Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI-MEK) shpalli mbasditen e sotme, 14 gusht 2020, se Koronavirusi ua ka marrë jetën mbi 88,400 njerëzve në 379 qytete të Iranit. Numri i vdekjeve në provinca të ndryshme është: 21,735 në Teheran, 6102 në Khuzestan, 4180 në Mazandaran, 2494 në Fars, 2484 në Golestan, 2155 në Kermanshah, 1148 në Hormozgan, 107 në Semnan, 1091 në Markazi (Qendër), 1040 në Ardabil, dhe 710 në Ilam. Kjo është përveç raporteve të marra nga provincat e tjera.
Iran, 12 gusht 2020—E përditshmja shtetërore Asre Iran publikoi të martën një artikull me titull “Nitrati i Disidencës—Duhet të kemi kujdes që Irani të mos bëhet Beiruti i radhës,” ku paralajmëron për shoqërinë si fuçi baruti në vend dhe ku e krahason status quo-në në Iran me atë të Beirutit dhe të të gjithë Libanit. Disidenca tek populli iranian po bëhet shumë e ngjashme me nitratin e amoniakut që ishte akumuluar në portin e Beirutit dhe mund të shpërthejë në çdo moment, thotë artikulli.
Ky shkrim i Asre Iran paraqet shqetësimet e mëdha që po përshkallëzohen tek zyrtarët e regjimit, lidhur me natyrën shpërthyese të shoqërisë së Iranit, sidomos të të rinjve. “Nitrati i amoniakut i grumbulluar në doganën e Beirutit kishte vite që mblidhte pluhur në Magazinën 12 dhe askush nuk i kushtonte vëmendje. Shumë madje e kishin harruar faktin që një bombë 2,750-tonëshe ishte e vendosur mu pranë tyre dhe kalonin atje të shkujdesur ditë pas dite,” vazhdon shkrimi.
“Papritmas, megjithëse me një shkëndijë të vogël që veproi si katalizator, ajo magazinë e heshtur u shndërrua në një shpërthim të përbindshëm dhe Beiruti, me gjithë shkëlqimin dhe bukurinë e tij, u shkatërrua në pak sekonda. Kjo është shumë e ngjashme me historinë tonë dhe me magazinën e madhe në Iran e cila mund të shpërthejë në çdo çast dhe të rrafshojë gjithçka brenda pak sekondash.
Deklaratat e fundit publike nga zyrtarët e regjimit iranian kanë qenë goxha të drejtpërdrejta në një mënyrë të pazakontë, lidhur me rreziqet ndaj mbajtjes së pushtetit prej tyre. Në grumbullimet për lutjet e së premtes në qytetet kryesore në fund të korrikut, përfaqësuesit lokalë të Udhëheqësit Suprem të regjimit, Ali Khamenei, e morën në shënjestër të veçantë Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI / MEK), duke i paralajmëruar elementët e regjimit që të jenë vigjilentë ndaj veprimeve të mëtejshme të “Njësive të Rezistencës” të MEK. Por duke folur kështu, ata treguan edhe frikën që kanë nga alternativa e vlefshme ndaj regjimit.
Ky do të ishte një shpjegim për një shpërthim veprimtarish nga të rinjtë e rebeluar, që ka koinçiduar pak a shumë me këto fjalime të të premteve. Që nga java e fundit e korrikut e gjatë javës së parë të gushtit, të rinjtë e rebeluar në disa pjesë të Iranit kanë filmuar veten në vende publike duke djegur foto të Ali Khamenei-t e të zyrtarëve të tjerë udhëheqës. Disa madje u kanë vënë flakën imazheve të Khamenei-t dhe themeluesit të regjimit Ruhollah Khomeini në billboard-e, ose kanë ndezur zjarre pranë mureve të ndërtesave që i përkasin forcave represive si Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Veprime të tilla të drejtpërdrejta kundër autoriteteve të regjimit bëhen edhe më domethënëse nga fakti që komuniteti aktivist i Iranit ka pësuar kohët e fundit atë që mund të quhet rasti më i rëndë i represionit qeveritar që në vitet 1980. Nëntorin e shkuar, MEK luajti rol kyç në një kryengritje spontane mbarëkombëtare kundër regjimit. Pjesëmarrësit në rreth 200 qytete përdorën sërish slloganet që kishin karakterizuar një tjetër kryengritje mbarëkombëtare të ngjashme në janar 2018, duke mos lënë asnjë dyshim lidhur me miratimin e tyre për një platformë të ndryshimit të regjimit. Në panik nga dështimi i tij i mëparshëm në shtypjen e këtij mesazhi, regjimi dërgoi IRGC-në që të hapte zjarr mbi turmat e protestuesve paqësorë, duke vrarë afërsisht 1,500 njerëz brenda pak ditësh.
