Të dielën, iranianët brenda dhe jashtë vendit morën pjesë në një fushatë në rrjetet sociale duke përdorur hashtag-un #BoycottIranShamElections (Bojkotni Farsën e Zgjedhjeve të Iranit). Ky hashtag u shfaq dhjetëra mijëra herë gjatë ditës së parë të një fushate që bën thirrje për bojkot të farsës së zgjedhjeve presidenciale të Iranit.
Për vite të tëra, grupi kryesor i opozitës iraniane, Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK), ka qenë forca shtytëse për bojkotin e farsave zgjedhore të regjimit. Këtë vit, rrjeti i brendshëm i MEK, i njohur si Njësitë e Rezistencës, ka udhëhequr fushatën për bojkotimin e farsës së zgjedhjeve nga brenda Iranit. Njësitë e Rezistencës kanë shpërndarë filmime të veprimtarive të tyre për promovimin e bojkotit kombëtar. Në tabelat e autostradave dhe muret e qyteteve janë parë të varur postera të udhëheqësve të rezistencës. Thirrja e rezistencës për bojkotimin e zgjedhjeve është parë gjithashtu e shkruar në graffiti nëpër mure.
Këshilli i Gardianëve i regjimit iranian shpalli javën e shkuar listën përfundimtare të kandidatëve presidencialë, duke lënë në garë vetëm Raisi-n dhe gjashtë individë të tjerë nga pothuajse 600 që ishin regjistruar në Ministrinë e Brendshme.
Ditët e fundit, mediat shtetërore e kanë pranuar një pjesë të krizave ekonomike të Iranit dhe se si zyrtarët e regjimit janë të përfshirë në shkatërrimin e ekonomisë së vendit përmes korrupsionit.
“Vitin e shkuar, çmimet e shumë mallrave të konsumit bazë u rritën me disa qindra përqind,” shkruante të dielën, më 30 maj 2021, e përditshmja shtetërore Sharq.
“Statistikat më të fundit të publikuara nga Ministria e Industrisë, Minierave dhe Tregtisë tregojnë se çmimet e disa ushqimeve për bagëti dhe pula, frutave, bishtajoreve, orizit, vajit, pulave të gjalla, si dhe metaleve në 2020-ën janë rritur me mbi 100%. Çmimet e 41 mallrave janë rritur me 50 deri në 100 përqind,” vazhdon artikulli i Sharq.
Si e shkatërruan mullahët ekonominë e Iranit
“Në raportin e saj të fundit, Qendra Statistikore ka publikuar vlerat e inflacionit në provinca të ndryshme. Sipas këtyre statistikave, inflacioni 12-mujor deri në maj 2021 për familjet e vendit ka qenë 41%,” pohoi e përditshmja Setar-e Sobh më 30 maj.
“Sipas treguesve më të fundit të zhvillimit global, Irani gjendet në një situatë shumë zhgënjyese,” shkruante të hënën e përditshmja shtetërore Mostaghel.
Mëngjesin e së dielës, më 30 maj 2021, në Burgun Qendror të Qazvin është ekzekutuar një grua së bashku me bashkëshortin e saj. Kjo është gruaja e 118-të që ekzekutohet gjatë mandatit të Hassan Rouhani-t president i mullahëve.
Çifti i ekzekutuar ishin kushërinj me mbiemrin Pir-Ostovan. Emri i gruas nuk dihet. Ata ishin arrestuar 8 vite më parë në autostradën Qazvin-Karaj dhe ishin dënuar me vdekje që në seancën e parë të gjyqit.
Zonja Pir-Ostovan është gruaja e parë që ekzekutohet pas ndryshimit të ligjit mbi dënimin e krimeve të lidhura me drogën në 2017-ën. Ky amendament i ndalon ekzekutimet për akuza të lidhura me drogën.
Mediat shtetërore të regjimit nuk e kanë shpallur ende këtë ekzekutim në momentin e publikimit të këtij lajmi.
