Saturday, July 27, 2024

Iran: 33 vite pas masakrës së 1988-ës, a do të vihet në vend drejtësia?  

summer of 1988, more than 30,000 political prisonersNga Hossein Farsi

Kur regjimi iranian po kryente masakrën e 1988-ës, mua po më mbanin në burgun Gohardasht me akuzën e mbështetjes për Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK). MEK, që është ende zëri kryesor për një alternativë demokratike ndaj diktaturës aktuale, ishte shënjestra kryesore e masakrës, dhe mbi 90 përqind e 30,000 viktimave ishin anëtarë të saj. Atë vit, pavijone të tëra burgjesh u asgjësuan brenda vetëm tre muajsh. Shokët dhe kolegët e mi janë ekzekutuar të gjithë, kështu që për 33 vite, unë kam mbajtur barrën e rëndë të përgjegjësisë për ta nderuar kujtimin e tyre dhe për të kërkuar drejtësi në emër të tyre.

Fatkeqësisht, gjatë gjithë kësaj kohe, pjesa më e madhe e këtyre përpjekjeve janë penguar nga këmbëngulja e komunitetit ndërkombëtar për të mos vepruar lidhur me krimet e regjimit iranian në të shkuarën. MEK dhe Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit kanë punuar pa pushim për të nxitur kryerjen e hetimeve zyrtare mbi masakrën e 1988-ës dhe për të theksuar që hetime të tilla do t’i hapnin rrugë pa dyshim ndjekjes penale ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit. Muajt e fundit, një numër ekspertësh ligjorë kanë argumentuar madje që autorët e masakrës së 1988-ës duhet të përballen me akuzën e gjenocidit, mbi bazën e provave se vrasjet kanë qenë të motivuara jo vetëm nga një armiqësi kundrejt ideve politike të MEK, por edhe nga roli i kësaj organizate si mishërim i pikëpamjeve të vërteta islamike.

Ky argument ligjor iu prezantua komunitetit ndërkombëtar gjatë konferencave të organizuara si përgjigje ndaj “përzgjedhjes” në qershor të presidentit të ri të regjimit, Ebrahim Raisi. Në 1988-ën, Raisi ishte zëvendës prokuror i Teheranit, dhe menjëherë para masakrës, ai e kapi mundësinë për të shërbyer si një nga katër zyrtarët në “komisionin e vdekjes” i cili mbikëqyrte vrasjet në burgjet e Teheranit dhe Gohardasht. Komisioni i vdekjes kishte për detyrë t’i merrte në pyetje të burgosurit politikë për sa i përket pikëpamjeve dhe përkatësive të tyre politike, dhe përgjithësisht bënte vetëm një pyetje për të përcaktuar nëse i pandehuri mund të cilësohej si “armik i Zotit” bazuar në mbështetjen për MEK-un.

“Proceset gjyqësore” përpara këtij komisioni të vdekjes ndonjëherë zgjatnin vetëm një minutë përpara se Raisi dhe kolegët e tij të jepnin urdhër për ekzekutimin e të burgosurit. Shumë nga viktimat kishin patur më parë dënime më të buta, dhe disa madje e kishin mbaruar plotësisht dënimin. Por kjo nuk ua ndaloi autoriteteve ta zbatonin urdhrin jashtëzakonisht të gjerë e të pamëshirshëm për ekzekutime masive, që përmbahej në fetvan e shkruar nga Lideri Suprem i atëhershëm, Ruhollah Khomeini. Në fakt, komisionet e vdekjes ishin kaq të përkushtuara ndaj implementimit të atij urdhri saqë nuk ngurruan të vrisnin as gra shtatzëna e fëmijë 15-vjeçarë, me qëllimin për ta shfarosur MEK-un plotësisht.

Është e pamundur të ekzagjerohet dëmi që fuqitë perëndimore po i bëjnë reputacioneve të tyre si mbrojtëse të të drejtave njerëzore, si dhe perspektivës për ndryshim demokratik në Iran, duke mbyllur njërin sy ndaj gjenocidit e krimeve kundër njerëzimit. Pranimi ndërkombëtar i administratës Raisi jo vetëm që ua mohon drejtësinë viktimave të masakrës së 1988-ës, por e trimëron gjithashtu regjimin për të shtypur në mënyrë të ngjashme disidencën në muajt dhe vitet e ardhshme. Kjo bëhet edhe më e dukshme po të kemi parasysh faktin që Raisi e ka shfrytëzuar që më parë pandëshkueshmërinë e tij si kryegjyqtar, duke mbikëqyrur aspekte kyçe të masave agresive që vranë mbi 1,500 njerëz pas shpërthimit të protestave mbarëkombëtare në nëntor 2019.