Të premten, regjimi iranian paraqiti përgjigjen e tij zyrtare ndaj një propozimi të SHBA-së në lidhje me “tekstin përfundimtar” të marrëveshjes për të rivendosur paktin bërthamor të vitit 2015 ose Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit. Megjithatë, autoritetet e regjimit dhe mediat shtetërore nuk kanë qenë të qartë për këtë temë, duke shmangur afatet apo angazhimet dhe duke deklaruar në mënyrë eksplicite se procesi i negociatave mund të zgjasë deri në shtator.
Ndërkohë, 50 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA i kanë shkruar një letër Presidentit të SHBA duke i kërkuar administratës së tij që më mirë të largohet nga ky proces dhe të pranojë rënien e JCPOA, se sa të rrezikojë zbatimin e një marrëveshjeje që i ofron përfitime të mëdha regjimit iranian dhe që ndërkohë nuk arrin të ndalojë përfundimisht përparimin e tij drejt një arme bërthamore.
Shqetësimet për këtë progres u përforcuan sërish të mërkurën kur Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike lëshoi një raport që konfirmoi se një kompleks bërthamor nëntokësor në Natanz kishte filluar ta fusin uranium përmes të dytës nga tre “kaskadat” e centrifugave të avancuara të pasurimit. Kjo lëvizje shënon më të fundit në një seri të gjatë përshkallëzimesh të regjimit iranian, me qëllim të dukshëm për të ushtruar presion ndaj partnerëve të tij negociues perëndimorë që të pranojnë pikat përfundimtare të mosmarrëveshjes mbi JCPOA.
Sipas kushteve të marrëveshjes së vitit 2015, regjimi iranian pritej të kufizonte pasurimin e tij në 3.67 për qind dhe të shmangte grumbullimin e më shumë se 300 kg të substancës. Sot, regjimi po pasuron uraniumin në 60 për qind, duke e çuar atë vetëm një hap të vogël teknik larg nivelit të nevojshëm për prodhimin e armëve, dhe rezervat e tij janë rritur në të paktën 3,800 kg, duke i dhënë regjimit mjaftueshëm për të prodhuar një armë bërthamore nëse vendos të bëjë këtë.
Pyetje të reja u ngritën mbi pasojat e mundshme të këtyre përparimeve të dielën kur detajet e të ashtuquajturit tekst përfundimtar arritën në shtypin ndërkombëtar. Tani parashikohet që rizbatimi i plotë i JCPOA do të bëhet në katër faza gjatë 165 ditëve, por aktualisht është e paqartë nëse ky proces do të përfshijë vendosjen e kufizimeve thelbësore mbi aktivitetin bërthamor të regjimit iranian përpara apo pasi regjimi të fitojë akses në asetet e pa ngrira dhe përfitime të tjera ekonomike.
Që kur negociatat për ringjalljen e JCPOA filluan në Vjenë gati 18 muaj më parë, zyrtarët iranianë kanë argumentuar se SHBA duhet të heqë të gjitha sanksionet ndaj regjimit përpara se të rifillojnë pajtueshmërinë aktive me kushtet fillestare. Në disa raste, këta zyrtarë madje arritën deri aty sa të argumentonin se duhet të ketë kohë që përfitimet të akumulohen përpara se të pritet një pajtueshmëri e tillë. Dhe ndoshta më alarmantja është se, një pikë kyçe në negociata që nga fundi i vitit të kaluar ka qenë këmbëngulja e Teheranit që SHBA ta heqë grupin konservator paramilitar të regjimit, Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike, nga lista e organizatave të huaja terroriste, si parakusht për çdo marrëveshje.
Në vazhdën e prezantimit të “teksit përfundimtar” të Bashkimit Europian në gusht, zyrtarët amerikanë filluan të shprehnin optimizëm më të madh për perspektivat për një përparim, ndërsa pretendonin se Teherani më në fund kishte hequr dorë nga ultimatumi në lidhje me IRGC-në. Megjithatë, nënshkruesit e letrës të së enjtes drejtuar Presidentit të SHBA-së – 34 demokratë dhe 16 republikanë – shprehën skepticizëm në këtë pikë, gjë që përputhej me raportet në mediat shtetërore iraniane që sugjeronin se Teherani thjesht kishte ndryshuar rrugën për të kërkuar lehtësimin nga sanksionet, në vend të heqjes së plotë të etiketimit terrorist.
“Dispozita e raportuar e lartpërmendur krijon një precedent shqetësues,” shkruajnë ligjvënësit amerikanë duke iu referuar një fragmenti nga draft-teksti i sapo publikuar. “Ne jemi të shqetësuar se kjo mund të zbehë ndjeshëm efektivitetin e sanksioneve ndaj IRGC-së (krahu terrorist paramilitar i Iranit) të lidhura me terrorizmin, dhe mund t’i sigurojë organizatës një shteg për shmangien e sanksioneve.”
Edhe pse kreu i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka shprehur besimin se procesi do të përfundojë brenda disa ditësh, ministri i jashtëm i regjimit iranian, Hossein Amir-Abdollahian, përforcoi idenë se ky proces do të zgjasë gjatë gjithë shtatorit kur deklaroi se ka ende çështje ” në tekst të cilat duhet t’i forcojmë.”
Amir-Abdollahian iu referua në mënyrë specifike kërkesës së vazhdueshme të Teheranit për mbylljen e hetimit të IAEA-së mbi dimensionet e kaluara ushtarake të programit bërthamor iranian – një hetim që mbetet i hapur vetëm sepse autoritetet e regjimit kanë refuzuar të japin shpjegime të plota dhe të besueshme për praninë e materialit bërthamor në tre komplekse të padeklaruara në të cilat agjencia mori mostra pas zbatimit të JCPOA.
Pavarësisht nëse e ardhmja e këtij hetimi trajtohet drejtpërdrejt në marrëveshjen në pritje midis regjimit iranian dhe gjashtë fuqive botërore, fakti mbetet se këmbëngulja e vazhdueshme e Teheranit për ndryshime të mëtejshme hedh poshtë pretendimin e palëve perëndimore se ato nuk janë të hapura për të bërë ndonjë kompromis shtesë për të shpëtuar marrëveshjen.