Ecejaket me Iranin Ende Vënë në Dyshim Nëse Draft-Teksti Bërthamor Është Përfundimtar apo Jo

Të premten, regjimi iranian paraqiti përgjigjen e tij zyrtare ndaj një propozimi të SHBA-së në lidhje me “tekstin përfundimtar” të marrëveshjes për të rivendosur paktin bërthamor të vitit 2015 ose Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit. Megjithatë, autoritetet e regjimit dhe mediat shtetërore nuk kanë qenë të qartë për këtë temë, duke shmangur afatet apo angazhimet dhe duke deklaruar në mënyrë eksplicite se procesi i negociatave mund të zgjasë deri në shtator.

Ndërkohë, 50 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA i kanë shkruar një letër Presidentit të SHBA duke i kërkuar administratës së tij që më mirë të largohet nga ky proces dhe të pranojë rënien e JCPOA, se sa të rrezikojë zbatimin e një marrëveshjeje që i ofron përfitime të mëdha regjimit iranian dhe që ndërkohë nuk arrin të ndalojë përfundimisht përparimin e tij drejt një arme bërthamore.

Shqetësimet për këtë progres u përforcuan sërish të mërkurën kur Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike lëshoi një raport që konfirmoi se një kompleks bërthamor nëntokësor në Natanz kishte filluar ta fusin uranium përmes të dytës nga tre “kaskadat” e centrifugave të avancuara të pasurimit. Kjo lëvizje shënon më të fundit në një seri të gjatë përshkallëzimesh të regjimit iranian, me qëllim të dukshëm për të ushtruar presion ndaj partnerëve të tij negociues perëndimorë që të pranojnë pikat përfundimtare të mosmarrëveshjes mbi JCPOA.

Sipas kushteve të marrëveshjes së vitit 2015, regjimi iranian pritej të kufizonte pasurimin e tij në 3.67 për qind dhe të shmangte grumbullimin e më shumë se 300 kg të substancës. Sot, regjimi po pasuron uraniumin në 60 për qind, duke e çuar atë vetëm një hap të vogël teknik larg nivelit të nevojshëm për prodhimin e armëve, dhe rezervat e tij janë rritur në të paktën 3,800 kg, duke i dhënë regjimit mjaftueshëm për të prodhuar një armë bërthamore nëse vendos të bëjë këtë.

Pyetje të reja u ngritën mbi pasojat e mundshme të këtyre përparimeve të dielën kur detajet e të ashtuquajturit tekst përfundimtar arritën në shtypin ndërkombëtar. Tani parashikohet që rizbatimi i plotë i JCPOA do të bëhet në katër faza gjatë 165 ditëve, por aktualisht është e paqartë nëse ky proces do të përfshijë vendosjen e kufizimeve thelbësore mbi aktivitetin bërthamor të regjimit iranian përpara apo pasi regjimi të fitojë akses në asetet e pa ngrira dhe përfitime të tjera ekonomike.

Që kur negociatat për ringjalljen e JCPOA filluan në Vjenë gati 18 muaj më parë, zyrtarët iranianë kanë argumentuar se SHBA duhet të heqë të gjitha sanksionet ndaj regjimit përpara se të rifillojnë pajtueshmërinë aktive me kushtet fillestare. Në disa raste, këta zyrtarë madje arritën deri aty sa të argumentonin se duhet të ketë kohë që përfitimet të akumulohen përpara se të pritet një pajtueshmëri e tillë. Dhe ndoshta më alarmantja është se, një pikë kyçe në negociata që nga fundi i vitit të kaluar ka qenë këmbëngulja e Teheranit që SHBA ta heqë grupin konservator paramilitar të regjimit, Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike, nga lista e organizatave të huaja terroriste, si parakusht për çdo marrëveshje.

Në vazhdën e prezantimit të “teksit përfundimtar” të Bashkimit Europian në gusht, zyrtarët amerikanë filluan të shprehnin optimizëm më të madh për perspektivat për një përparim, ndërsa pretendonin se Teherani më në fund kishte hequr dorë nga ultimatumi në lidhje me IRGC-në. Megjithatë, nënshkruesit e letrës të së enjtes drejtuar Presidentit të SHBA-së – 34 demokratë dhe 16 republikanë – shprehën skepticizëm në këtë pikë, gjë që përputhej me raportet në mediat shtetërore iraniane që sugjeronin se Teherani thjesht kishte ndryshuar rrugën për të kërkuar lehtësimin nga sanksionet, në vend të heqjes së plotë të etiketimit terrorist.

