Ministri iranian i Shëndetësisë, Saeed Namaki, i quajti dje kritikët e vaksinës ruse “djallëzorë” dhe i akuzoi ata për “tradhëti,” pas kritikave të gjera ndaj vendimit të Iranit për ta përdorur këtë vaksinë për COVID-19.
“Mos i paraqitni ata që i shërbejnë popullit si tradhëtarë në mendjet e njerëzve. Betohem se kjo është padrejtësi, kjo është tradhëti kombëtare në kohën më të vështirë,” tha Namaki gjatë një mbledhjeje të Taskforcës Kombëtare për Luftimin e Koronavirusit.
Përpara kësaj, 98 anëtarë të Këshillit Mjekësor të Republikës Islamike të Iranit (IRIMC), në një letër të hapur drejtuar presidentit iranian Hassan Rouhani, kishin shprehur shqetësim lidhur me “metodën e përzgjedhjes, konfirmimit dhe blerjes” së vaksinës ruse Sputnik V dhe e kishin quajtur atë “ilegjitime dhe të rrezikshme”.
Në këtë letër të publikuar më 31 janar në faqen e IRIMC, thuhet se Sputnik V nuk është miratuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe se “efektshmëria dhe siguria e saj në vendin e origjinës ka qenë e diskutueshme.”
Këshilli Mjekësor thotë se një informacion transparent mbi fazën e kërkimit dhe prodhimit të Sputnik V ka qenë i paaksesueshëm.