Këto masa të egra me sa duket ia dolën ta shtynin lëvizjen anti-qeveritare nën tokë sërish, por jo për një kohë të gjatë. Në janar shpërthyen edhe një herë protesta masive publike në disa provinca iraniane, pasi autoritetet e regjimit ishin përpjekur ta fshehnin përgjegjësinë e IRGC-së për rrëzimin e një avioni të Ukraine International Airlines, ngjarje që solli vdekjen e 176 njerëzve. Ashtu si në rastet e dy kryengritjeve të mëparshme, fokusi fillimisht i ngushtë i demonstratave të janarit më pas u zëvendësua me mospajtim ndaj regjimit në tërësi, dhe ndaj praktikave të një kohe të gjatë, të cilat e bënë të mundur një incident të tillë.
Me çdo varg të ri protestash, iranianët tregojnë se po bëhen gjithnjë e më të vetëdijshëm për përbuzjen e natyrshme që regjimi ka për të drejtat njerëzore. Dhe si pionierë të këtyre përpjekjeve, njësitë e rezistencës të MEK janë të vetëdijshme në mënyrë unike për këtë karakteristikë. Ky fakt theksohet qartë në disa nga regjistrimet e bëra nga këta aktivistë gjatë javëve të fundit, si dhe në graffiti-t shoqëruese që sjellin në vëmendje krimet e pandëshkuara nga e kaluara e regjimit.
Në disa mure ka shkrime që mund të përkthehen si: “Vrasja masive është simptoma kryesore e virusit të mullahëve.” Në disa shkrime të tjera nënvizohen raste specifike, veçanërisht masakra ndaj të burgosurve politikë e cila ndodhi në verën dhe vjeshtën e 1988-ës. Në atë kohë, me urdhër të Khomeini-t, sistemi gjyqësor krijoi “komisione të vdekjes” të cilat do t’i merrnin në pyetje disidentët lidhur me pikëpamjet dhe lidhjet e tyre, dhe më pas do t’i ekzekutonin të gjithë ata që vazhdonin ta kundërshtonin autoritetin e regjimit, apo vazhdonin të ishin simpatizantë të MEK. Pas disa muajsh, numri i vdekjeve arriti në mbi 30,000, dhe shumë viktima u hodhën në varre të fshehta masive.
Shitja e naftës popullit iranian vetëm sa do ta shtojë presionin mbi të
Pas pak ditësh mburrjeje për një “lehtësirë ekonomike,” presidenti i regjimit Hassan Rouhani shpalli planin e tij: t’i shesë naftë popullit iranian.
Për shkak të situatës aktuale ekonomike të Iranit, kjo gjë vetëm sa do ta shtojë presionin mbi popullin. Me fjalë të tjera, pas 40 vitesh plaçkitjeje të pasurisë kombëtare, dhe ndërkohë që populli iranian po lufton me varfërinë, regjimi i Iranit do t’ia marrë popullit edhe ato qindarka që i kanë mbetur.
Sipas faqes shtetërore Donya-e Eghtesad: “Qeveria dëshiron të shesë paraprakisht 220 milion fuçi naftë në një vit në formën e ofertës së ‘kontratave paralele të ardhshme të naftës’ çmimi i të cilave përcaktohet duke u bazuar në sistemin zyrtar të qeverisë për kursin e këmbimit. Kjo shifër është e barasvlefshme me 600,000 fuçi në ditë shitje në një vit dhe rreth gjashtë herë më shumë se vlera e shitjeve të naftës iraniane në pesë muajt e parë të këtij viti.”