“Dispozita e raportuar e lartpërmendur krijon një precedent shqetësues,” shkruajnë ligjvënësit amerikanë duke iu referuar një fragmenti nga draft-teksti i sapo publikuar. “Ne jemi të shqetësuar se kjo mund të zbehë ndjeshëm efektivitetin e sanksioneve ndaj IRGC-së (krahu terrorist paramilitar i Iranit) të lidhura me terrorizmin, dhe mund t’i sigurojë organizatës një shteg për shmangien e sanksioneve.”

Edhe pse kreu i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka shprehur besimin se procesi do të përfundojë brenda disa ditësh, ministri i jashtëm i regjimit iranian, Hossein Amir-Abdollahian, përforcoi idenë se ky proces do të zgjasë gjatë gjithë shtatorit kur deklaroi se ka ende çështje ” në tekst të cilat duhet t’i forcojmë.”

Amir-Abdollahian iu referua në mënyrë specifike kërkesës së vazhdueshme të Teheranit për mbylljen e hetimit të IAEA-së mbi dimensionet e kaluara ushtarake të programit bërthamor iranian – një hetim që mbetet i hapur vetëm sepse autoritetet e regjimit kanë refuzuar të japin shpjegime të plota dhe të besueshme për praninë e materialit bërthamor në tre komplekse të padeklaruara në të cilat agjencia mori mostra pas zbatimit të JCPOA.

Pavarësisht nëse e ardhmja e këtij hetimi trajtohet drejtpërdrejt në marrëveshjen në pritje midis regjimit iranian dhe gjashtë fuqive botërore, fakti mbetet se këmbëngulja e vazhdueshme e Teheranit për ndryshime të mëtejshme hedh poshtë pretendimin e palëve perëndimore se ato nuk janë të hapura për të bërë ndonjë kompromis shtesë për të shpëtuar marrëveshjen.

 

Elitat e Iranit Kanë Ikur ‘Përgjithmonë’

Më 29 gusht, e përditshmja shtetërore e regjimit iranian, Etemad, botoi një artikull të titulluar “Ata kanë ikur përgjithmonë”, i cili tregonte situatën kritike të “shterimit të trurit” në Iran. Presidenti i regjimit Ebrahim Raisi urdhëroi Qendrën për Studime Strategjike Presidenciale të zbatojë planin e “mbajtjes së elitave dhe rikthimit të emigrantëve”.

Megjithatë, në kundërshtim me pretendimin e regjimit për suksesin e këtij plani, mediat shtetërore po shkruajnë për dështimin e tij.

Etemad numëroi arsyet e numrit të lartë të migrimeve të elitave, duke thënë: “Premtime të panumërta të paplotësuara të qeverive për reformimin dhe zgjidhjen e sfidave politike, ekonomike dhe sociale, përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve në vend, dhënien fund korrupsionit ekonomik dhe diskriminimit social dhe ekonomik në të gjitha nivelet e shoqërisë, janë ndër arsyet më të rëndësishme për vendimin e një numri të madh mjekësh për t’u larguar përgjithmonë.”

Sipas një deklarate të Organizatës së Sistemit Mjekësor të regjimit tre vjet më parë, mes viteve 2011 dhe 2018, “numri i kërkesave të mjekëve për të marrë çertifikatën profesionale “Good Standing”(që u lejon të praktikojnë profesionin jashtë vendit) u rrit në 1000 në vit dhe parashikimet tregonin se në këto 7 vite, 300 deri në 350 mjekë të përgjithshëm dhe 300 mjekë specialistë kanë emigruar jashtë vendit”.

Etemad gjithashtu raportoi se “sipas statistikave zyrtare, numri i studentëve iranianë jashtë vendit u rrit nga 44,000 në më shumë se 59,000 midis 2010 dhe 2019”. Rreth 10,000 nga të gjithë studentët emigrantë iranianë studionin në fusha mjekësore.