Dënimi me vdekje është vegla kryesore që mullahët përdorin për të mbajtur gjallë regjimin e tyre. Ata nuk ndalen dot as në vigjilje të farsës së zgjedhjeve. Përkundrazi, ata i kanë shtuar ekzekutimet. Vetëm një javë më parë, autoritetet e regjimit klerikal ekzekutuan Kobra Fatemi-n në Burgun Qendror të Yazd.
Irani mban rekordin e ekzekutimeve në botë, me numrin më të lartë të qytetarëve të ekzekutuar per capita. Ky shtet ka gjithashtu numrin më të madh të ekzekutimeve të grave në botë. Këto ekzekutime janë jashtëzakonisht të padrejta.
Pothuajse të gjithë e kanë mirëpritur lajmin e armëpushimit në territoret palestineze pas ditësh të tëra luftimesh intensive. Sigurisht përveç regjimit klerikal luftënxitës në Iran.
Në një mesazh, Lideri Suprem i mullahëve, Ali Khamenei, ka bërë thirrje për shpërndarje të më shumë armëve e fondeve për të vazhduar luftimet. Komentet e tij janë pjesë e një strategjie më të gjerë të regjimit për të eksportuar terrorizmin në rajon.
Ismail Haniyeh, kreu i byrosë politike të Hamas, e ka lavdëruar publikisht regjimin iranian për mbështetjen e tij në këtë konflikt të përgjakshëm. Mbështetja e Teheranit për Hamas ka çuar në vrasjen e qytetarëve të pafajshëm.
Populli palestinez dhe kreu i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, e kanë dënuar dhunën, duke bërë thirrje për paqe.
Ndërkohë që fuqitë botërore vazhdojnë të negociojnë me regjimin iranian për ringjalljen e paktit bërthamor, regjimi po përpiqet t’i fshehë krizat e pashërueshme brenda tij duke nxitur luftë e konflikte në rajon.
Ashtu si Haniyeh, Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollah-ut libanez, Hassan Nasrallah, e ka pranuar gjithashtu publikisht që organizata e tij i detyrohet regjimit pothuajse për gjithçka që ka.
Teherani vazhdon të financojë terrorizmin ndërkombëtar ndërkohë që populli iranian vuan nga varfëria e madhe dhe lufton kundër pandemisë së koronavirusit. Më 8 janar 2021, Khamenei ndaloi importimin e vaksinave amerikane e britanike në Iran. Kjo ndërkohë që, sipas burimeve të pavarura opozitare, virusi ua ka marrë jetën 300,000 iranianëve deri tani.
Mbështetësit iranianë të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), dhe të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) i kanë vazhduar protestat e tyre në solidaritet me fushatën mbarëkombëtare të popullit iranian për bojkot të farsës së zgjedhjeve presidenciale të regjimit.
Të shtunën, pjesëtarë të diasporës iraniane në Kolonjë të Gjermanisë zhvilluan një protestë, ku u dhanë jehonë thirrjeve për bojkot mbarëkombëtar të farsës së zgjedhjeve të regjimit në qershor. Ata mbanin foto të udhëheqësit të Rezistencës Iraniane, Z. Massoud Rajavi, dhe presidentes së zgjedhur të NCRI-së, zonjës Maryam Rajavi.
Krahas Kolonjës, mbështetësit e MEK dhe NCRI bënë protestë edhe në Shtutgart.
Tashmë është pothuajse e sigurt që Ebrahim Raisi do të jetë presidenti i radhës i regjimit iranian. Edhe gjashtë kandidatë të tjerë janë miratuar nga Këshilli i Gardianëve i regjimit për të kandiduar në votimet e 18 qershorit, por Raisi është i preferuari i Liderit Suprem Ali Khamenei, dhe asnjëri nga të tjerët nuk ka një profil aq të lartë sa Raisi. Këshilli i Gardianëve e ka garantuar këtë duke eliminuar kandidatë me emër si ish-Presidenti i regjimit Mahmoud Ahmadinejad dhe ish-Kryetari i Parlamentit Ali Larijani. Ndërkohë që Ahmadinejad u përgjigj duke thënë se tani ai refuzon të votojë, Larijani deklaroi se ishte “i kënaqur” dhe i nxiti të gjithë qytetarët iranianë të merrnin pjesë në zgjedhje në mënyrë që të promovonin mbijetesën e një “Irani islamik.”
