Masa të ashpra ndaj grave që shpërfillin mbulimin e kokës
Një anëtar i parlamentit të regjimit ka bërë thirrje që Forcat e Sigurisë së Shtetit t’i intensifikojnë masat e ashpra ndaj grave, si reagim ndaj kundërshtimit të tyre të hapur për mbulimin e detyrueshëm.
“Përveç promovimit të kulturës (së Hijab-it), luftimi i grave që e heqin Hijab-in kërkon aksion nga forcat e Sigurisë së Shtetit,” tha Ali Akbar Karimi, anëtar i parlamentit të regjimit nga Arak, duke bërë thirrje për një shtypje edhe më të egër ndaj grave.
Duke iu referuar kundërshtimit gjithnjë e më të hapur ndaj mbulimit të detyrueshëm në publik, ai tha: “Ka gjithnjë e më shumë shembuj grash që e shpërfillin mbulimin haptazi dhe, për shkak se ato nuk ndëshkohen, këto sjellje janë bërë prevalente në shoqëri.”
Iran: Përditësim Lidhur me Koronavirusin, Mbi 62,100 Vdekje, 28 qershor 2020,
Drejtori i shërbimeve shëndetësore të regjimit në Borujerd: 50 përqind e popullit iranian në prag të infektimit me koronavirus, tre-katër përqind e të cilëve do të vdesin, d.m.th., një deri në dy milion njerëz
Ministria e Shëndetësisë e ka shpallur numrin e vdekjeve në 24 orët e fundit si 144, numri më i lartë në 85 ditë.
Ministria e Shëndetësisë: Pacientët e identifikuar me koronavirus jashtë spitaleve janë dhjetë herë më shumë se ata që konstatohen në spitale
Asnjë spital në Teheran nuk është pa virus, dhe të gjitha spitalet po përballen me koronavirusin
Iraj Harirchi, Zëvendës Ministër i Shëndetësisë: 11 qytete në Azerbaixhanin Perëndimor janë të kuqe. Pas rihapjes, kemi vënë re një rritje në numrin e pacientëve
Televizioni i regjimit: Me shtimin e madh të shtrimeve në spitale, spitalet e Isfahan-it kanë hyrë në një tjetër fazë kritike. Pacientët shtrohen nëpër korridore.
Një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë të regjimit tha në një deklaratë se 144 njerëz kanë vdekur gjatë 24 orëve të fundit, numri më i lartë në 85 ditë, dhe se 2,946 pacientë janë vënë në terapi intensive, numri më i lartë në javët e fundit. Ndërkohë, drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Sëmundjeve Infektive në Ministrinë e Shëndetësisë tha për të përditshmen shtetërore Aftab më 28 qershor: “Sot, pacientët e identifikuar me koronavirus jashtë spitaleve janë dhjetë herë më shumë se ata që janë identifikuar në spitale … Është e paparashikueshme se çfarë do të ndodhë nëse Koronavirusi do të koinçidojë me gripin e zakonshëm në stinën e ftohtë.”
Prof. Dr. Rita Süssmuth, Kryetare e Bundestagut Gjerman (1988-1998), dhe ish-Ministre Federale, dha një mesazh solidariteti në Konferencën Ndërkombëtare në Ashraf 3, me rastin e 40-vjetorit të fillimit të Rezistencës Iraniane. Në një pjesë të mesazhit të saj, Prof. Süssmuth tha:
Kur mendoj për jetën tuaj, bëhet e qartë që po shohim shembuj që tregojnë një tjetër lloj përqasjeje në marrëdhëniet mes grave dhe burrave.
Jetesa në partneritet dhe barazi, në mënyrë të tillë që bëhet e mundshme për gratë të gëzojnë një status ndryshe në shoqëri, një nivel tjetër vlerësimi që ka munguar për një kohë të gjatë dhe që ende nuk ekziston në disa shtete.
Para se ta shohësh dikë si burrë apo grua, duhet ta shohësh atë si një qenie njerëzore. Stereotipet e mashkullit të fortë dhe femrës së dobët nuk do të ishin më të besueshme pasi të dy janë qenie njerëzore.