Etemad shtoi, “Në tre vitet e fundit, numri i kërkesave të mjekëve për të marrë aprovime profesionale nga organizata e sistemit mjekësor është rritur në më shumë se 4000 në vit. Kjo rritje e trefishtë gjatë këtyre tre viteve tregon se kushtet që detyruan një grup elitash në vend të emigronin janë bërë edhe më zhgënjyese. Kështu, të diplomuarit e mjekësisë preferojnë të përballen me vështirësitë e largimit nga vendlindja e tyre.”

Në gusht, ndërsa kabineti i ministrave të regjimit vendosi të rrisë të ardhurat vjetore të mjekëve deri në 120 milionë rialë, elitat e vendit nuk presin ndonjë progres, dhe i konsiderojnë aplikime të tilla nga qeveria si premtime boshe që janë dhënë shumë herë gjatë viteve të fundit, për shkak të trazirave politike, sociale dhe ekonomike.

Një fakt i qartë për paaftësinë e regjimit është mungesa e mjekëve specialistë për rajonet dhe qytetet e thella të vendit. Për shkak të mungesës së mjekëve në zonat e thella, flitet për një plan për punësimin e mjekëve jo vendas, i cili u cilësua si një ‘plan i detyrueshëm’ nga e përditshmja Etemad, ku mjekët do të duhej të shërbenin në zona të thella për të paktën dy vjet.

Ajo që njerëzit vuajnë kryesisht në këto zona është mungesa e ujit të pijshëm të sigurt, rrugëve dhe infrastrukturës së zakonshme, si interneti dhe rrjetet e telefonisë celulare.

Sipas Etemad, “Disa nga të diplomuarit në fushën e mjekësisë dhe paramjekësisë kanë shkuar në një universitet mjekësor jashtë vendit për të vazhduar studimet e tyre të specializuara gjatë viteve të fundit. Pas përfundimit të studimeve dhe marrjes së diplomave të specializuara, për të lehtësuar kthimin e këtij grupi elitash dhe për të rritur numrin e të rikthyerve, nuk është dhënë asnjë mundësi”.

Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë të regjimit, ndër të diplomuarit e mjekësisë që kanë emigruar në 10 vitet e fundit, “një numër shumë i vogël prej rreth 2000 personash dhe më pak se 15% kanë kërkuar të kthehen në vend, dhe sigurisht, për ata që donin të ktheheshin, nuk u ofruan stimuj dhe lehtësi.”

Më keq akoma, regjimi ka vendosur të ndërhyjë në jetën private dhe vendimet e këtyre elitave, duke mos pasur zgjidhje të përshtatshme për emigracionin masiv të këtyre njerëzve.

Më tej, e përditshmja Etemad shkruante se në fillim të gushtit, zëvendës-kancelari i arsimit në Ministrinë e Shëndetësisë të regjimit njoftoi rizbatimin e planit për kufizimin e dokumentave për mjekët që vendosin të emigrojnë jashtë vendit.

Sipas këtij njoftimi, “Aplikantët për shkollim me shpenzime personale jashtë vendit, deri në përfundimin e periudhës së planifikimit në zonat e përzgjedhura, nuk do të marrin çertifikata diplomimi, nëse nuk paguajnë garanci të mëdha mbi 200 milionë rialë, ose në formën e dokumenteve të pronësisë. Pasi të angazhohen për të shërbyer pas diplomimit në një universitet të huaj, ata do të marrin vetëm dokumente arsimore dhe një çertifikatë të përkohshme mjekësore”.

Sipas kësaj logjike, nëse nuk zbatohet ky ligj; dokumentat e të diplomuarve nuk do të lëshohen.

Ky plan ka sjellë protesta dhe kritika të shumta nga elitat, të cilat e kanë konsideruar si ndërhyrje të qeverisë në jetën dhe vendimet e tyre personale.

