Saturday, July 27, 2024

Ashraf-3: Përkujtimi i ditës së 40-të për martirët e kryengritjes mbarëkombëtare

Maryam Rajavi: Khamenei e ka absolutisht gabim nëse mendon se regjimi i tij dekadent do të mbijetojë duke kryer krime kundër njerëzimit. Masakra e nëntorit sinjalizon fazën e fundit të sundimit të këtij regjimi

Në një grumbullim të Mujahedin-e Khalq (PMOI/MEK) në Ashraf-3 të Shqipërisë, me rastin e përkujtimit të ditës së 40-të për mbi 1,500 të vrarët gjatë kryengritjes së nëntorit, znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), tha se këta martirë ishin duarbosh e të pambrojtur përballë armikut të egër e mizor. Por i gjendur përballë këtyre të rinjve që kanë ngritur krye, regjimi nuk mund ta parandalojë përmbysjen e tij. Khamenei e ka absolutisht gabim nëse mendon se mund ta mbrojë regjimin e tij dekadent dhe ta vazhdojë sundimin e tij. Kjo masakër sinjalizon fazën e fundit të regjimit klerikal.

Znj. Rajavi theksoi se kryengritja e nëntorit 2019 i ka dhënë një goditje madhore, shkatërrimtare dhe të pashërueshme regjimit në tërësinë e tij. Protestuesit e zemëruar u konfrontuan me forcat shtypëse të regjimit duke shkatërruar qendrat e mullahëve për represion e plaçkitje… U shfaq perspektiva dhe rruga drejt fitores së kryengritjeve dhe çlirimit të Iranit.

Presidentja e zgjedhur e NCRI-së shtoi se kryengritja e nëntorit u bë skena e një konfrontimi midis protestuesve, të rinjve dhe njësive të rezistencës nga njëra anëi, dhe nga ana tjetër, regjimit në tërësinë e tij, duke përfshirë forcat e tij shtypëse dhe aparatin e tij politik. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) mori kontrollin dhe komandën për shtypjen e protestave. Të gjitha forcat shtypëse vepruan nën komandën direkte të IRGC-së. E megjithatë, ata nuk ia dolën ta merrnin situatën nën kontrollin e tyre. Në orën 6:45 të mëngjesit të së dielës, më 17 nëntor, lideri suprem i mullahëve Ali Khamenei u turr për në skenën e ngjarjeve për ta dhënë personalisht urdhrin për një shtypje të përgjithshme të kryengritjes…. Regjimi dërgoi automjete, tanke dhe helikopterë me personel të armatosur në disa qytete.

Ajo vuri në dukje se kryengritja e ka shkatërruar pathyeshmërinë boshe të IRGC-së. Populli e kuptoi pushtetin dhe forcën e vet, duke e tmerruar palën tjetër. Tani, është regjimi ai që është i pushtuar nga frika e përhershme. Regjimi e ka pohuar se njësitë e rezistencës kanë punuar pa pushim gjatë dy viteve të fundit, dhe kanë ndikuar në drejtimin e kryengritjes. Dhe vërtet, veprimtaritë e njësive të rezistencës që nga janari 2018 kanë kërkuar sakrifica të mëdha për t’i mbajtur gjallë flakët e kryengritjes.

Znj. Rajavi theksoi se masakra e 1,500 të rinjve intensifikon zemërimin e kombit iranian dhe forcon vendosmërinë e popullit iranian për liri. Kryengritja e përgjakshme e nëntorit prishi gjithashtu disa mite dhe iluzione lidhur me regjimin. Ajo tregoi se askush në Iran nuk i ka varur shpresat tek ndryshimi nga brenda regjimit. E vetmja zgjidhje është të rrëzohet regjimi në tërësinë e tij, dhe kjo do të ndodhë pa dyshim.

Ajo tha se Këshilli i Sigurisë duhet t’i deklarojë liderët e regjimit si Khamenei, Rouhani, Ali Shamkhani, sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë, dhe Hossein Salami, komandanti i IRGC-së, si autorë të krimeve kundër njerëzimit në mënyrë që ata të përballen me drejtësinë. Kombet e Bashkuara duhet të dërgojnë menjëherë në Iran misione të gjetjes së fakteve për të hetuar situatën e të vrarëve, të plagosurve dhe të burgosurve.

Znj. Rajavi përsëriti se bota duhet ta mbështesë legjitimitetin e rezistencës së të rinjve të rebeluar të Iranit kundër Gardës mizore Revolucionare. Bota duhet ta njohë luftën e popullit të Iranit për ta rrëzuar këtë regjim. Kjo është po ajo e drejtë e deklaruar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, në Revolucionin Francez, dhe në Deklaratën e Pavarësisë së Amerikës.

Ajo e përmbylli fjalën e saj duke thënë se solidariteti dhe bashkëpunimi janë elementët thelbësorë për mbajtjen gjallë të kryengritjes. Është detyrë patriotike mbështetja për familjet e martirëve, kujdesi për të plagosurit, dhe ndihma ndaj njësive të rezistencës në çdo formë e në çdo shkallë që të jetë e mundur.

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit

23 dhjetor 2019