Ky veprim, ndryshe nga propaganda e regjimit, ka për qëllim vetëm mbushjen e xhepave të mullahëve dhe të grupeve terroriste proksi të tyre. Regjimi iranian ka ndërmend t’ia shesë naftën, e cila është një burim kombëtar, popullit iranian, duke i privuar kështu brezat e tanishëm e të ardhshëm nga burimet më të çmueshme natyrore të tyre dhe nga një burim i madh të ardhurash.
Është asfiksimi ekonomik i regjimit dhe nevoja e tij për para për të financuar grupet terroriste proksi dhe forcat represive brenda Iranit që i ka nxitur mullahët të marrin një vendim kaq kriminal. Ekonomia e regjimit, e cila është e varur nga nafta, është dërrmuar nën peshën e sanksioneve ndërkombëtare, që janë vënë për shkak të veprimtarive të paligjshme të regjimit.
Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI-MEK) shpalli mbasditen e sotme, 12 gusht 2020, se koronavirusi ua ka marrë jetën mbi 87,300 njerëzve në 373 qytete të Iranit. Numri i vdekjeve në provinca të ndryshme është: 21,740 në Teheran, 6388 në Khorasan Razavi, 6042 në Khuzestan, 4099 në Mazandaran, 3828 në Isfahan, 3677 në Gilan, 2500 në Azerbaixhan Lindor, 1090 në Semnan, 1050 në Bushehr, 1043 në Markazi (Qendër), 1025 në Ardabil, 990 në Yazd, 821 në Zanjan, 736 Qazvin, 690 në Ilam, 577 në Chaharmahal & Bakhtiari, 485 në Kohgiluyeh & Boyer Ahmed, dhe 444 në Khorasan Jugor. Kjo është përveç raporteve të marra nga provincat e tjera.
Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI)
Udhëheqësja e opozitës iraniane Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), i ka drejtuar një thirrje urgjente komunitetit ndërkombëtar që të bëjë një përpjekje të përqendruar për t’ua shpëtuar jetën protestuesve të arrestuar gjatë kryengritjeve të fundit, të cilët janë dënuar me vdekje dhe gjenden përballë ekzekutimit. Ka një numër të burgosurish politikë të cilëve u rrezikohet jeta në këtë mënyrë.
NCRI i ka bërë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut dhe Këshillit të të Drejtave Njerëzore, si dhe organizatave të tjera që mbrojnë të drejtat e njeriut që të marrin masa urgjente me qëllimin për të parandaluar dënimin kriminal me vdekje që është dhënë për Hossein Reihani-n. Ky i burgosur politik është arrestuar gjatë kryengritjes së nëntorit 2019 në Iran.
Agjentët e inteligjencës të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e arrestuan Reihani-n më 7 dhjetor 2019, në shtëpinë e tij në qytetin Eslam-shahr pranë kryeqytetit iranian Teheran.
Raporte të reja protestash nga pjesë të ndryshme të Iranit
Foto të punëtorëve të industrisë iraniane petrokimike, të naftës dhe gazit natyror në grevë
Njerëz nga pjesë të ndryshme të shoqërisë iraniane po zhvillojnë protesta për të kërkuar rrogat dhe pensionet që u janë vonuar.
Të martën, protesta mbarëkombëtare e punëtorëve në industritë iraniane petrokimike, të naftës dhe të gazit natyror vazhdoi për të njëmbëdhjetën ditë rresht.
Sipas raporteve, rafineria Bidkhoon dhe Iran Ring of Industry Company janë mbyllur plotësisht. Edhe Kompania Tanesh Gostar është në grevë. Gjithashtu, edhe punëtorët e kompanive Omran Sanat, Farzin Moradi, Rugby Pouya, Gil Sanat dhe Kayhan Pars janë në grevë.