Iraniano-Kanadezët Mbajtën Tubim në Toronto

Në Nderim të Heronjve të Rënë të Masakrës së 1988-ës

 

Të mërkurën, më 31 gusht, në nderim të dëshmorëve të masakrës së vitit 1988 në Iran, komuniteti iraniano-kanadez dhe familjet e viktimave të regjimit iranian, mbështetës të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), mbajtën një tubim në Queen’s Park, Toronto.

Vendosur me një mocion unanim parlamentar kanadez në vitin 2013, 1 shtatori është quajtur “Dita e Solidaritetit me të Burgosurit Politikë iranianë”, duke njohur krimet e kryera nga regjimi iranian kundër njerëzimit dhe masakrën ndaj 30,000 të burgosurve politikë në vitin 1988 në Iran.

Në Queen’s Park u mbajt gjithashtu një ekspozitë e madhe, që shfaqte shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në Iran, veçanërisht masakrën e vitit 1988 ndaj të burgosurve politikë dhe mizoritë e tjera të kryera nga elita që sundon në Teheran.

Duke iu referuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator në Nju Jork, komuniteti iraniano-kanadez kërkoi që presidenti i regjimit iranian Ebrahim Raisi të mos lejohet të marrë pjesë dhe të mos i jepet legjitimitet dhe vëmendje ndërkombëtare.

Duke iu drejtuar komunitetit iraniano-kanadez në këtë event, anëtarja e parlamentit kanadez për Thornhill, Melissa Lantsman, tha: “Ne kurrë nuk do t’i harrojmë këta shpirtra të guximshëm, as kauzat për të cilat ata dhanë jetën. Dhe kjo masakër e tmerrshme nuk ka ndodhur vetëm në të kaluarën, ajo vazhdon të ndodhë edhe sot. Nën regjimin aktual, janë ekzekutuar 582 persona, përfshirë gra dhe fëmijë. Historitë e tmerrshme të torturave janë shumë të zakonshme dhe ato vazhdojnë tani në një komb ku liritë themelore janë në rrezik prej më shumë se 40 vjetësh. Ne vazhdojmë të shohim rozion të mëtejshëm të të drejtave të njeriut, të drejtësisë, të sundimit të ligjit dhe gjithçkaje që ne e çmojmë fort këtu në Kanada”.

Masakra e të burgosurve politikë në 1988 dhe mosndëshkimi i autorëve

 

Sipas organizatës kryesore opozitare Mojahedin-e Khalq (MEK/PMOI), mullahët kanë arrestuar të paktën 500,000 aktivistë politikë në 40 vitet e fundit, kryesisht të lidhur me MEK. Gjatë së njëjtës periudhë, regjimi ekzekutoi më shumë se 120,000, përfshirë vrasjen masive të 30,000 të burgosurve politikë në verën e vitit 1988.

Për më shumë se tre dekada, autoritetet në Iran ose mohuan ose mbrojtën masakrën e të burgosurve politikë, kryesisht anëtarëve dhe mbështetësve të MEK-ut, nën fetvanë e Khomeinit. Në disa muaj, “Komisionet e Vdekjes” – të formuara nga Khomeini i çuan kundërshtarët në trekëmbëshin dhe linjat e zjarrit dhe i varrosën në varre masive të pashënuara në të gjithë vendin.

Familjet e viktimave rrëfejnë histori rrëqethëse se si xhelatët uruan vdekjen e të dashurit të tyre. Raportohet se disa prindër kanë humbur jetën për shkak të atakut në zemër dhe shumë të tjerë kanë mbartur pasoja psikologjike prej vitesh.

Autoritetet dorëzuan vetëm një çantë me sendet e personave të ekzekutuar dhe lanë pa përgjigje pyetjet e familjeve të tyre mbi vendndodhjen e të dashurve të tyre deri më tani. Regjimi gjithashtu i ndaloi të afërmit të mbanin çdo ceremoni përkujtimore apo zie.

Jo vetëm që ata kanë gëzuar pandëshkueshmërinë brenda Iranit, por komuniteti ndërkombëtar gjithashtu nuk ka bërë asgjë për t’i mbajtur ata përgjegjës, duke i inkurajuar ata të arrestojnë dhe varin më shumë aktivistë politikë brenda vendit dhe të synojnë disidentët jashtë vendit.

