Friday, July 26, 2024

REFUGJATËT, SHQIPËRIA DHE MIKPRITJA

Nga Gazeta Shqip

26 Mars 2016
PATRICK J. KENNEDY *

Në shkurt, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, vizitoi kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, ku ai përsëriti mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës për shtetin ballkanik. Vizita e tij ndodhi pikërisht 25 vite pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve në vitin 1991. Sekretari Kerry kishte të drejtë të lëvdonte qeverinë shqiptare – të dyja palët, si qeverinë aktuale edhe palën opozitare – për progresin që ajo ka bërë në luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e jetëve të shqiptarëve.

Shqipëria ka një traditë, për të cilën ajo ndihet krenare, lidhur me rezistencën ndaj shtypjes. Luftëtari shqiptar për liri, Skënderbeu, është një frymëzim për njerëzit kudo në botë që po orvaten të përcaktojnë të ardhmen e tyre. Sot, shpirti i Skënderbeut mund të gjendet tek Organizata e Popullit Muxhahedin të Iranit (PMOI), zëri parësor pro-demokratik i vendit. PMOI është forca kryesore në koalicionin demokratik të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI). Me një platformë të përcaktuar nëpërmjet një plani me dhjetë pika të NCRI-së, Presidentja Maryam Rajavi, PMOI, përfaqëson shpresën më të mirë për ndryshim demokratik në Iran.
Plani i znj. Rajavi bën thirrje për zgjedhje të lira dhe të ndershme, një angazhim për një të ardhme jo-bërthamore, dhe një vizion për vendin e saj që përfshin reforma përparimtare, siç janë barazia gjinore dhe ndarja e fesë nga shteti. Kjo platformë përfaqëson një sfidë për identitetin thelbësor të regjimit teokratik, sponsorizues të terrorizmit që kohët e fundit sundon në Teheran. Dhe kjo është një sfidë që ne duhet ta mbështesim për hir të respektit për të drejtat e njeriut në Iran, si dhe paqes dhe sigurisë në rajon dhe kudo në botë.
Është pikërisht kjo sfidë shkaku që regjimi iranian ka bërë përpjekje të përsëritura për të shkatërruar PMOI dhe për të masakruar anëtarët e saj. Rreth 120 mijë anëtarë janë vrarë në sulme, vrasje dhe ekzekutime në masë që prej krijimit të Republikës Islamike të Iranit. Kohët e fundit, 24 njerëz u vranë në një sulm në komunitetin e dëbimit të PMOI në ish-bazën ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Irak. Ky ishte vetëm i fundit nga seria e sulmeve të kryera nga terroristët dhe forcat e sigurisë së Irakut me urdhër të regjimit iranian.
Këto dhe të tjera akte të shtypjes me dhunë kanë vazhduar nën epokën e sundimit të Rouhanit. Me siguri, ato do të vazhdojnë edhe me parlamentin e sapozgjedhur dhe nuk do të ndalojnë deri sa PMOI të arrijë qëllimin e saj për një shtet iranian të lirë dhe demokratik, ose deri sa komuniteti ndërkombëtar të bashkohet për t’u dhënë fund atyre.
Kur kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha, mori vendimin parimor për të pritur një grup refugjatësh iranianë, ai tregoi angazhimin e palës shqiptare ndaj vlerave humanitare. Vendimi i Kryeministrit aktual, Edi Rama, për të ndjekur të njëjtën rrugë dhe për të marrë më shumë refugjatë ishte një rikonfirmim i parimeve demokratike të Shqipërisë. Shqiptarët duhet të jenë krenarë që drejtuesit e tyre, nga të dyja palët, i kanë mbështetur vlerat që janë rrënjosur në historinë e vendit.
Shqipëria duhet lavdëruar për ofrimin e një strehe të sigurt për refugjatët iranianë. Për më tepër, modeli i lidershipit shqiptar duhet të ndiqet edhe nga vende të tjera që duhet t’u bashkohen përpjekjeve humanitare për të ofruar strehë për familjet iraniane që kërkojnë t’i shpëtojnë shtypjes dhe dhunës. Kjo është gjëja e duhur që duhet bërë për hir të demokracisë, qëndrueshmërisë globale dhe popullit iranian që është ende duke jetuar në varësi të plotë nga një teokraci që nuk ka aspak vullnet për t’u reformuar.
Pranimi i refugjatëve iranianë nuk ka qenë gjithmonë i lehtë. Por, i ka treguar botës se Shqipëria është një komb i fortë dhe me parime.