Një grup infermierësh të spitaleve të Urmia-s, në Iranin veri-perëndimor, u grumbulluan para zyrës së guvernatorit të hënën, më 10 gusht, për të protestuar ndaj faktit që rrogat u janë vonuar për disa muaj.
Protestuesit thanë që orët e punës u janë shtuar nga 160 orë në muaj në 175 orë në muaj, pa iu rritur rrogat. Çdo infermier detyrohet tani të punojë 50 orë të detyrueshme jashtë orarit në muaj.
Gjithashtu të hënën, punëtorët me kontratë të Kompanisë së Ujit dhe Ujërave të Zeza në Ahvaz u grumbulluan jashtë ndërtesës së kompanisë për të protestuar ndaj vonesave në dhënien e rrogave.
Punonjësit e Planit të Reformës së Sistemit Shëndetësor u grumbulluan përpara Zyrës së Guvernatorit të Khuzestan të hënën. Mes kërkesave të këtyre demonstruesve janë implementimi i planit të klasifikimit të punës, pagesat e rregullta të rrogave, ndryshimi i statusit dhe eliminimi i kompanive kontraktuese.
Dështojnë përpjekjet e dëshpëruara të regjimit iranian për ta heshtur zërin e rezistencës
Mbrëmjen e së dielës, më 10 gusht, faqja zyrtare në internet e Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI / MEK) u sulmua në mënyrë të vazhdueshme nga ushtria kibernetike e regjimit klerikal duke filluar nga ora 10:50 e mbrëmjes, CEST. Këto sulme të egra, që vazhdojnë edhe sot, janë zmbrapsur dhe përpjekja e dëshpëruar kibernetike e mullahëve për të bllokuar aksesin e përdoruesve në faqen e Mojahedin-e Khalq ka dështuar.
Regjimi klerikal i kryen sulmet e tij kibernetike duke përdorur qindra IP dhe server-a për të bërë një sulm DDoS me në shënjestër faqen e MEK. Në këto sulme, me referenca masive e artificiale, ushtria kibernetike e IRGC-së dhe e ministrisë së inteligjencës të regjimit klerikal është përpjekur t’i saturojë server-at e faqes së MEK dhe ta bëjë atë të paaksesueshme nga përdoruesit. Një përpjekje që u bllokua nga ‘firewalls’ të server-it dhe nuk pati asnjë problem në aksesimin e faqes.
Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI-MEK) shpalli mbasditen e sotme, 11 gusht 2020, se Koronavirusi ua ka marrë jetën mbi 86,700 njerëzve në 373 qytete të Iranit. Numri i vdekjeve në provinca të ndryshme është: 5987 në Khuzestan, 4370 në Qom, 4074 në Mazandaran, 3527 në Lorestan, 2721 në Sistan dhe Baluchistan, 2425 në Fars, 2397 në Glestan, 2110 në Kermanshah, 1327 në Kerman, 1317 në Khorasan Verior, 1323 në Kerman, dhe 1185 në Hormozgan. Kjo është përveç raporteve të marra nga provincat e tjera.
Në përpjekje të dëshpëruar për të parandaluar kryengritjet popullore duke frikësuar e terrorizuar publikun, fashizmi fetar që sundon Iranin është duke dhënë dënime me vdekje për protestuesit e arrestuar dhe të burgosurit politikë.
Një gjykatë në Islamshahr, në jug të Teheranit, ia ka referuar çështjen e Hossein Reyhani-t Gjykatës Supreme për një vendim përfundimtar. Ai akuzohet për Moharebeh (luftë kundër Zotit), për pjesëmarrjen e tij në kryengritjen e nëntorit 2019. Reyhani u arrestua kur agjentët e Organizatës së Inteligjencës të Gardës Revolucionare ia bastisën shtëpinë në Islamshahr më 22 nëntor 2019. Ai është marrë në pyetje dhe është torturuar në Qendrën e Paraburgimit të Inteligjencës të Gardës Revolucionare në burgun Evin dhe më pas është transferuar në Burgun e Teheranit të Madh (Fashafuyeh).