Rezultati i atij mosndëshkimi i ka ngritur autorët e masakrës së 1988 në poste kyçe në 34 vitet e fundit, duke përfshirë pozita kritike gjyqësore dhe administrative. Për shembull, Hossein-Ali Nayerri, Morteza Eshraghi, Ebrahim Raisi dhe Mostafa Pour-Mohammadi ishin anëtarë të “Komisionit të Vdekjes” në Teheran.

Khomeini dhe pasardhësi i tij Ali Khamenei u dhanë të gjithë këtyre kriminelëve shpërblime politike dhe financiare. Në gusht 2021, Udhëheqësi Suprem i regjimit zgjodhi Raisin si presidentin e tetë të regjimit. Përzgjedhja e Raisit, i njohur si “kasapi i Teheranit”, ishte përgjigja e regjimit ndaj kryengritjeve të njerëzve.

Kohët e fundit, Hossein Mousavi Tabrizi, prokurori i përgjithshëm i regjimit në vitet 1980, u përpoq të minimizonte krimet kundër njerëzimit të kryera në vitin 1988.

“Familjet e të ekzekutuarve [në masakrën e 1988] mund të ishin ankuar, por nuk e bënë këtë!” ka thënë Musavi. Në atë kohë, autoritetet suedeze dënuan me burgim të përjetshëm një nga autorët e masakrës, Hamid Noury.

Në një intervistë me Aparat Internet TV në korrik 2017, ish-ministri i Inteligjencës dhe Sigurisë Ali Fallahian ekspozoi se prokurori i përgjithshëm i atëhershëm z.Mousavi Tabrizi tha: “Nuk ka fare nevojë për gjykim; nuk ka kuptim që ne t’i provojmë ato.”

Duke iu përgjigjur pretendimit të Mousavi, e burgosura politike Maryam Akbari Monfared shkroi një letër të hapur duke ekspozuar bravadon e ish-zyrtarit. “Përgjigja në ankesën time kundër autorëve të ekzekutimeve të vitit 1988 ishte kërcënimi, dëbimi dhe burgimi”, shkruan zonja Akbari.

Veçanërisht, autoritetet e ndaluan dhe e dënuan zonjën Akbari me 15 vjet burg në dhjetor 2009 pas përpjekjeve të saj në kërkim të drejtësisë për fatin dhe varret e motrës dhe vëllait të saj të ekzekutuar në masakrën e vitit 1988.

Ajo e kreu burgimin pa një ditë pushim. Kohët e fundit, autoritetet e internuan në një burg në Semnan, e ndaluan të vizitonte vajzën e saj të mitur, madje e rrahën kur ajo shprehu protestën e saj kundër praktikave të tilla çnjerëzore.

Aktivistët e të drejtave dhe të burgosurit politikë të liruar filluan një fushatë “#StopTorturingMaryam”, duke mbështetur zonjën Akbari dhe duke dënuar torturat e regjimit më 26 gusht.

Megjithatë, zonja Akbari nuk është e vetmja e burgosur që ka qenë padrejtësisht pas hekurave për shkak të të qenit e afërme e anëtarëve të ekzekutuar të MEK-ut. Gjyqësori ka dënuar qindra persona me burgim për shkak të simpatisë së tyre apo të qënit të afërm të anëtarëve të MEK-ut, duke përfshirë 34 të burgosur me burgime afatgjata.

“Pavarësisht nëse dikush është i armatosur apo jo, ata janë në mesin e [anëtarëve të MEK-ut],” justifikoi Fallahian ekzekutimin e të burgosurve politikë në 1988. “Nëse një person blen bukë për ta, u siguron atyre gjëra të tjera ose e do të afërmin e tij/saj të lidhur me MEK-un.”

Të burgosurit politikë paralajmërojnë lirinë, drejtësinë dhe të ardhmen më të mirë

 Në të vërtetë, regjimi i mullahëve që sundonte Iranin kreu tortura të tmerrshme, ekzekutime dhe dënime me burgim nën akuza false për të hequr mospajtimin. Megjithatë, mizoritë e saj u përgjigjën në mënyrë të kundërt, duke e shtyrë atë në një cep të vështirë dhe izolim vdekjeprurës.