Message of Prof. Dr. Rita Süssmuth to the International Conference at Ashraf 3
Guvernatori provincial i Teheranit shpalli të mërkurën se pragu i varfërisë në këtë provincë ka arritur në 45 milion rial.
Anoushiravan Mohseni Bandepi tha: “Nuk duhet të shikojmë pragun kombëtar të varfërisë. Duhet ta konsiderojmë atë sipas provincave dhe në këtë mënyrë, në Teheran, kemi një prag varfërie prej 45 milion rialësh. Këta njerëz përfshijnë kryesisht nënat beqare.”
Ai u përpoq ta zbuste seriozitetin e problemit duke thënë: “Natyrisht, jo të gjitha këto gra janë nevojtare. Nga 8.31 milion familjet që janë në tre grupet më ulëta të shoqërisë, 2,379,851 prej tyre, që do të thotë 29 përqind, janë gra beqare. Gjithashtu, 191,149 familje në Teheran drejtohen nga nëna beqare dhe përfshihen në tre grupet më të ulëta të shoqërisë.”
Kryegjyqtari i Isfahan-it: MEK duhet ta dijë që, nëse ndodh një shkelje [kryengritje] si ato të 2009-ës, 2017-2018 dhe nëntorit të shkuar, ne do të përgjigjeshim me vendosmëri. Verdikti për “korrupsion mbi tokë” është miratuar për tetë raste të lidhura me incidentet e përmendura
Nga frika e mundësisë së protestave dhe kryengritjeve të gjera si dhe e veprimtarive të Njësive të Rezistencës që e thyejnë atmosferën e terrorit dhe frikësimit të regjimit, diktatura fetare në pushtet po përpiqet dëshpërimisht të parandalojë një tjetër kryengritje popullore duke krijuar një atmosferë frike me anë të ekzekutimeve, dënimeve me burgim të gjatë, dhe arrestimit të të rinjve.
Dje, Mohammad Reza Habibi, kreu i Departamentit të Drejtësisë të regjimit klerikal në Isfahan, shprehu frikën e tij për një kryengritje tjetër. “Le ta dinë kukullat e Mujahedin-e Khalq (MEK/ PMOI) se, nëse diçka shkon keq, ashtu siç ndodhi në 2009-ën, në dhjetor 2017 – janar 2018, dhe në nëntor të vitit të shkuar, ne do të përgjigjemi me vendosmëri … Verdikti për ‘korrupsion mbi tokë’ është miratuar për tetë raste të lidhura me incidentet e përmendura,” citohet të ketë thënë ai, sipas agjencisë së lajmeve Mehr, sot. “Korrupsion mbi Tokë” është sajuar nga regjimi dhe ndëshkohet me vdekje.
Në një tjetër zhvillim, Nasruddin Salehi, Prokurori Publik i regjimit në Shahinshahr dhe Meymeh, foli sot për agjencinë zyrtare të lajmeve ISNA, dhe tregoi për dënimet me vdekje dhe burgim ndaj atyre që ai i quajti autorë vjedhjesh të armatosura dhe lider të trazirave të nëntorit të shkuar të cilët “shkatërruan pronat publike me plane të parapërgatitura me detaje.” Ai shtoi: “Verdikti do të ekzekutohet pas miratimit përfundimtar nga prokuroria.” Ai paralajmëroi gjithashtu se: “përhapja e gënjeshtrave, me ose pa qëllim, trazimi i publikut me anë të sistemit dixhital apo të telekomunikacionit, do të ndëshkohen me 91 ditë deri në dy vite burg ose me xhobë ose të dyja.”
Më herët, të burgosurit politikë Amir Hossein Moradi, 26 vjeç, Saeed Tamjidi, 28 vjeç, dhe Mohammad Rajabi, 26 vjeç, u arrestuan për pjesëmarrje në kryengritjen e nëntorit dhe u dënuan me vdekje pasi ishin torturuar për një kohë të gjatë. Tani ata janë në rrezik ekzekutimi.