Sigurisht, kjo shfaqje përbuzjeje për jetën e iranianëve të rëndomtë vetëm sa do t’i përkeqësojë krizat nga të cilat po vuan regjimi që nga kryengritja e janarit 2018. Dhe ndonëse autoritetet kanë bërë çfarë kanë mundur për t’i minimizuar këto kriza, gazeta e përditshme Jahan-e Sanat ka vënë në dukje se heshtja zyrtare për sa i përket kryengritjeve dhe represionit të ushtruar ndaj tyre ka ushqyer popullaritetin e bojkoteve zgjedhore.
MEK i ka dhënë kësaj lëvizjeje për bojkot formën specifike të një përpjekjeje për të “votuar për ndryshim regjimi,” dhe “Njësitë e Rezistencës” të MEK kanë vendosur graffiti dhe postera në mbi 250 lokacione në mbarë vendin për ta përçuar këtë mesazh. Javët e fundit, efektet e kësaj fushate kanë qenë të dukshme në demonstratat publike të zhvilluara për një sërë çështjesh të tjera. Ndërkohë që protestonin kundër rënies së vlerës së pensioneve apo pasojave të një mashtrimi në investime të udhëhequr nga qeveria, iranianë të panumërt kanë treguar gatishmërinë për ta përqafuar bojkotin zgjedhor duke thirrur me sllogane si, “Nuk kemi parë drejtësi; nuk do të votojmë më.”
Hashtpar-e Tavalesh (provinca Gilan) – Veprimtaritë e Njësive të Rezistencës dhe mbështetësve të MEK, që bëjnë thirrje për bojkot të farsës së zgjedhjeve presidenciale të regjimit – “Massoud Rajavi: Bojkoti i farsës së zgjedhjeve presidenciale është detyrë patriotike” – 27 maj 2021
“Nuk do të votojmë për të zgjedhur një vrasës, loja mbaroi, vota jonë është për ndryshim regjimi”
Më 27 maj 2021, mbështetësit e Mujahedin-e Khalq (MEK/PMOI) dhe Njësitë e Rezistencës bënë thirrje për bojkot të farsës së zgjedhjeve presidenciale të regjimit klerikal në qytete të ndryshme të Iranit, duke përfshirë shumë pjesë të Teheranit të Madh dhe qytete të tjera. Ata vendosën postera e afishe, shkruan graffiti, dhe shpërndanë fletushka. Krahas zonave të ndryshme të Teheranit, këto veprimtari janë zhvilluar edhe në Karaj, Isfahan, Hashtpar-e Tavalesh (provinca Gilan), Semnan, Yasuj, Shiraz, Abadan, dhe Ahvaz.
Për ta konsoliduar regjimin, Lideri Suprem Ali Khamenei ka përdorur Këshillin e Gardianëve për të skualifikuar shumicën e kandidatëve të farsës së zgjedhjeve presidenciale të Iranit. Të eliminuarit nga kjo farsë nuk ishin vetëm nga fraksioni rival. Këshilli i Gardianëve skualifikoi madje edhe Ali Larijani-n, një nga personat më të afërt të Khamenei-t, që ka qenë kryetar i parlamentit të regjimit për tre mandate rresht.
Pas vendimit të Këshillit të Gardianëve për të eliminuar të gjithë kandidatët, grindjet e brendshme të regjimit janë intensifikuar. Kështu, mund të thuhet se Khamenei ia ka bërë gropën vetes duke skualifikuar personat besnikë ndaj tij dhe regjimit.
