banorët e një fshati në Iranin veri-perëndimor kanë zhvilluar një tubim për të kërkuar ujë të pijshëm, ndërsa infermierët në një spital të Teheranit kanë kërkuar paga më të larta në protestat e zhvilluara dje dhe sot.
Infermierët e Teheranit kërkojnë paga më të larta
Në Teheran, infermierët e spitalit Milad u mblodhën sot për të kërkuar paga më të larta. Një nga protestuesit tha se infermierët kanë vënë në rrezik jetën për të ofruar kujdes shëndetësor gjatë pandemisë, por rrogat e tyre nuk janë rritur.
Një zyrtar i shëndetësisë pati thënë në dhjetor 2020 se infermierët iranianë kanë marrë paga më të ulëta gjatë pandemisë së shfrenuar të COVID-19 në vend. Kryetari i Këshillit Suprem të Organizatës së Infermierëve ka thënë se, pavarësisht shtimit të ngarkesës së punës gjatë pandemisë, rrogat e infermierëve janë ulur dhe janë vonuar deri në katër muaj.
Banorët e Qazvin protestojnë ndaj dëmtimit të tubacioneve të ujit
Në Qazvin, banorët kanë protestuar ndaj mungesës së ujit të pijshëm gjatë ditëve të fundit. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ILNA, banorët e fshatit Lat janë grumbulluar jashtë zyrës së kryebashkiakut. Raporti thotë se tubat e tyre prej katër kilometrash në zonat malore janë këputur nga fshatarët e provincës Gilan, në Iranin verior.
Një protestues, Hamdollah Hosseini, tha se ka pothuajse një dekadë që fshati Lat përballet me probleme të ujit për shkak të mosmarrëveshjeve me banorët e fshatit Nodeh në provincën Gilan.
Dimri i ftohtë dhe ndërprerja e ujit të pijshëm ka krijuar shumë probleme për banorët.
I burgosuri politik Reza Qoli Shir Mohammadi mbetet i burgosur edhe pse vuan nga kanceri i mëlçisë.
Shir Mohammadi, 65 vjeç, mbahet aktualisht në burgun e Tabriz-it. Ai është në gjendje të keqe shëndetësore, e cila është përkeqësuar këtë javë.
Burime të informuara thonë se Z. Shir Mohammadi është sëmurur me kancer në mars 2020 dhe ka nisur kimioterapinë. Por në dhjetor 2020, atë e arrestuan dhe e burgosën, dhe kjo gjë ia ka përkeqësuar sëmundjen.
Kohët e fundit është zbardhur fakti se qeveria amerikane ka qenë duke ndjekur penalisht një shkencëtar politik dhe ekspert të vetë-deklaruar të marrëdhënieve ndërkombëtare me emrin Kaveh Lotfolah Afrasiabi, sipas Aktit të Regjistrimit të Aseteve të Huaja. Dokumentet e akuzave tregojnë se ai ka marrë mbi 265,000 dollarë pagesa përmes Misionit të Përhershëm të Iranit në Kombet e Bashkuara, për punë që ka promovuar narrativat e regjimit iranian tek politikë-bërësit dhe mediat amerikane.
Kjo punë raportohet të jetë zhvilluar gjatë 13 viteve, dhe natyrisht lind pyetja pse lidhjet e fshehta të Afrasiabi me regjimin iranian nuk janë zbuluar më herët. Por për ata që e njohin mirë funksionimin e rrjeteve të fshehta të ndikimit të Iranit në Perëndim, vonesa e gjatë në arrestimin e tij nuk është edhe aq e habitshme. Dihet që shënjestrat e këtij ndikimi kanë qenë naivë në mënyrën se si janë sjellë ndaj personave që promovojnë narrativat pro-Iran, duke e marrë shpesh të mirëqenë se ata operojnë në mënyrë të pavarur edhe atëherë kur ka prova të shumta për shkelje të FARA.
Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), i cili është vetë shënjestër e shpeshtë e propagandës iraniane që përhapet përmes mediave perëndimore, e ka vënë në dukje menjëherë këtë situatë pas raportimit se Afrasiabi kishte dalë për herë të parë përpara një gjykate federale amerikane. “Fatkeqësisht, gjatë tre dekadave të fundit, regjimi iranian ka drejtuar një rrjet të gjerë agjentësh e operativësh, shumë prej të cilëve kanë qenë persona amerikanë, në shkelje të qartë të ligjit amerikan,” shpjegon Alireza Jafarzadeh, zëvendës drejtori i zyrës së NCRI-së në Uashington.
Natyrisht, NCRI ka nxjerrë paralajmërime të shumta lidhur me këtë rrjet gjatë viteve, duke u përpjekur gjithashtu t’i kundërvihet kësaj propagande, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë e supozuar politike të regjimit iranian dhe mungesën e supozuar të kundërshtimit ndaj sundimit të tij brenda vendit.
