Saturday, July 27, 2024

Për të Ndaluar Terrorizmin në Emër të Islamit, Merrni në Shënjestër Zemrën e Tij në Teheran

Prof. Alejo Vidal Quadras

Pas vdekjes së kreut të Shtetit Islamik, Abu Ibrahim al Qurayshi, në një sulm ushtarak amerikan të enjten më 3 shkurt, presidenti Joe Biden nënvizoi se “ky udhëheqës i tmerrshëm terrorist nuk është më.” Është e vërtetë që kjo fitore duhet duartrokitur, por a ka marrë fund terrorizmi nën flamurin e Islamit?

Administrata Biden vërtet u dha një goditje të madhe terroristëve të IS. Por lufta e saj kundër terrorizmit është në kontrast të plotë me përqasjen e dobët që ajo ka ndaj shtetit më aktiv sponsorizues të terrorizmit në botë sot, pasi po përpiqet të ringjallë marrëveshjen bërthamore të 2015-ës, e cila ka të meta fatale.

Marrëveshja e vitit 2015, e njohur zakonisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), u siguroi mullahëve një mal me para në këmbim të kufizimeve pothuajse sipërfaqësore në programin e tyre bërthamor klandestin.

Teokracia që sundon Iranin i përdori këto para për të vazhduar mbështetjen ndaj regjimit vrasës të Bashar-al Asadit, për të nxitur një spastrim sektar në Irak nën emrin e luftimit të ISIS-it, për të financuar dhe armatosur Hezbollahun terrorist në Liban, dhe për të financuar e trajnuar Houthi-t në Jemen, shënjestrat e të cilëve tani kanë shkuar përtej Arabisë Saudite.

Terrorizmi nën flamurin e Islamit është bërë një kërcënim global, por nuk duhet të harrojmë se nga e ka origjinën ky kërcënim. Kur Ruhollah Khomeini themeloi “Shtetin Islamik” në Iran në shkurt 1979, ai bëri thirrje shprehimisht për krijimin e një Gjysmëhëne Shi’ite. Mullahët kanë institucionalizuar eksportin e “revolucionit”, që është interpretimi i tyre ekstremist i Islamit.

Teherani e zgjati luftën shkatërrimtare me Irakun për tetë vjet, duke lënë miliona të vdekur nga të dyja palët dhe duke dëmtuar rëndë infrastrukturën e të dy vendeve. Khomeini ishte zotuar ta vazhdonte luftën Iran-Irak “deri në prishjen e shtëpisë së fundit në Teheran”.

Khomeini vdiq shpejt pas luftës, por pasuesi i tij, Ali Khamenei, e ka vazhduar trashëgiminë e tij deri më sot. Teherani formoi Forcën ekstraterritoriale Quds të Gardës Revolucionare (IRGC) në 1989-ën për të vazhduar politikat e saj luftënxitëse. Komandanti i Forcave Quds, Qassem Soleimani, i vrarë nga një sulm me dron në vitin 2020, orkestronte operacionet terroriste të regjimit në Lindjen e Mesme.

Por terrorizmi i shfrenuar i Teheranit nuk ka qenë i kufizuar vetëm në këtë rajon. 5 shkurti shënon përvjetorin e dënimit historik të Assadollah Assadi, një diplomat i Teheranit me bazë në Vjenë, i cili kishte komplotuar për të hedhur në erë tubimin e opozitës në Francë në vitin 2018. Assadi ua dorëzoi personalisht bombën dy bashkëpunëtorëve të tij, ndërsa një operativ i tretë u arrestua në Francë. Gjykata në Anversë të Belgjikës dënoi Assadin dhe bashkëpunëtorët e tij me 15 deri në 20 vjet burg, duke nënvizuar se ky komplot i dështuar ishte një shenjë “terrorizmi shtetëror”.

Vendi që Assadi donte të hidhte në erë, në Francë, ishte i mbushur me afro 100,000 iranianë dhe qindra personalitete ndërkombëtare, duke përfshirë zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë, dhe shumë ligjvënës europianë. Nëse bomba do të kishte shpërthyer, shumë prej tyre së bashku me mijëra të tjerë mund të ishin vrarë ose gjymtuar.

Teherani i ka vazhduar aktivitetet e tij terroriste që nga dënimi i Assadi-t dhe rrjeti që koordinonte Assadi nëpër Europë mbetet i paprekur.

Presidenti Biden dhe ekipi i tij duhet të kenë parasysh se diplomatët iranianë që ata duan të takojnë drejtpërdrejt nuk janë të ndryshëm nga Assadi. Hossain Amir Abdollahian, Ministri i Jashtëm i Teheranit, është mburrur me pafytyrësi se do ta vazhdojë rrugën e Soleimanit.

Regjimi bandit në Teheran e ka bërë të qartë se nuk ka ndër mend t’i japë fund aventurizmit të tij rajonal dhe mbetet i palëkundur në synimin e tij për të zotëruar një bombë atomike. Për këtë, ai ka prodhuar metal uranium, përdorimi i vetëm i të cilit është për një armë, dhe ka pasuruar uranium përtej nivelit të lejuar nga JCPOA. Ndërkohë që zyrtarët perëndimorë zvarriten me negociatat bërthamore dhe hezitojnë ta ndëshkojnë Teheranin për sjelljen e tij agresive, proksit Houthi të mullahëve sulmojnë aleatët amerikanë në rajon.

Me pak fjalë, pa i kërkuar llogari regjimit iranian, pretendimet për luftimin e terrorizmit janë retorikë boshe. ISIS është versioni suni i Shtetit Islamik terrorist që sundon Iranin, i cili ka bërë kërdi në rajon dhe ka vrarë qytetarë iranianë në emër të Islami “shi’it”.

Qeveritë perëndimore, veçanërisht SHBA-ja, duhet të ndërmarrin një politikë të rreptë kundrejt regjimit iranian. Lejimi i Teheranit që të korrë përsëri shuma marramendëse do të rezultonte vetëm në shtim të krizave në rajon. Regjimit nuk duhet t’i jepet asnjë lehtësim sanksionesh. Përkundrazi, mullahët duhet të ndëshkohen për veprimet e tyre. Koka e gjarprit të terrorizmit dhe fondamentalizmit islamik duhet të shtypet në Teheran.

Mosrealizimi i kësaj do të bënte që njerëzit e pafajshëm në Iran dhe në Lindjen e Mesme, si dhe qytetarët e vendeve të tjera, të paguajnë çmimin e lartë të një marrëveshjeje të keqe me një regjim terrorist i cili nuk ka skrupuj për të kryer sulme terroriste për të ruajtur pushtetin e tij.

Dr. Alejo Vidal-Quadras

Alejo Vidal-Quadras, profesor spanjoll i fizikës atomike dhe bërthamore, ka qenë zëvendës-president i parë i Parlamentit Europian nga 2004 deri në 2007. Ai aktualisht është president i Komitetit Ndërkombëtar në Kërkim të Drejtësisë (ISJ) me qendër në Bruksel.