Saturday, July 27, 2024

Pyetje dhe Përgjigje me Ali Safavi lidhur me Terrorizmin e Regjimit Iranian dhe Çështjen e Assadollah Assadi

 

Ali Safavi, nga Komiteti i Punëve të Jashtme i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit

Më 4 shkurt pritet shpallja e verdiktit të një gjykate belge lidhur me diplomatin terrorist të burgosur të Iranit, Assadollah Assadi, i cili në 2018-ën tentoi të hidhte në erë tubimin e opozitës në Francë. Më poshtë vijon teksti i një seance pyetjesh dhe përgjigjesh me Ali Safavi, nga Komiteti i Punëve të Jashtme i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, lidhur me terrorizmin e regjimit iranian dhe çështjen e Assadollah Assadi.

Q: Mund të argumentohet se regjimi iranian ka katër dekada që merret me terrorizëm shtetëror. Atëherë, pse mendoni se spikat ky komplot? Cilat aspekte të gjetjeve të hetuesve ju duken më domethënëse?

A: Ndonëse është e vërtetë që terrorizmi ka qenë pjesë e pandashme e politikës së jashtme të regjimit iranian, ky komplot spikat për tre arsye.

1) Është hera e parë që një i ashtu-quajtur diplomat i lartë dhe i akredituar i regjimit përfshihet personalisht dhe në mënyrë direkte në një skemë terroriste.

2) Provat e pamohueshme, duke përfshirë dokumentet e konfiskuara, e bëjnë tepër të qartë faktin që kjo nuk ka qenë një nismë personale e Assadi-t, por ka qenë e planifikuar, miratuar dhe urdhëruar nga zyrtarët më të lartë të regjimit deri tek Lideri Suprem, presidenti, dhe ministri i jashtëm.

3) Dokumentet që i janë gjetur Assadi-t kanë shpalosur se sa e gjerë ishte shkalla e këtij operacioni. Kjo tregoi se sa të gjera janë operacionet e Assadi-t në Europë, me një rrjet të madh operativësh të cilëve Assadi u kishte paguar shuma të stërmëdha parash.

Q: Për sa i përket mënyrës se si regjimi iranian i kryen aktet e tij terroriste veçanërisht në Europë, çfarë na thotë ky komplot lidhur me mënyrën e të vepruarit në përgjithësi dhe rolin e ambasadave iraniane në veçanti?

A: Thënë thjesht, diplomatët dhe ambasadat e regjimit janë emisarë të terrorit. Ata kanë qenë që në fillim pjesë thelbësore e planeve terroriste të regjimit jashtë vendit, qoftë në Europë, në Lindjen e Mesme, apo kudo tjetër. Ata kanë bërë mbulimin diplomatik për çdo operacion terrorist apo vrasje dhe kanë vepruar gjithashtu si lehtësues. Tani, për herë të parë, kanë dalë në dritë provat që vërtetojnë shfrytëzimin e statusit diplomatik për terrorizëm.

Q: Cili ka qenë reagimi nga Teherani, veçanërisht nga Javad Zarif dhe Ministria e Jashtme e regjimit iranian?

A: Ashtu siç i shkon për shtat natyrës së regjimit, pas publikimit të lajmit për arrestimin e Assadi dhe tre bashkëpunëtorëve të tij, Zarif e quajti këtë një operacion “me flamur të rremë,” duke refuzuar çdo përgjegjësi. Por teksa hetimet vazhdonin dhe dilnin në sipërfaqe gjithnjë e më shumë prova të forta, të cilat vërtetonin rolin e ministrisë së jashtme në këtë komplot, regjimi në përgjithësi dhe Ministria e Jashtme në veçanti kanë këmbëngulur në mënyrë demagogjike në imunitetin diplomatik të Assadi-t, a thua se të qenit diplomat të lejon të vrasësh këdo apo të hedhësh në erë çfarëdo vendi që të japin urdhër. Ata nuk kanë thënë asnjë fjalë lidhur me përmbajtjen e çështjes dhe me sasinë e madhe të provave që vërtetojnë në mënyrë të pamohueshme përfshirjen e ministrisë së jashtme dhe vetë Zarif-it.

Q: Çfarë reagimi mendoni se është e nevojshme që të bëjë Europa?

A: Hetimi gjyqësor e ka vërtetuar rolin e regjimit iranian në këtë krim të urryer. Si rrjedhojë, pavarësisht nga verdikti i gjykatës, vendet europiane duhet t’i mbyllin ambasadat dhe përfaqësitë e Teheranit, t’i zvogëlojnë marrëdhëniet, t’i tërheqin ambasadorët e tyre, dhe ta kushtëzojnë rikthimin në normalitet tek dhënia e garancive nga regjimi se nuk do të kryejë më terrorizëm në Europë dhe tek shpërbërja e aparatit të tij terrorist. Në nivelin tjetër, Europa duhet t’i kërkojë llogari Zarif-it dhe një mënyrë për ta bërë këtë është refuzimi për ta trajtuar atë si bashkëbisedues. Zarif e ka vendin në burg dhe jo në pritjet e zyrtarëve europianë.

Q: Përfshirja në mënyrë kaq direkte dhe intime e një diplomati në një komplot terrorist është jashtë logjikës konvencionale. Çfarë e shtyu Teheranin të kryente një akt kaq të pacipë?

A: Po ta kuptosh gjendjen aktuale të rrezikuar e të brishtë të regjimit brenda vendit, pengesat e tij në rajon, dhe izolimin e tij në arenën ndërkombëtare, kryerja e një akti kaq të pacipë nuk duket edhe as jokonvencionale. Në fund të fundit, Teherani e sheh rezistencën e organizuar, konkretisht PMOI/MEK dhe NCRI-në, si një rrezik ekzistencial dhe si shkakun rrënjësor të problemeve e krizave të tij. Lideri suprem i mullahëve Ali Khamenei e ka treguar me gisht MEK-un si forca prapa kryengritjeve popullore në 2017-ën dhe 2019-ën, kryengritje të cilat i shkundën themelet e regjimit të tij. Prandaj, shpresa se do të mund t’i jepte rezistencës dhe udhëheqjes së saj atë që ai besonte se do të ishte një goditje fatale, e nxiti regjimin të bënte diçka që nuk e kishte bërë kurrë më parë: të caktonte një diplomat të lartë në detyrë si organizator të këtij komploti terrorist. Sipas mendjes së regjimit, duhej marrë në sy një rrezik kaq i madh për t’ia prerë kokën lëvizjes së rezistencës.