Javët e fundit, Gjykata Supreme e mullahëve ka miratuar dënimet me vdekje për tetë të burgosur politikë në Teheran dhe Isfahan, por regjimi është detyruar ta pezullojë implementimin e këtyre dënimeve për shkak të fushatave “Jo ekzekutimit” dhe “heqje e menjëhershme e dënimit me vdekje”.
Ndërkohë, më 5 gusht, Mustafa Salehi, një protestues i burgosur, u ekzekutua për pjesëmarrjen e tij në kryengritjen e dhjetor 2017-janar 2018.
Të enjten, më 6 gusht, Gjykata Supreme miratoi dënimin me vdekje për të burgosurin politik Haidar Ghorbani nga Kamyaran, dhe çështja e tij iu referua “Sektorit të Zbatimit të Gjykatës në Sanandaj.” Ai është arrestuar në 2016-ën nga Ministria e Inteligjencës dhe është torturuar për një kohë të gjatë.
Dy të burgosur politikë kurdë, Houshmand Alipour (nga Sardasht) dhe Mohammad Ostad Qader (nga Saqez), të cilët kanë qenë në burg që në gusht 2018, janë dënuar gjithashtu me vdekje nga një gjykatë në Sanandaj në janar 2018.
Në një tjetër zhvillim, disa të burgosur Sunni në Iranin lindor janë dënuar me vdekje nga gjykata revolucionare e Mashhad, të akuzuar si “Mohareb,” dhe dënimet i janë referuar Gjykatës Supreme të mullahëve për miratim.
Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), nxit Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Komisioneren e Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, si dhe organizata e organe të tjera që mbrojnë të drejtat njerëzore, që të veprojnë menjëherë për t’i anulluar këto dënime me vdekje dhe për t’ua shpëtuar jetën të burgosurve. Ajo përsërit nevojën për dërgimin e një delegacioni ndërkombëtar të gjetjes së fakteve në Iran, për të vizituar burgjet dhe të burgosurit iranianë, sidomos të burgosurit politikë.
Znj. Rajavi shtoi: Fashizmi fetar që sundon Iranin duhet të dënohet fuqishëm dhe të dëbohet nga komuniteti ndërkombëtar për përdorimin e vazhduar të torturës dhe ekzekutimeve arbitrare, sidomos ndaj të burgosurve politikë, dhe për shkeljet e tij brutale e sistematike të të drejtave njerëzore.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Taskforcës së Koronavirusit të dielën, Presidenti i regjimit iranian Hassan Rouhani përmendi se është nën presion lidhur me zhvillimin e ceremonive të Muharram-it dhe të tubimit të përvitshëm të zisë për Hossein ibn Ali, nipin e Profetit Muhamed.
“Më kanë shkruar se ceremonia e Hajj, e cila është e detyrueshme (në traditat islamike), nuk u mbajt këtë vit, por ju këmbëngulni që të zhvillohen ceremonitë e zisë për Imamin Hossein, gjë që nuk është e detyrueshme,” tha Rouhani. “Nëse themi që nuk duhet të ketë ceremoni zie në muajin Muharram, nuk do të ishte e drejtë dhe do të ishte e padurueshme për shoqërinë tonë… kjo ia copëton zemrën popullit tonë… mund të mbajmë zi, por me turma më të vogla.”
Protesta e kundërshtime, edhe brenda regjimit
Në kontrast me këmbënguljen e Rouhani-t dhe Liderit Suprem të regjimit Ali Khamenei, stafet mjekësore janë kundër zhvillimit të ceremonive të zisë të Muharram-it dhe disa anëtarë të Komitetit të Taskforcës së Koronavirusit kanë paralajmëruar se ceremonitë e zisë nuk përputhen me protokollet e Covid-19.
Minou Mohrez, një anëtare e Komitetit, tha: “Protokollet nuk do ta parandalojnë përhapjen e COVID-19 gjatë ceremonive të zisë të Muharram-it. Me maska nuk mund ta parandalojmë përhapjen e virusit gjatë muajit Muharram.”