Saturday, July 27, 2024

Elitat e Iranit Kanë Ikur ‘Përgjithmonë’

Më 29 gusht, e përditshmja shtetërore e regjimit iranian, Etemad, botoi një artikull të titulluar “Ata kanë ikur përgjithmonë”, i cili tregonte situatën kritike të “shterimit të trurit” në Iran. Presidenti i regjimit Ebrahim Raisi urdhëroi Qendrën për Studime Strategjike Presidenciale të zbatojë planin e “mbajtjes së elitave dhe rikthimit të emigrantëve”.

Megjithatë, në kundërshtim me pretendimin e regjimit për suksesin e këtij plani, mediat shtetërore po shkruajnë për dështimin e tij.

Etemad numëroi arsyet e numrit të lartë të migrimeve të elitave, duke thënë: “Premtime të panumërta të paplotësuara të qeverive për reformimin dhe zgjidhjen e sfidave politike, ekonomike dhe sociale, përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve në vend, dhënien fund korrupsionit ekonomik dhe diskriminimit social dhe ekonomik në të gjitha nivelet e shoqërisë, janë ndër arsyet më të rëndësishme për vendimin e një numri të madh mjekësh për t’u larguar përgjithmonë.”

Sipas një deklarate të Organizatës së Sistemit Mjekësor të regjimit tre vjet më parë, mes viteve 2011 dhe 2018, “numri i kërkesave të mjekëve për të marrë çertifikatën profesionale “Good Standing”(që u lejon të praktikojnë profesionin jashtë vendit) u rrit në 1000 në vit dhe parashikimet tregonin se në këto 7 vite, 300 deri në 350 mjekë të përgjithshëm dhe 300 mjekë specialistë kanë emigruar jashtë vendit”.

Etemad gjithashtu raportoi se “sipas statistikave zyrtare, numri i studentëve iranianë jashtë vendit u rrit nga 44,000 në më shumë se 59,000 midis 2010 dhe 2019”. Rreth 10,000 nga të gjithë studentët emigrantë iranianë studionin në fusha mjekësore.

Etemad shtoi, “Në tre vitet e fundit, numri i kërkesave të mjekëve për të marrë aprovime profesionale nga organizata e sistemit mjekësor është rritur në më shumë se 4000 në vit. Kjo rritje e trefishtë gjatë këtyre tre viteve tregon se kushtet që detyruan një grup elitash në vend të emigronin janë bërë edhe më zhgënjyese. Kështu, të diplomuarit e mjekësisë preferojnë të përballen me vështirësitë e largimit nga vendlindja e tyre.”

Në gusht, ndërsa kabineti i ministrave të regjimit vendosi të rrisë të ardhurat vjetore të mjekëve deri në 120 milionë rialë, elitat e vendit nuk presin ndonjë progres, dhe i konsiderojnë aplikime të tilla nga qeveria si premtime boshe që janë dhënë shumë herë gjatë viteve të fundit, për shkak të trazirave politike, sociale dhe ekonomike.

Një fakt i qartë për paaftësinë e regjimit është mungesa e mjekëve specialistë për rajonet dhe qytetet e thella të vendit. Për shkak të mungesës së mjekëve në zonat e thella, flitet për një plan për punësimin e mjekëve jo vendas, i cili u cilësua si një ‘plan i detyrueshëm’ nga e përditshmja Etemad, ku mjekët do të duhej të shërbenin në zona të thella për të paktën dy vjet.

Ajo që njerëzit vuajnë kryesisht në këto zona është mungesa e ujit të pijshëm të sigurt, rrugëve dhe infrastrukturës së zakonshme, si interneti dhe rrjetet e telefonisë celulare.

Sipas Etemad, “Disa nga të diplomuarit në fushën e mjekësisë dhe paramjekësisë kanë shkuar në një universitet mjekësor jashtë vendit për të vazhduar studimet e tyre të specializuara gjatë viteve të fundit. Pas përfundimit të studimeve dhe marrjes së diplomave të specializuara, për të lehtësuar kthimin e këtij grupi elitash dhe për të rritur numrin e të rikthyerve, nuk është dhënë asnjë mundësi”.

Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë të regjimit, ndër të diplomuarit e mjekësisë që kanë emigruar në 10 vitet e fundit, “një numër shumë i vogël prej rreth 2000 personash dhe më pak se 15% kanë kërkuar të kthehen në vend, dhe sigurisht, për ata që donin të ktheheshin, nuk u ofruan stimuj dhe lehtësi.”

Më keq akoma, regjimi ka vendosur të ndërhyjë në jetën private dhe vendimet e këtyre elitave, duke mos pasur zgjidhje të përshtatshme për emigracionin masiv të këtyre njerëzve.

Më tej, e përditshmja Etemad shkruante se në fillim të gushtit, zëvendës-kancelari i arsimit në Ministrinë e Shëndetësisë të regjimit njoftoi rizbatimin e planit për kufizimin e dokumentave për mjekët që vendosin të emigrojnë jashtë vendit.

Sipas këtij njoftimi, “Aplikantët për shkollim me shpenzime personale jashtë vendit, deri në përfundimin e periudhës së planifikimit në zonat e përzgjedhura, nuk do të marrin çertifikata diplomimi, nëse nuk paguajnë garanci të mëdha mbi 200 milionë rialë, ose në formën e dokumenteve të pronësisë. Pasi të angazhohen për të shërbyer pas diplomimit në një universitet të huaj, ata do të marrin vetëm dokumente arsimore dhe një çertifikatë të përkohshme mjekësore”.

Sipas kësaj logjike, nëse nuk zbatohet ky ligj; dokumentat e të diplomuarve nuk do të lëshohen.

Ky plan ka sjellë protesta dhe kritika të shumta nga elitat, të cilat e kanë konsideruar si ndërhyrje të qeverisë në jetën dhe vendimet e tyre personale.