Prof. Sheehan Diskuton Rreth IRGC-së, Protestave në Iran dhe Dosjes Bërthamore – Intervistë

721

27 nëntor 2022

Komiteti i Punëve të Jashtme i NCRI-së realizoi një intervistë me Profesor Ivan Sascha Sheehan për të folur rreth kryengritjes mbarëkombëtare 72-ditore në Iran. Prof. Ivan Sascha Sheehan është drejtor ekzekutiv i Shkollës së Çështjeve Publike dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Baltimore. Ndiqeni atë në

Në vijim teksti i intervistës:

NCRI FAC (Komiteti i Punëve të Jashtme): Tani jemi në javën e 9-të të kryengritjes iraniane. A është e mundur që regjimi iranian të dorëzohet dhe të tërhiqet nëse protestat vazhdojnë?

Prof. Sheehan: Rezultati përfundimtar i kryengritjeve mund të duket i pasigurt. Por ajo që është e qartë dhe e prekshme në këtë moment është se regjimi nuk ka arritur të shuajë ose të paktën ta vërë nën kontroll situatën. Dhe nuk është se Teherani nuk është përpjekur. Autoritetet më të larta, duke përfshirë dyshen e Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei dhe Komandantit të Përgjithshëm të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) Hossein Salami, në disa raste i kanë kërcënuar haptazi protestuesit që të kthehen në shtëpi. Fakti që protestuesit nuk janë tërhequr nuk është vetëm turpërues për regjimin, por ai nxjerr në pah përçarjet dhe dobësitë themelore të Teheranit. Vetëm pak ditë më parë, kreu i gjyqësorit të regjimit i kërcënoi protestuesit me dënim me vdekje. Për më tepër, IRGC është shumë e përfshirë në shtypjen e protestave, duke shpalosur brutalitetin e saj çdo ditë. Por rezistenca e kryengritjes është një shenjë me rëndësi jetike e jetëgjatësisë dhe intensitetit të saj në rritje. Në këtë kuptim, ky mund të quhet një revolucion në zhvillim e sipër, sepse sistemit klerikal po i mbarojnë opsionet dhe njerëzit po fitojnë guxim dhe vrull. Por do të ishte gabim të supozohej se regjimi do të dorëzohet ose do të tërhiqet me dëshirën e tij. Populli do të ketë ende nevojë të vazhdojë kryengritjen dhe rezistencën, veçanërisht kundër forcave shtypëse të teokracisë. Dhe komuniteti ndërkombëtar duhet ta forcojë mbështetjen për popullin iranian, veçanërisht thirrjet e popullit për t’u mbrojtur në mënyrë legjitime me çdo mjet, për t’i rezistuar brutalitetit dhe shtypjes së teokracisë. Kjo do të bëjë të mundur që “revolucioni në zhvillim e sipër” të vazhdojë, duke dobësuar më tej regjimin dhe duke e rrëzuar përfundimisht atë.

IRGC dhe forcat Basij përdorin forca dhunën për të parandaluar demonstratat. A do të ndikojë kjo në protestat në Iran dhe a do të jenë ata në gjendje t’i largojnë protestuesit?

Prof. Sheehan: Deri më tani, megjithë shtypjen e rëndë nga IRGC, protestat kanë vazhduar. Kjo ndodh ndërkohë që, sipas informacioneve të klasifikuara të marra nga Rezistenca Iraniane, Salami dhe komandantë të tjerë të lartë të IRGC-së po udhëheqin përgjigjen e regjimit. Megjithatë protestat kanë prekur të paktën 252 qytete. Pavarësisht kostos së rëndë të pjesëmarrjes në protestat në rrugë – deri më tani mbi 660 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 30,000 të tjerë janë arrestuar – të rinjtë janë të palëkundur dhe gratë vazhdojnë të udhëheqin kryengritjen. Ka shenja të tjera që njerëzit janë më të patrembur dhe më të vendosur se kurrë. Disa nga veprimet shtypëse dhe vrasjet më të rënda kanë ndodhur në Sistan dhe Baluchestan gjatë dy muajve të fundit. Megjithatë, edhe të premten, më 10 nëntor, njerëzit protestuan me më shumë egërsi. Tubime proteste u raportuan në Zahedan, Khash, Rask dhe Saravan. Njerëzit thërrisnin slogane si “Vdekje Khameneit!” dhe “Vdekje forcave Basij!” Edhe kur forcat e sigurisë hapën zjarr dhe u përpoqën të shpërndanin protestuesit, tubimet vazhduan. Në të 40-tat e vdekjes së çdo dëshmori, njerëzit gjejnë rastin të ngrihen përsëri, gjë që tregon për shtim të protestave të ardhshme dhe përleshjeve me regjimin. Fakti që protestuesit nuk kanë më frikë shënoi një kthesë të rëndësishme në këtë betejë. Siç kanë zbuluar shumë media, si Reuters, CNN apo New York Times, për shembull: “Unë kam një jetë dhe dua ta jetoj në liri,” tha Shideh, 17 vjeç. “Ne nuk kemi frikë nga vrasja. Në fund do ta ndryshojmë regjimin.” Faktet në terren flasin vetë dhe njerëzit po tregojnë se janë të vendosur për ta rrëzuar regjimin pavarësisht shtypjes brutale.

