Në përpjekje të dëshpëruar për të parandaluar kryengritjet popullore duke frikësuar e terrorizuar publikun, fashizmi fetar që sundon Iranin është duke dhënë dënime me vdekje për protestuesit e arrestuar dhe të burgosurit politikë.
Një gjykatë në Islamshahr, në jug të Teheranit, ia ka referuar çështjen e Hossein Reyhani-t Gjykatës Supreme për një vendim përfundimtar. Ai akuzohet për Moharebeh (luftë kundër Zotit), për pjesëmarrjen e tij në kryengritjen e nëntorit 2019. Reyhani u arrestua kur agjentët e Organizatës së Inteligjencës të Gardës Revolucionare ia bastisën shtëpinë në Islamshahr më 22 nëntor 2019. Ai është marrë në pyetje dhe është torturuar në Qendrën e Paraburgimit të Inteligjencës të Gardës Revolucionare në burgun Evin dhe më pas është transferuar në Burgun e Teheranit të Madh (Fashafuyeh).
Javët e fundit, Gjykata Supreme e mullahëve ka miratuar dënimet me vdekje për tetë të burgosur politikë në Teheran dhe Isfahan, por regjimi është detyruar ta pezullojë implementimin e këtyre dënimeve për shkak të fushatave “Jo ekzekutimit” dhe “heqje e menjëhershme e dënimit me vdekje”.
Ndërkohë, më 5 gusht, Mustafa Salehi, një protestues i burgosur, u ekzekutua për pjesëmarrjen e tij në kryengritjen e dhjetor 2017-janar 2018.
Të enjten, më 6 gusht, Gjykata Supreme miratoi dënimin me vdekje për të burgosurin politik Haidar Ghorbani nga Kamyaran, dhe çështja e tij iu referua “Sektorit të Zbatimit të Gjykatës në Sanandaj.” Ai është arrestuar në 2016-ën nga Ministria e Inteligjencës dhe është torturuar për një kohë të gjatë.
Dy të burgosur politikë kurdë, Houshmand Alipour (nga Sardasht) dhe Mohammad Ostad Qader (nga Saqez), të cilët kanë qenë në burg që në gusht 2018, janë dënuar gjithashtu me vdekje nga një gjykatë në Sanandaj në janar 2018.
Në një tjetër zhvillim, disa të burgosur Sunni në Iranin lindor janë dënuar me vdekje nga gjykata revolucionare e Mashhad, të akuzuar si “Mohareb,” dhe dënimet i janë referuar Gjykatës Supreme të mullahëve për miratim.
Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), nxit Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Komisioneren e Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, si dhe organizata e organe të tjera që mbrojnë të drejtat njerëzore, që të veprojnë menjëherë për t’i anulluar këto dënime me vdekje dhe për t’ua shpëtuar jetën të burgosurve. Ajo përsërit nevojën për dërgimin e një delegacioni ndërkombëtar të gjetjes së fakteve në Iran, për të vizituar burgjet dhe të burgosurit iranianë, sidomos të burgosurit politikë.
Znj. Rajavi shtoi: Fashizmi fetar që sundon Iranin duhet të dënohet fuqishëm dhe të dëbohet nga komuniteti ndërkombëtar për përdorimin e vazhduar të torturës dhe ekzekutimeve arbitrare, sidomos ndaj të burgosurve politikë, dhe për shkeljet e tij brutale e sistematike të të drejtave njerëzore.