Në të njëjtën kohë, Ministria e Inteligjencës, Organizata e Inteligjencës e IRGC-së dhe shërbime të tjera represive kanë arrestuar, thirrur, dhe kërcënuar një numër të madh të rinjsh, mbështetësish, dhe familjarësh të MEK në Teheran e provinca të tjera, si Gilan, Kermanshah, dhe Khuzestan. Gjithashtu, forcat e inteligjencës dhe sigurisë kanë kontaktuar shumë të rinj në qytete të ndryshme, duke i paralajmëruar ata që të mos kontaktojnë me MEK dhe duke i kërcënuar me pasojat e një gjëje të tillë.
Rezistenca Iraniane bën thirrje për veprim të menjëhershëm nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Këshillit të të Drejtave Njerëzore të OKB-së dhe Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut, si dhe nga raportuesit përkatës e organizata të tjera që mbrojnë të drejtat njerëzore, për të shpëtuar jetët e të burgosurve politikë në Iran. Rezistenca përsërit thirrjen e Znj. Maryam Rajavi, Presidentes së zgjedhur të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), për formimin e një delegacioni ndërkombëtar të gjetjes së fakteve i cili të vizitojë burgjet iraniane dhe të takohet me të burgosurit, sidomos të burgosurit politikë.
Thesari Amerikan, në një njoftim për shtyp, ka shpallur se ka sanksionuar katër kompani çeliku, alumini dhe hekuri që operojnë brenda sektorit të metaleve të regjimit iranian
Të enjten, Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) në Departamentin e Thesarit të Shteteve të Bashkuara, në një njoftim për shtyp, shpalli se ka sanksionuar katër kompani çeliku, alumini dhe hekuri që operojnë brenda sektorit të metaleve të regjimit iranian, duke përfshirë një degë të Kompanisë së Çelikut Mobarakeh — që është prodhuesi më i madh i çelikut në Iran.
Thesari amerikan ka sanksionuar gjithashtu një agjent shitjesh me bazë në Gjermani dhe tre agjentë shitjesh me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe për faktin që janë në pronësi apo nën kontrollin e Kompanisë së Çelikut Mobarakeh.
Sipas Thesarit Amerikan, këto sanksione të reja ndikojnë në “të gjitha pronat dhe interesat në pronat e këtyre personave që janë në Shtetet e Bashkuara apo në zotërimin apo kontrollin e personave amerikanë,” dhe marrëveshjet “duhet të bllokohen dhe t’i raportohen OFAC-së. Rregulloret e OFAC përgjithësisht ndalojnë çdo marrëveshje nga persona amerikanë apo brenda (apo që kalojnë përmes) Shteteve të Bashkuara të cilat përfshijnë prona apo interesa në pronat e personave të bllokuar apo të etiketuar, përveç rasteve kur një gjë e tillë është e liçensuar apo është bërë një përjashtim.”
Regjimi Iranian i përdor këto burime të mëdha kombëtare për të ndjekur politikat e tij luftënxitëse. Ndërkohë populli iranian po lufton me pandeminë e COVID-19, e cila deri tani ua ka marrë jetën mbi 61,000 njerëzve.
Gjykata Supreme e regjimit iranian ka miratuar dënimet me vdekje për tre të rinj të arrestuar gjatë protestave mbarëkombëtare të Iranit në 2019-ën
Gjykata Supreme e regjimit iranian ka miratuar dënimet me vdekje për tre të rinj të arrestuar gjatë protestave mbarëkombëtare të Iranit në 2019-ën. Jeta e tyre është në rrezik; prandaj komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë për ta shmangur këtë tragjedi.
Këta tre të rinj, të identifikuar si Amir-Hossein Moradi, Mohammad Rajabi dhe Saeed Tamjidi, janë akuzuar si “udhëheqës të trazirave,” siç ka thënë zëdhënësi i Drejtësisë së regjimit më 18 shkurt, dhe si rrjedhojë janë dënuar me vdekje nga Dega 15 e Gjykatës Revolucionare të regjimit në Teheran, me akuzën e “Moharebeh” apo “armiqësi ndaj Zotit.”