Kjo narrativë filloi të minohej në mënyrë serioze nga fundi i vitit 2017 me shpërthimin e një kryengritjeje mbarëkombëtare kundër diktaturës teokratike, kryengritje prej të cilës rrodhën edhe dy të mëpasshme dhe një larmi protestash më të vogla përpara shpërthimit të pandemisë së koronavirusit. Por pavarësisht gjithë kësaj, diskursi perëndimor për sa i përket regjimit iranian mbetet ende tepër i prirur ndaj idesë se politikë-bërësit nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të negociojnë me qeverinë ekzistuese iraniane me mendimin se nuk ka alternativë tjetër të arsyeshme ndaj kësaj qeverie.
Forcat iraniane të sigurisë kanë thirrur dhe arrestuar dhjetëra aktivistë iraniano-kurdë gjatë dy javëve të fundit, në një valë të re arrestimesh në Iranin perëndimor.
Sipas Agjencisë së Lajmeve për të Drejtat Njerëzore, 32 burra dhe gra janë thirrur apo arrestuar gjatë ditëve të fundit nga agjentët e sigurisë apo institucionet e sigurisë në Mahabad, Bukan, Piranshahr, dhe Naqadeh në provincën veri-perëndimore Azerbaixhan Perëndimor, Sarvabad, Sanandaj, dhe Saqqez në provincën perëndimore Kurdistan, dhe Kermanshah e Paveh në Iranin perëndimor.
Raporti thotë se disa nga këta aktivistë kurdë i kanë rrahur brutalisht pas arrestimit dhe se agjentët nuk kishin urdhër-arreste.
Këtyre qytetarëve u janë bastisur shtëpitë, dhe u janë konfiskuar sendet personale.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Iranit, rreth 60,000 qytetarë të vendit kanë humbur jetën deri tani nga pandemia e koronavirusit. Ky është një numër tronditës për një popullsi prej rreth 82 milion, dhe është gjithashtu një keqraportim drastik. Grupi kryesor i opozitës demokratike të Iranit, Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (MEK ose PMOI), ka analizuar në mënyrë të pavarur regjistrat e spitaleve dhe morgjeve si dhe deklaratat e dëshmitarëve okularë dhe ka arritur në përfundimin se bilanci aktual i vdekjeve është mbi 204,000.
Zyrtarët iranianë as nuk e patën deklaruar fare se koronavirusi i ri kishte mbërritur në Iran përpara fundit të shkurtit – pasi kishin mbaruar organizimet e festimeve të 40-vjetorit të regjimt – por dokumentet e Organizatës së Emergjencave Kombëtare të Iranit tregojnë se rastet e para ishin identifikuar përpara fundit të 2019-ës, duke u lënë kohë të mjaftueshme autoriteteve që t’i anullonin grumbullimet masive të njerëzve.
Të paktën 33 njerëz janë ekzekutuar në Iran brenda 30 ditëve të fundit. Autoritetet e regjimit iranian vazhdojnë me vrasjet e tyre, ndërkohë që gëzojnë atë që duket si pandëshkueshmëri sistematike. Kjo shifër nuk përfshin të burgosurit e ekzekutuar në fshehtësi dhe të cilëve nuk u njihet identiteti.
Në një tjetër zhvillim, Hadi Rostami, i dënuar me prerje gishtash, ka kryer vetëvrasje në burgun Urumaiah më 18 janar. Verdikti mesjetar ishte dhënë nëntorin e shkuar nga gjykata e regjimit në Urumaiah.
Presidenti i ashtu-quajtur “i moderuar,” Hassan Rouhani, ka në regjistrin e tij mbi 4,000 ekzekutime që kur mori detyrën në vitin 2013, duke përfshirë 111 gra.
Njëkohësisht me shtimin e veprimtarive provokative e terroriste, regjimi në Iran flet paturpësisht për bashkëpunim në Lindjen e Mesme për të siguruar paqe dhe stabilitet.
Reuters raportoi sot se Ministri i Jashtëm i regjimit iranian, Mohammad Javad Zarif, në një intervistë me të përditshmen shtetërore Etemad, ka thënë se Irani mund të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara për naftën dhe sigurinë në Gjirin Persik, …por ne “nuk do t’ju lejojmë të ndërhyni në punët e brendshme (të Iranit), por nuk kemi asnjë problem në lidhje me bashkëpunimin me ju për sa i përket naftës. Nuk kemi asnjë problem lidhur me garantimin e sigurisë së Gjirit Persik, edhe pse besojmë se prania e huaj në Gjirin Persik shkakton pasiguri dhe ju nuk duhet të jeni atje.”
Këto komente të Zarif vijnë në një kohë kur Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të regjimit iranian ka kryer disa stërvitje ushtarake brenda javëve të fundit. Të premten më 15 janar, IRGC zbuloi raketat dhe dronet e reja të saj gjatë një manovre në Iranin qendror.
Gjeneral Brigadieri Amir Ali Hajizadeh, komandanti aerohapësinor i IRGC-së, tha në këtë shfaqje se këto “raketa janë veglat për prodhimin e pushtetit dhe sigurisë për popullin iranian.”