“Përqasja aktuale tregon tendencën drejt një unifikimi të plotë të sistemit. Problemet ekzistuese, sidomos kriza ekonomike e vendit, janë tepër të mëdha për t’u menaxhuar nga një fraksion apo grup i vetëm politik,” shkruante të shtunën shtetërorja Jomhuri-e Eslami.
Khamenei është plotësisht i vetëdijshëm për pasojat e vendimit për të ndjekur një politikë tkurrjeje. Por ai nuk ka zgjedhje tjetër pasi regjimi po përballet me një shoqëri të trazuar.
Siç e pohon edhe editoriali i të shtunës i Jomhuri-e Eslami, “Problemi i vendit nuk është vetëm kriza ekonomike. Krizat kulturore, shoqërore, madje edhe politike, nuk janë më pak të rrezikshme sesa krizat ekonomike, për të mos thënë që janë edhe më serioze e të rrezikshme. Këto kriza nuk janë të dukshme pasi problemi i vërtetë ekonomik në jetën e përditshme të popullit nuk i ka lejuar ato të dalin në sipërfaqe. Elitat dhe ekspertët kulturorë, shoqërorë, dhe politikë, sidomos sociologët, janë plotësisht të vetëdijshëm për kët fakt dhe për rreziqet e këtyre krizave.”
Por a do t’ia dalë Khamenei ta bëjë regjimin e tij unipolar?
Khamenei është përpjekur shumë herë në të shkuarën ta unipolarizojë regjimin e tij por ka parë rezultatin e kundërt. Për shembull, në 2009-ën, Khamenei sakrifikoi shumë për të bërë të mundur fitoren e Mahmoud Ahmadinejad. Por Ahmadinejad nisi të mos i bindej Khamenei-t në shumë raste.
Në përpjekjen më të fundit për ta unifikuar regjimin, Khamenei nuk e lejoi Larijani-n të merrte pjesë në farsën e zgjedhjeve. Ngaqë Larijani kishte mbështetjen e një numri mullahësh e klerikësh Shi’ite në Qom, eliminimi i tij i ka intensifikuar grindjet e brendshme të regjimit.
“Për shkak të skualifikimit të shumë kandidatëve presidencialë, të gjithë e dinë që këto zgjedhje do të jenë jo profesionale, pa konkurencë, dhe do të kenë një pjesëmarrje të ulët votuesish,” tha në një deklaratë të mërkurën Shoqata e Mësuesve të Seminareve në Qom.
Për sa i përket shoqërisë së trazuar të Iranit, manovrat e Khamenei-t nuk do të funksionojnë. “Kushtet e pafavorshme të vendit sot janë rezultat i kontradiktave të brendshme në qeverisje. Nëse përpiqemi të fajsojmë vetëm një person apo një fraksion, gënjejmë veten. Vazhdimi i këtyre kontradiktave, si në politikën e brendshme, ashtu edhe në atë të jashtme, do ta paralizojë [regjimin], dhe do të na kushtojë shtrenjt të gjithëve,” shkruan Jomhuri-e Eslami lidhur me këtë.
Kështu, veprimet e fundit të Khamenei-t vetëm sa do t’i shtojnë edhe më shumë grindjet e brendshme të regjimit, për arsye se fraksioni rival do të bëjë ç’të jetë e mundur për t’i ruajtur pozicionet dhe mundësitë e tij për plaçkitjen e pasurisë kombëtare.
Khamenei e ka humbur pozicionin e tij trans-fraksional, dhe do të bëhet shënjestër e akuzave të fraksionit rival.
Gjithashtu, Khamenei vetë i ka hequr barrierat midis tij dhe popullit dhe e ka vënë veten direkt në shënjestrën e shoqërisë së trazuar.