Amnesty International, në një aksion urgjent më 28 shkurt, pohoi se për Amir-Hossein, Mohammad dhe Saeed, “gjyqi ishte jashtëzakonisht i padrejtë. Ata nuk janë lejuar të kenë avokatë gjatë fazës së hetimit dhe thonë se janë torturuar. Amirhossein Moradi thotë se është detyruar me forcë të bëjë një ‘rrëfim’ që është transmetuar në televizionin shtetëror dhe është përdorur si provë për dënimin e tyre.”
Ata kanë thënë gjithashtu se ndaj tyre janë ushtruar forma të ndryshme torture dhe keqtrajtimesh të tjera, si goditje me shqelm, rrahje me shkopinj, dhe varje me kokë poshtë ndërkohë që i rrihnin vazhdimisht në këmbë e në shputat e këmbëve.
Lidhur me këtë, Znj. Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), i ka bërë thirrje vazhdimisht “komunitetit ndërkombëtar, sidomos Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të të drejtave njerëzore, që të ndërhyjnë menjëherë për të ndaluar ekzekutimet, për të siguruar lirimin e të burgosurve, dhe për të parandaluar një katastrofë të madhe humanitare në burgjet e Iranit.”
Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit – Komiteti për Sigurinë dhe Anti-terrorizmin
Shpërthimi ka ndodhur në sektorin e Parchin që përdoret për prodhimin e kokave të raketave balistike
Brigadier Gjeneral Davood Abdi i IRGC-së, Drejtori i Përgjithshëm i marrëdhënieve me publikun në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Logjistikës të regjimit klerikal, ka thënë: “Rreth orës 11:30 të natës apo në mesnatë, shpërtheu një depozitë gazi në zonën e përgjithshme të Parchin. Zjarri që pasoi u shua nga departamenti i zjarrit.”
Kjo është një gënjeshtër e plotë. Dëshmitarët okularë në Hamamk dhe në fshatin Nik, të cilët janë më të afërtit e zonës nga ana lindore e pikës së shpërthimit, kanë thënë se realiteti dhe ajo që ata kanë parë bie në kontradiktë me këtë deklaratë. Shumica e dritareve të shtëpive në fshatrat fqinje janë thyer, dhe muret më të vjetra kanë pësuar çarje. Një numër banorësh kanë vdekur ose janë plagosur, dhe Gjysmëhëna e Kuqe ka shkuar në vendngjarje për të ofruar ndihmë. Trafiku i krijuar nga ambulancat dhe zjarrfikëset që shkonin nga Teherani për në Pakdasht, si dhe moslejimi i banorëve të Hamamk dhe Nik të largoheshin nga zona, kanë të bëjnë me këtë shpërthim. Që në mëngjes ka patur helikopterë që qëndronin sipër zonës së shpërthimit.
Kompleksi i Parchin përbëhet nga dhjetëra fabrika ushtarake dhe qindra depo e magazina. Përveç tyre, atje ndodhen dhjetëra tunele e objekte nëntokësore.
Mbi 61,100 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi i ri në 340 qytete të shpërndara në të 31 provincat e Iranit, sipas raporteve të marra nga opozita iraniane, Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK), deri mbasditen e së enjtes, sipas orës lokale, 25 qershor. Numri zyrtar i vdekjeve i deklaruar nga regjimi është 10,130, d.m.th. rreth një e gjashta e shifrës së vërtetë.
Numri i vdekjeve në provinca të ndryshme është: 4,635 në Khuzestan, 3,815 në Qom, 3,160 në Isfahan, 3,510 në Razavi Khorasan, 2,195 në Lorestan, 1,640 në Azerbaixhanin Perëndimor, 1,220 në Fars, dhe 760 në Kerman. Kjo është përveç raporteve të marra nga provincat e tjera.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë të regjimit tha të enjten se 134 njerëz kishin vdekur nga koronavirusi i ri gjatë 24 orëve të fundit.
Gjatë fjalimit të saj në konferencën e madhe ndërkombëtare online në mbështetje të lirisë dhe demokracisë në Iran, Rama Yade, ish-Sekretarja franceze për të Drejtat e Njeriut, tha:
“Mobilizimi i rinisë si kurrë më parë është fitorja juaj. Ashraf 3 është fitorja juaj. Asgjë nuk mund ta parandalojë fitoren tuaj më të madhe,” tha Rama Yade, ish-Sekretarja franceze për të Drejtat e Njeriut. “Ne jemi së bashku, dje, sot, dhe nesër.”
