Thursday, March 28, 2024

Presidenti Trump ua Ndalon Zyrtarëve të Lartë të Regjimit Iranian Hyrjen në SHBA

Shkruar nga Mohammad Sadat Khansari 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump të mërkurën mori masa për t’ua ndaluar zyrtarëve të lartë të regjimit iranian dhe familjarëve të tyre hyrjen në Shtetet e Bashkuara si imigrantë apo jo-imigrantë, tha Shtëpia e Bardhë në një shpallje.

Kjo shpallje e datës 25 shtator 2019, deklaron: “Qeveria e Iranit është një sponsor shtetëror i terrorizmit, dhe Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike, duke përfshirë Forcat e tij Qods, mbështet terroristët dhe merret direkt me terrorizëm.”

“Irani i arreston në mënyrë arbitrare shtetasit e Shteteve të Bashkuara.”

“Regjimi iranian kontribuon në kriza humanitare, kërcënon fqinjët e tij, kërcënon transportin detar ndërkombëtar, dhe kryen sulme shkatërrimtare kibernetike.”

“Duke qenë se kjo sjellje vë në rrezik paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme e përtej saj, kam vendosur se është në interesin e Shteteve të Bashkuara që të marr masa për ta kufizuar dhe pezulluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara, si imigrantë apo joimigrantë, të zyrtarëve të lartë të qeverisë së Iranit, dhe të familjarëve të tyre më të afërt,” shton shpallja e Presidentit Trump.

Të martën më 24 shtator, mijëra mbështetës iraniano-amerikanë të grupit kryesor opozitar, Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI, Mujahedin-e Khalq ose MEK) u grumbulluan jashtë OKB-së në New York për të dënuar praninë e Presidentit të regjimit iranian në Asemblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe për t’i dhënë jehonë zërit të miliona njerëzve në Iran të cilët kërkojnë ndryshim regjimi.

Udhëheqësja e opozitës iraniane Maryam Rajavi tha në një mesazh drejtuar tubimit: “Grumbullimi juaj në New York është një ‘Jo!’ kumbuese ndaj politikës së paqësimit, politikës së blerjes së mundësive për një regjim në prag të vdekjes, dhe ndaj politikës së mos-veprimit ndaj një regjimi që e ruan pushtetin e tij me anë të luftënxitjes, terrorizmit, dhe shtypjes.”

“Grumbullimi juaj i thotë ‘Jo’ vazhdimësisë së sundimit nga një bandë pushtuesish e kriminelësh në Iran. Dhe i thotë ‘Po’ përmbysjes së këtij regjimi nga populli i Iranit dhe Rezistenca Iraniane,” shtoi Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI).

Znj. Rajavi tha gjithashtu se: “Pas sulmit të fundit të regjimit klerikal nga brenda Iranit kundër objekteve saudite të naftës, pyetja e vërtetë me të cilën po përballet bota nuk është më se kush e kreu sulmin, por duhet të ndërmarrin një politikë të vendosur e të rreptë kundër këtij regjimi.”

Politika e paqësimit ndaj regjimit të Iranit ka shkaktuar katastrofa, dhe ka vetëm një mënyrë për ta zhbërë dëmin. Kjo mënyrë është qëndrimi në anën e popullit të Iranit i cili është ngritur për ta çrrënjosur bankierin qendror të terrorizmit, tha ajo.

“Regjimi në Iran as nuk është i aftë për t’u reformuar dhe as nuk mund ta ndryshojë sjelljen e tij; ai nuk do t’i braktisë kurrë armët e shkatërrimit masiv, abuzimet me të drejtat njerëzore, dhe promovimin e fondamentalizmit dhe terrorizmit; ai trimërohet nga paqësimi dhe kupton vetëm rreptësinë dhe forcën,” shtoi znj. Rajavi.