BE Paralajmëron Regjimin e Iranit se Mund të Tërhiqet nga Pakti Bërthamor për Shkak të Shkeljeve të Teheranit

4170

Shkruar nga Shamsi Saadati 

Bashkimi Europian e ka paralajmëruar privatisht regjimin iranian se do të detyrohet të fillojë tërheqjen nga pakti bërthamor në nëntor nëse Teherani e bën realitet kërcënimin e tij për të ndërmarrë hapa të rinj larg paktit.

Regjimi i Iranit i ka ndërmarrë tashmë tre hapa të kalibruar larg paktit. Të enjten, një raport i ri nga agjencia bërthamore e Kombeve të Bashkuara tha se regjimi iranian ka kryer një tjetër shkelje të paktit të tij bërthamor me fuqitë e mëdha botërore duke e pasuruar uraniumin me centrifuga të avancuara. Regjimi ka kërcënuar gjithashtu se do të ndërmarrë hapin e katërt larg paktit në nëntor.

Paralajmërimi i BE-së ndaj Teheranit, i dakordësuar që më parë nga tre shtetet e BE-së që kanë nënshkruar paktin e 2015-ës, u bë në një takim të mërkurën dhe e bën të qartë që marrëveshja është tashmë në prag të vdekjes.

BE i tha regjimit iranian se do ta vërë çështjen e mos-bindjes së Iranit në mekanizmin zyrtar të konflikteve të marrëveshjes nëse hapi i ardhshëm i Iranit larg marrëveshjes do të jetë i konsiderueshëm.

Sapo të vihet në lëvizje mekanizmi i paktit për konfliktet, të dyja palët kanë 30 ditë kohë për ta vërtetuar mos-bindjen e konsiderueshme, dhe, po të jetë nevoja, ndodh rikthimi i sanksioneve mbarëbotërore.

Senatori amerikan Tom Cotton reagoi ndaj shkeljeve më të fundit bërthamore të regjimit në një deklaratë të enjten: “Ndërkohë që Presidenti Rouhani i përshëndeste ngrohtë liderët botërorë në Asemblenë e Përgjithshme të OKB-së, shkencëtarët e tij bërthamorë po e shtonin pasurimin e uraniumit të regjimit duke përdorur centrifuga të avancuara. I nxis aleatët tanë europianë që ta njohin mashtrimin e ajatollahëve dhe të na bashkohen në rivënien e sanksioneve mbi këtë regjim gjakatar.”

Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) e ka thënë vazhdimisht se sigurimi apo ndërtimi i armëve bërthamore është një shtyllë kryesore e strategjisë së regjimit iranian për mbijetesë.

Në fakt, po të mos ishte për zbulimin befasues të Rezistencës Iraniane për vendin e pasurimit të uraniumit në Natanz dhe të ujit të rëndë në Arak në gusht 2002, si dhe zbulimet e mëtejshme, të cilat shpalosën se deri në çfarë pike kishte përparuar puna klandestine e armëve bërthamore, dhe të cilat nxitën kryerjen e inspektimeve nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) dhe marrjen e masave të mëpasshme nga Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara, mullahët do ta kishin ndërtuar bombën tashmë dhe fati i Lindjes së Mesme dhe i botës nuk do të ishte i njëjti. 

NCRI e ka bërë të qartë që regjimi i Iranit nuk duhet të lejohet të kryejë asnjë lloj pasurimi të uraniumit, dhe projektet e tij bërthamore duhet të prishen krejtësisht.

Bazuar pjesërisht në raporte të jashtme