Antonio Tasso, Anëtar i Parlamentit Italian
“Në Iran, të rinjtë shtypen dhe arrestohen. Ky regjim shfrytëzon madje edhe koronavirusin e ri për të vrarë të burgosurit politikë. Kjo situatë fatkeqësisht përballet me heshtje nga ana e Europës,” tha parlamentari italian Antonio Tasso.
“Shtetet tona duhet t’i dënojnë liderët e këtij regjimi të cilët kanë vrarë të burgosur politikë në 1988-ën dhe protestues në 2019-ën. Nuk mund ta pranojmë paqësimin. Bashkimi Europian duhet të bëjë një hap përpara. Duhet të qëndrojmë në anën e popullit iranian,” shtoi Z. Tasso.
“Duhet të jemi me viktimat e mizorive të regjimit. Duhet ta pranojmë që regjimi nuk duhet të ketë një vend në Kombet e Bashkuara. Unë qëndroj në anën e rezistencës suaj të organizuar,” e mbylli fjalën e tij parlamentari italian. “Unë jam i Ashraf-it.”
Ingrid Betancourt, ish-Senatore dhe kandidate presidenciale kolumbiane, e cila foli gjithashtu në këtë konferencë, tha:
“Që në fillim, regjimi i mullahëve e tradhëtoi besimin e popullit iranian. Falë provave të grumbulluara nga MEK, e dimë që regjimi ka ekzekutuar 120,000 kundërshtarë që në vitin 1979,” tha Íngrid Betancourt, ish-Senatore dhe kandidate presidenciale kolumbiane.
“Gjatë 40 viteve të fundit, regjimi është përpjekur me të gjitha mënyrat ta shkatërrojë rezistencën dhe pjesën më të organizuar të saj, MEK-un. Diplomacia e tij ka patur për qëllim të sigurojë paqësimin nga vendet e huaja si dhe ndalimin, dëbimin dhe ekstradimin e anëtarëve të MEK,” shtoi ajo.
“Por populli i Iranit nuk e ka pranuar kurrë regjimin gjatë këtyre 40 viteve dhe ka rezistuar. Ne jemi krenarë që jemi pjesë e kësaj rezistence.
“Populli po e ngre zërin për përmbysjen e regjimit të mullahëve. Slloganet e tij janë: ‘Reformistë, konservatorë, loja mbaroi,’ ‘Vdekje Khamenei-t,’ dhe ‘Armiku është këtu, jo në Amerikë.’ Kjo është në përputhje me thirrjet e bëra nga MEK,” vazhdoi Senatorja Betancourt.
“Regjimi përdori dhunë brutale gjatë protestave të 2019-ës, duke vrarë të paktën 1,500 njerëz. Por ajo kryengritje tregoi se përmbysja e regjimit është e mundshme, dhe se roli i MEK nuk është thjesht ndihmues por thelbësor,” theksoi Znj. Betancourt.
“Në Iran, koronavirusi ka vrarë të paktën 50,000 njerëz, por regjimi pretendon se kanë vdekur më pak se 10,000. Ndryshe nga vendet e tjera, regjimi nuk po e mbështet popullin gjatë shpërthimit të koronavirusit të ri.
“MEK është e vetmja organizatë në botë që ka përqafuar plotësisht barazinë gjinore. Përballë regjimit më mizogjinist në botë, ajo që udhëheq është një grua, dhe ne jemi krenarë për këtë,” theksoi ish-kandidatja presidenciale e Kolumbisë.
“Sot, regjimi iranian përballet me krizën më të rëndë në 40 vitet e ekzistencës së tij. Ai gjendet në një rrugë pa krye, pa asnjë zgjidhje. Loja ka mbaruar. Dhe të gjithë ne e dimë që, në mënyrë që Irani të hapë derën e demokracisë dhe paqes, Maryam Rajavi dhe MEK janë çelësi.”