Me Ebrahim Raisi-n si president, regjimi do të përballet pa dyshim me një izolim edhe më të madh ndërkombëtar, dhe shpresa e fundit për ringjalljen e politikës së paqësimit do t’i venitet. Kjo sepse dialogu me një kriminel si Raisi, i cili është i përfshirë në listat e zeza për shkelje të të drejtave njerëzore dhe ka luajtur rol kyç në masakrën e 1988-ës ndaj 30,000 të burgosurve politikë, kushton shtrenjt.
Si pjesë të politikës së tkurrjes, Khamenei-t do t’i duhet ta rrisë eksportin e terrorizmit. Roli i tij në intensifikimin e konfliktit në Gaza është shembull i kësaj nevoje për ta eksportuar terrorizmin dhe kaosin jashtë vendit. Për t’i financuar veprimtaritë e jashtëligjshme të regjimit të tij, ai duhet të plaçkitë pasurinë e popullit.
Njëkohësisht me shtimin e plaçkitjes së popullit, Khamenei duhet t’i shtojë edhe masat shtypëse. Mesazhi kryesor që i jepet publikut me vendimin e Khamenei-t për ta nxjerrë fitues Raisi-n nga kutitë e votimit është gatishmëria e regjimit për ta shtuar shtypjen. Ekzekutimi në masë i 6 të burgosurve ditët e fundit dëshmon për vendimin e Khamenei-t për ta shtuar shtypjen.
Por shtimi i shtypjes dhe plaçkitja e pasurisë së popullit vetëm sa do ta shtojë edhe më shumë trazimin e shoqërisë.
“Nuk mund të gënjejmë veten; populli është i pakënaqur. Problemi nuk është vetëm ekonomik. Njerëzit e kanë toleruar këtë situatë. Nuk mund ta mbajmë të kënaqur popullin me varfëri. Fatkeqësisht, njerëzit mezi arrijnë të sigurojnë kujdes mjekësor apo ilaçe. Problemet e popullit nuk janë të lidhura vetëm me jetesën. Ata janë vërtet të zemëruar,” paralajmëroi të dielën e përditshmja shtetërore Mostaghel.
Regjimi i Iranit po përgatitet të emërojë si president Ebrahim Raisi-n, një vrasës të masave
Të mërkurën, Këshilli i Gardianëve, organi që mbikëqyr legjislacionet dhe zgjedhjet, dha verdiktin final për personat që kanë aplikuar për të garuar në farsën e zgjedhjeve të ardhshme, që do të zhvillohen më 18 qershor. Ky këshill skualifikoi shumë zyrtarë të spikatur të regjimit, si Ali Larijani, një zyrtar i lartë që ka qenë kryetar i Majlis (parlamentit), komandant i Gardës Revolucionare (IRGC) dhe njeri shumë i besuar i liderit suprem të regjimit, Ali Khamenei.
Anëtarët e Këshillit të Gardianëve caktohen nga Khamenei dhe kryegjyqtari, i cili është vetë i emëruar nga Khamenei. Dhe vendimet e këtij këshilli reflektojnë direkt vullnetin e Khamenei-t për të ardhmen e regjimit. Me skualifikimin e Larijani-t, i vetmi kandidat serioz që mbetet në garë është Ebrahim Raisi, kryegjyqtari aktual i regjimit dhe ekzekutues famëkeq i mijëra disidentëve iranianë. Edhe vetë zyrtarët e regjimit po e pranojnë se lista e re e kandidatëve e ka garantuar plotësisht fitoren e Raisi-t si president i ardhshëm i regjimit.
Raisi ka shërbyer në pozicione të ndryshme të gjyqësorit që në fillim të sundimit të mullahëve në 1979-ën. Në karrierën e tij ai njihet kryesisht për “masakrën e 1988-ës,” një spastrim i burgjeve të Iranit që zgjati disa javë dhe ku u ekzekutuan 30,000 të burgosur politikë. Raisi ka qenë anëtar i “komisionit të vdekjes,” një treshe zyrtarësh të regjimit që i thërrisnin të burgosurit një nga një dhe ua vulosnin fatin me anë të gjyqeve vetëm disa-minutëshe të cilat përfundonin në trekëmbësh nëse i burgosuri nuk pendohej për kundërshtimin e tij/saj ndaj sundimit tiranik të mullahëve. Raisi e ka shprehur herë pas here krenarinë e tij për rolin që ka luajtur në masakrën e 1988-ës.
