Saturday, July 27, 2024

Iran: Teherani  Dështon në Përpjekjen për t’i Zbutur Trazirat me Anë të Zgjerimit të Kontrollit mbi Internetin

Ndërkohë që protestat në Iran po i afroheshin fundit të javës së tyre të dytë, parlamenti i regjimit po miratonte ligje për zgjerimin e procedurave të filtrimit për internetin e vendit, i cili ka qenë gjithmonë rreptësisht i kontrolluar. Nëse implementohet, ky ligj i ri do të ndalojë çdo faqe të huaj apo rrjet social që nuk zbaton rregulloret e regjimit ose do të caktojë një përfaqësues iranian për të verifikuar zbatimin e tyre. Ligji do të kërkojë gjithashtu që këto faqe t’i regjistrojnë përdoruesit iranianë dhe t’ua japin të dhënat autoriteteve të regjimit kur ata t’i kërkojnë.

Një numër ekspertësh në hapësirën kibernetike kanë reaguar ndaj këtij lajmi duke vënë në dukje se kjo skemë e Teheranit mund të bëjë që popullsia civile e vendit të privohet nga të gjitha burimet e mëdha ndërkombëtare të informacionit, përfshirë motorin e kërkimit Google. Por po të kemi parasysh historinë e kohëve të fundit, këto kufizime do të hiqeshin për zyrtarët e regjimit dhe individë të tjerë të lidhur me këta zyrtarë. Shumë prej tyre, duke përfshirë Liderin Suprem të regjimit Ali Khamenei, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë aktivë në Twitter, edhe pse ky rrjet është ndaluar zyrtarisht që nga koha e protestave të 2009-ës.

Ky standard i dyfishtë tregon se regjimi iranian ka për qëllim të mbajë një marrëdhënie të njëanshme me informacionin, ose më saktë, me propagandën. Ky qëllim reflektohet edhe në mbylljen e detyruar të gazetave e mediave të tjera të pavarura, gjë që ndodh pothuajse rregullisht, pasi autoritetet e regjimit tentojnë ta kanalizojnë vëmendjen publike drejt mediave shtetërore që janë të pranishme në çdo fushë. Iranianë të panumërt u kundërvihen këtyre përpjekjeve çdo ditë, duke përdorur lidhje satelitore të paligjshme dhe rrjete virtuale proksi (VPN) për t’iu shmangur kufizimeve të qeverisë. Por kjo kundërvënie vetëm sa shërben për të nxjerrë në pah betejën e vazhdueshme e cila e nxit regjimin të jetë gjithmonë në kërkim të mënyrave të reja e më të sofistikuara për forcimin e kontrollit.

Sigurisht, VPN-të dhe transmetimet pirate nuk janë shembujt e vetëm të kësaj mosbindjeje. Edhe vetë disa zyrtarë e media të regjimit e kanë kritikuar miratimin më 28 korrik të projekt-ligjit për filtrimin e internetit, duke argumentuar se mund të rezultojë në një shtim të ri të trazirave publike në një kohë tejet delikate. Protestat që filluan dy javë përpara këtij votimi në parlament ishin të motivuara nga mungesat e ujit në provincën Khuzestan, por brenda pak ditësh, ato kishin frymëzuar demonstrata solidariteti edhe në rajone të tjera, si dhe kishin ringjallur thirrjet për një ndryshim gjithëpërfshirës social dhe për dëbimin e teokracisë që sundon vendin.

Këto demonstrata nënvizuan kontributin e autoriteteve të regjimit në mungesat e ujit përmes projekteve të pakontrolluara të ndërtimit të digave dhe menaxhimit të dobët të burimeve. Duket se rezultati i natyrshëm i këtyre mesazheve ishte lindja e slloganeve të drejtpërdrejta si “nuk e duam Republikën Islamike.” Këto të kujtojnë slloganet që karakterizuan dy kryengritjet mbarëkombëtare që u zhvilluan në janar 2018 dhe nëntor 2019, të cilat u shndërruan në sfidën më të madhe ndaj sistemit në pushtet deri në atë kohë.

Iran Protests: Nationwide Uprising in Iran- November 2019

Më pak se 10 përqind e votuesve të ligjshëm iranianë morën pjesë në ato zgjedhje. Edhe ndër ata që morën pjesë, shumë persona hodhën qëllimisht vota të pavlefshme. Mediat shtetërore iraniane u përpoqën ta reduktonin bojkotin duke i fabrikuar statistikat dhe duke transmetuar pamje të inskenuara të një qendre votimi plot me njerëz në Teheran. Por realiteti i rritjes së fuqisë së popullit u bë gjithsesi i njohur përmes organizimeve të drejtpërdrejta dhe përmes komunikimeve të palejueshme online. Pa dyshim që kjo ndihmoi për të nxitur pjesëmarrjen e njerëzve në protestat e Khuzestanit si dhe në shumë protesta të tjera, duke përfshirë disa protesta që nisën ditën menjëherë pas “zgjedhjes” së Raisi-t.

Iran Election 2021: Empty Polling Stations Across the Country (Compilation vol.1)

Është e qartë që regjimi ka për qëllim që kufizimet e reja të internetit ta ngadalësojnë përhapjen e trazirave, por duke patur parasysh që protestat po vazhdojnë ende, edhe pas bllokimit të plotë të internetit nga autoritetet në rajone të ndryshme, duket se ka shumë pak shanse që kjo skemë të ketë ndopak sukses. Në fakt, përpjekjet e dëshpëruara të regjimit për të penguar organizimet online reflektojnë ekzistencën e një rruge pa krye në të cilën, pavarësisht se sa masa ndërmerr regjimi, protestat [do të] vazhdojnë të përhapen dhe intensifikohen.