Sot, populli iranian lavdëron të burgosurit politikë dhe shpreh kundërshtimin e tij ndaj diktaturës fetare. Pavarësisht të gjitha masave shtypëse, protestat dhe aktivitetet kundër regjimit vazhdojnë në të gjithë vendin. MEK ka marrë një mirëseardhje të paprecedentë sociale, duke çuar në zgjerimin e rrjetit të saj vendas të njohur si “Njësitë e Rezistencës”.

Edhe pse mullahët përpiqen ashpër të thyejnë shpirtin e të burgosurve të palëkundur, vazhdimi i luftës së popullit iranian për një vend të lirë dhe demokratik simbolizohet nga rezistenca e të burgosurve politikë dhe aktivitetet kundër regjimit të Njësive të Rezistencës.

Në të njëjtën kohë, populli iranian në protestat e tij vazhdimisht publikon mbështetjen e tyre për këto gra dhe burra të guximshëm. “Lironi të burgosurit politikë”, këndojnë pensionistët, mësuesit, punëtorët, shoferët dhe njerëzit nga të gjitha sferat e jetës në mitingjet e tyre socio-ekonomike.

Iran: Ekzekutimi i 13 të burgosurve në pesë ditë

Gjyqësori i regjimit iranian vari të paktën 13 të burgosur nga 24 deri më 28 gusht.

Në fazën e fundit dhe të frikësuar nga situata shpërthyese në shoqëri, regjimi i mullahëve dërgon çdo ditë më shumë të burgosur në trekëmbësh. Bazuar në dokumentet e marra nga gjyqësori i mullahëve, Komiteti i Sigurisë dhe Kundër Terrorizmit i NCRI zbuloi në deklaratën e tij të datës 16 maj 2022, se 5,197 të burgosur janë në dënim me vdekje ose të dënuar për Qisas (shpagim).

Një nga misionet e Ebrahim Raisit, xhelatit të vitit 1988, është të ekzekutojë sa më shumë të burgosur për të frikësuar dhe terrorizuar publikun. Sot, kleriku Ali Saeedi, kreu i ‘Zyrës Politike dhe Ideologjike të Komandantit të Përgjithshëm’ tha: “Tani është krijuar një qeveri që ka të gjitha kriteret e një qeverie të përshtatshme gjatë sundimit 43-vjeçar të vali- e faqih (udhëheqës suprem).

Rezistenca iraniane përsërit thirrjen e saj ndaj Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare dhe avokatëve të të drejtave të njeriut që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të shpëtuar jetën e të dënuarve me vdekje dhe të dërgojnë një delegacion ndërkombëtar për të vizituar burgjet e Iranit dhe për t’u takuar me të burgosurit.

Për dekada, regjimi teokratik në Iran ka aplikuar një sferë frike dhe mbytjeje për të shuar çdo lloj mospajtimi. Që nga viti 1979, kur Ruhollah Khomeini mori pushtetin dhe zëvendësoi diktaturën monarkike me një diktaturë fetare, ai dhe pasardhësit e tij kryen krime për të heshtur ankesat socio-ekonomike të njerëzve, e lëre më për thirrjet për liri civile dhe politike.

Khamenei mbështet Presidentin e tij Ebrahim Raisi kundër popullit të Iranit

Gënjeshtrat absurde të presidentit të regjimit iranian Ebrahim Raisi në konferencën e tij për shtyp të hënën për “arritjet” e tij ishin një siklet i tillë për aparatin e mullahëve, saqë në 24 orët në vijim edhe vetë zyrtarët e regjimit dhe mediat shtetërore po reaguan me kritika.

Udhëheqësi suprem i regjimit iranian Ali Khamenei mbajti një seancë të nesërmen duke u takuar me Raisi dhe kabinetin e tij dhe i dha mbështetjen e tij të plotë Raisit, duke shprehur mirënjohjen e tij për “arritjet e qeverisë” dhe vazhdoi të thoshte: “Arritja më e rëndësishme e kësaj qeverie është që po kthen shpresën dhe besimin tek njerëzit!”