E vërteta është se zgjedhjet presidenciale në Iran nuk kanë të bëjnë fare me dëshirën e popullit për të zgjedhur liderët e tij. Ato shërbejnë vetëm për të legjitimizuar diktaturën e Khamenei-t dhe rezultatet e tyre reflektojnë balancën e pushtetit midis fraksioneve të ndryshme të regjimit, të cilat janë të gjitha pjesë e pandarë e krimeve që mullahët kanë kryer gjatë katër dekadave të fundit.
Të martën, Këshilli i Gardianëve i regjimit iranian eliminoi shumicën e kandidatëve të farsës së zgjedhjeve presidenciale me urdhër të Liderit Suprem të regjimit, Ali Khamenei. Kjo ka bërë që mediat shtetërore dhe zyrtarët e fraksionit rival të paralajmërojnë për pasojat e politikës së tkurrjes të regjimit.
Ky veprim i Khamenei-t konfirmoi përsëri atë që Rezistenca Iraniane e ka thënë me kohë: zgjedhjet në regjimin e mullahëve janë thjesht teatër dhe shërbejnë si fasadë e një regjimi mizor.
Khamenei ka ndërmend ta sigurojë fitoren e Ebrahim Raisi-t nga kutitë e votimit për të vazhduar me politikën e tkurrjes. Për këtë arsye, ai nuk ka mundur t’i tolerojë as zyrtarët e tij më të afërt, si Ali Larijani, ish-kryetari i Parlamentit.
Tani, grindjet e brendshme të regjimit kanë arritur në një nivel të ri.
“Ajo që ka ndodhur gjatë procesit të kualifikimit në zgjedhjet presidenciale, vetëm ‘zgjedhje’ që nuk mund të quhet. ‘Selektimi’ i Liderit Suprem nuk ka nevojë për votën time,” tha të enjten Mostafa Tajzadeh, një nga kandidatët e eliminuar dhe ish Zëvendës Ministër i Brendshëm.
“Njerëzit mendojnë se, pavarësisht se kush bëhet president, për ne nuk do të ndryshojë gjë. Të gjithë presidentët ndjekin disa urdhra specifikë. Si rrjedhim, pjesëmarrja jonë është e kotë,” tha Paravaneh Salahshouri, një ish-deputete.
“Kur në shoqëri të përhapet ndjenja e paefektshmërisë, njerëzit do të refuzojnë të marrin pjesë në zgjedhje. Ky refuzim për të marrë pjesë në zgjedhje përfundimisht do të rezultojë në incidente sociale, të cilat i kemi parë edhe kohët e fundit,” paralajmëroi Salahshouri zyrtarët e regjimit, sipas agjencisë gjysmë-zyrtare të lajmeve ILNA, të enjten.
“Për shkak të skualifikimit të gjerë të kandidatëve për president, të gjithë e dinë se këto zgjedhje do të jenë jo profesionale, pa konkurencë, dhe do të kenë një pjesëmarrje të ulët votuesish,” tha të mërkurën në një deklaratë Shoqata e Mësuesve të Seminareve në Qom.
“Indiferenca e popullit dhe e një numri të madh ekspertësh e vrojtuesish është shumë e rrezikshme dhe po rritet,” tha të enjten Mullah Mohammad Javad Hojjati Kermani.
“Me skualifikimin masiv të kandidatëve, besimi i popullit në kutinë e votimit dhe në sistem po ulet gjithnjë e më shumë. Njerëzit e ndiejnë që janë të mbërthyer dhe duhet të çlirohen. Kjo situatë është e rrezikshme për ne,” tha Ashraf Broujerdi, ish zëvendëse e ministrit të brendshëm.