A mund të shohim një rikthim të marrëveshjes bërthamore të Iranit?

Prof. Sheehan: Edhe në kulmin e shpresave perëndimore për një rikthim në marrëveshje, Teherani po e bllokonte qëllimisht atë dhe po përdorte taktika për ta vonuar, duke treguar se nuk e dëshironte seriozisht një rezultat të suksesshëm për të gjitha palët. Kjo nuk duhet të vijë si e papritur. Për dekada të tëra, Teherani ka paraqitur vazhdimisht modele sjelljeje mashtruese për të çuar përpara ambiciet e tij bërthamore. Ai e ka përdorur procesin e negociatave për të reduktuar kontrollin ndërkombëtar, ndërkohë që i afrohet bombës bërthamore. Edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes (JCPOA-së) së parë, Teherani i ka shkelur kushtet vazhdimisht. Në dhjetor 2015, Instituti për Shkencën dhe Sigurinë Ndërkombëtare publikoi një analizë të një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) mbi dimensionet e mundshme ushtarake të programit bërthamor të Iranit. Aty thuhej se Teherani kishte shkelur JCPOA-në duke refuzuar të bashkëpunonte me IAEA-në për dimensionet e mundshme ushtarake të këtij programi. Në vitin 2017, inteligjenca gjermane tha se edhe kur SHBA ishte ende pjesë e JCPOA-së, regjimi ishte përpjekur mbi 100 herë të shtinte në dorë teknologji të paligjshme bërthamore. Edhe Rezistenca Iraniane i ka zbuluar në shumë raste aktivitetet që regjimi kryente me qëllim zotërimin e bombës, duke përfshirë aktivitetet e vazhdueshme kërkimore dhe zhvillimore në kompleksin ushtarak Parchin në vitin 2017, të zhvilluara larg syrit të IAEA-së. Sot, me trazirat e vazhdueshme në Iran dhe me opinionin publik ndërkombëtar që po i kushton vëmendje luftës së popullit iranian për demokraci, është bërë edhe më e pamundur për fuqitë perëndimore që të punojnë për një marrëveshje me djallin.

A mund të ndihmojnë kriza ekonomike e Iranit dhe demonstratat për t’i nxjerrë gjërat jashtë kontrollit të regjimit?

Prof. Sheehan: Teokracia tashmë e ka tejzgjatur qëndrimin e saj. Për 43 vitet e fundit, ajo ka qenë e rrethuar nga kriza të shumta ekzistenciale, por ka arritur të mbajë kontrollin vetëm përmes masakrave, vrasjeve, burgosjeve, torturave dhe brutalitetit. Në një rast në vitin 1988, ajo vrau të paktën 30,000 të burgosur politikë, mbi 90% e të cilëve ishin anëtarë të opozitës kryesore Mujahedin-e Khalq (MEK). Por tani gjërat po arrijnë aty ku s’mban më. Sipas statistikave zyrtare, më shumë se dy të tretat e popullsisë jetojnë në varfëri të skajshme dhe norma e inflacionit po kap majat. Në thelb të trazirave që po ziejnë është antipatia e thellë e publikut ndaj dekadave të tëra plot keqmenaxhim ekonomik, korrupsion të institucionalizuar, thellim të krizave sociale dhe shtypje në pothuajse çdo sferë të shoqërisë. Në këto rrethana, regjimi me siguri do ta humbasë kontrollin. Është vetëm çështje kohe.

A do të vendosen më shumë sanksione kundër regjimit iranian, veçanërisht pasi nuk është arritur një zgjidhje për rikthimin e marrëveshjes bërthamore?

Prof. Sheehan: Është vërtetë e domosdoshme të rivendosen gjashtë rezolutat e pezulluara të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në lidhje me sanksionet ndaj regjimit iranian. Por sanksionet nuk mjaftojnë. Historia ka treguar herë pas here se politika e duhur ndaj regjimit iranian nuk është toleranca dhe dialogu, por rreptësia dhe vendosmëria. Kryeqytetet perëndimore duhet të jenë të vetëdijshme për këtë realitet. Gjatë dy muajve të fundit të kryengritjeve, regjimi ka vrarë dhjetëra fëmijë. Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të vazhdojë të negociojë me një teokraci fëmijëvrasëse. Si pjesë e një politike vendimtare, regjimi duhet të dëbohet nga Kombet e Bashkuara dhe nga të gjitha institucionet e saj. Është kritike që komuniteti ndërkombëtar të njohë të drejtën e popullit iranian për vetëmbrojtje dhe për të përmbysur regjimin, duke pranuar se lufta e të rinjve kundër IRGC-së është legjitime dhe e nevojshme. Ambasadat e regjimit në vendet perëndimore duhet të mbyllen. Dhe IRGC-ja represive duhet të cilësohet si një entitet terrorist.