Më shumë shtypje ndaj qytetarëve Baha’i janë raportuar brenda Iranit

 

Regjimi klerik në Iran arrestoi 14 persona nga komuniteti etnik Bahá’í në provincën Mazandaran dhe dënoi 25 të tjerë në provincën Fars me burgim, dëbim dhe ndalim të largimit nga vendi.

Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, njerëzit Bahá’í që jetonin në qytetet Sari dhe Qaemshahr u arrestuan nga oficerët e sigurisë pas kontrollit të shtëpive të tyre dhe sekuestrimit të disa prej sendeve të tyre si telefonat celularë dhe librat fetarë.

Akuzat kundër qytetarëve Bahá’í në provincën Fars janë shpallur si “mbajtje e mbledhjeve dhe mësimeve propagandistike dhe edukative, ndonjëherë me praninë e popullit mysliman dhe promovim i Bahá’izmit”.

Qytetarëve Bahá’í në Iran u mohohet liria për të praktikuar mësimet e tyre fetare, dhe për këtë arsye, të drejtat e tyre shkelen sistematikisht nga shteti.

A do ta Shpallte Raisi Zotërimin e Armëve Bërthamore në UNGA77?

Në njëmbëdhjetë muajt e fundit, fuqitë botërore kanë bërë gjithçka që është dashur për të inkurajuar Teheranin që të respektojë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015. Në vend të kësaj, mullahët e regjimit iranian vetëm luajtën me fjalët. Në një deklaratë më 29 gusht, Ebrahim Raisi tha se nuk kishte, “Asnjë rrugë kthimi në marrëveshjen bërthamore nëse hetimi vazhdon”.

Regjimi ka shpallur qartë se po punon në mënyrë aktive në drejtim të shantazhit bërthamor dhe nuk do t’i linte kurrë mënjanë projektet e tij të armëve. Hetimet e sigurimit ishin klauzola thelbësore e çdo marrëveshjeje me qeverinë iraniane, duke siguruar që ajo nuk do të synonte të zotëronte armë bërthamore. Hetimet ishin gjithashtu për të zgjatur të paktën kohën e nevojshme për programin bombë-prodhues të mullahëve.

Zhdukje me Forcë, Shkelja më e Rëndë e të Drejtave të Njeriut

hdukja me forcë është ndër shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut. Nuk ka krim më mizor se “zhdukja” e një qenieje njerëzore. Zhdukjet me forcë janë një mjet terrori me një ndikim shkatërrues që godet jo vetëm individët dhe familjet e tyre, por gjithë shoqërinë.

Po, 30 gushti shënoi Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë. Amnesty International publikoi një dokument në dhjetor 2018, Iran: Sekrete të njomura me gjak, i cili hedh dritë mbi masakrën e vitit 1988 në burgjet iraniane dhe pse ato konsiderohen si krime të vazhdueshme kundër njerëzimit.

Rritet Numri i Vetëvrasjeve tek të Rinjtë ne Provincën Kurdistan

Sipas një organizate të të drejtave të njeriut në vend, rastet e vetëvrasjeve tek meshkujt, veçanërisht meshkujt nën 18 vjeç, kanë parë një rritje të ndjeshme kohët e fundit në provincën Kurdistan. Gjatë tetë muajve të fundit, në qytete të ndryshme të Kurdistanit janë regjistruar mesatarisht 5 raste të vetëvrasjeve tek adoleshentët.

Bazuar në statistikat, që nga fillimi i vitit 2022, të paktën 130 djem dhe burra kanë vendosur t’i japin fund jetës në qytete të ndryshme të Kurdistanit, nga të cilët 31% (40 individë) ishin adoleshentë dhe të rinj nën 18 vjeç. Pesëmbëdhjetë prej tyre ishin nën 15 vjeç.

Shumica e këtyre njerëzve kryen vetëvrasje për shkak të mosmarrëveshjeve familjare, varfërisë, problemeve të jetesës dhe problemeve sociale. Nga dyzet adoleshentë gjithsej që i dhanë fund jetës, njëzet e katër u vetëvranë duke u varur, tetë duke pirë hapa, 6 duke përdorur armë, një duke u hedhur nga ndërtesa dhe një duke u mbytur me gaz.