Saturday, July 27, 2024

Iran: A “arriti” ndonjë gjë Raisi në Rusi?

Presidenti i regjimit iranian, Ebrahim Raisi udhëtoi për në Rusi të mërkurën në mes të bisedimeve bërthamore që zhvillohen në Vjenë midis Teheranit dhe fuqive botërore.

Udhëtimi në Rusi është në kundërshtim të plotë me sloganin e ashtuquajtur “as Perëndim as Lindje” të regjimit, që është i gdhendur në hyrje të Ministrisë së Jashtme. Udhëtimi i fundit i Raisit në Rusi konfirmon se regjimi po kapet pas fijes së kashtës për të shpëtuar veten nga përmbysja.

Ekonomia e Iranit është në rrënim për shkak të keqmenaxhimit të teokracisë në pushtet, korrupsionit, paaftësisë, sanksioneve dhe pandemisë Covid-19. Norma e inflacionit qëndron në rreth 40 për qind dhe monedha kombëtare e Iranit ka humbur me shpejtësi vlerën e saj. Protestat e iranianëve nga të gjitha sferat e jetës kanë përfshirë të gjithë vendin. Gjatë  këtyre protestave, populli, në thirrjet e tij, merr në shënjestër të tërë regjimin. E ardhmja e bisedimeve bërthamore në Vienë duket e zymtë për shkak të shantazheve dhe qëndrimit maksimalist të regjimit. Me pak fjalë, koha nuk është në anën e Teheranit.

Ndërkohë, mediat shtetërore paralajmërojnë për një tjetër kryengritje popullore. E përditshmja Mostaghel paralajmëroi më 19 janar se “tsunami i krizave sociale ka shkaktuar shumë pakënaqësi” dhe do të rezultojë në “shpërthim problemesh të mëdha” të cilat “mund të jenë shumë të rrezikshme dhe të çojnë në kolaps”.

Shumë nga zyrtarët e regjimit u tallën me udhëtimin e Raisit në Rusi dhe atë të ministrit të jashtëm në Kinë. Ata pyesnin me sarkazëm për sloganin “as Perëndim, as Lindje”. Si përgjigje, zëdhënësja e Liderit Suprem, e përditshmja Kayhan, pohoi më 19 janar: “Në sloganin ‘as Perëndim as Lindje’, ne nuk po flasim për drejtime gjeografike. Ky slogan ishte për kohët e vjetra.”

Me pak fjalë, udhëtimi i Raisit në Rusi tregon se regjimi është në një rrugë qorre. Por, gjithsesi, ka disa spekulime të rëndësishme për motivin e kësaj vizite.

Së pari, Teherani ka nevojë dëshpërimisht për ndihmë financiare dhe ndryshe nga marrëveshja bërthamore e 2015-ës, qeveritë perëndimore nuk janë të gatshme t’u japin një tjetër thes me para Ajatollahëve. Përveç kësaj, sanksionet nuk do të hiqen në një të ardhme të afërt. Prandaj, për të parandaluar mbytjen e tij ekonomike, regjimi duhet t’i drejtohet Rusisë për të zgjeruar tregtinë.

Por Rusia nuk mund t’i ofrojë zgjidhje regjimit iranian. Së pari, Rusia është nën sanksione ndërkombëtare dhe përballet me sfida serioze ekonomike. Pra, ajo nuk do të sakrifikonte ta ndihmonte regjimin duke rrezikuar të goditet me më shumë sanksione ose të paguajë çmimin e rëndë të shkeljes së sanksioneve të vendosura ndaj Teheranit. Më 15 korrik 2020, uebsajti shtetëror Shan citoi Eshaq Jahangiri, ish-zëvendëspresidentin e regjimit, duke pranuar se Teherani nuk “beson se Rusia dhe Kina do t’u binden sanksioneve”.

Së dyti, ndoshta Rusia kërkon të fitojë një avantazh ekonomik dhe politik ndaj Iranit. Ka disa spekulime se Kremlini dëshiron t’i shesë avionët luftarakë Sukhoi regjimit iranian, sepse Egjipti dhe Algjeria kanë anuluar kontratat e tyre për shkak të sanksioneve të SHBA-së kundër Rusisë.

Regjimi ka probleme në bisedimet bërthamore me vendet perëndimore. Kështu, ndoshta Rusia kërkon t’i shfrytëzojë marrëdhëniet e saj me Teheranin si avantazh në krizën e saj me Ukrainën për të fituar lëshime nga fuqitë perëndimore.

Mund të thuhet pa frikë se Teherani do të humbasë. Sepse, siç theksoi e përditshmja shtetërore Etemad më 19 janar, “Rusia mendon vetëm për interesat e veta dhe nuk mund t’i besohet asaj.” Regjimi ka përvojën e hidhur të dënimit të Teheranit nga Rusia në Këshillin e Sigurimit.

“Ne menduam se Rusia do të vinte veton ndaj rezolutës kundër Iranit në Këshillin e Sigurimit. Por jo vetëm që nuk vuri veton, por votoi edhe kundër nesh. [Rusia] madje refuzoi të paktën të largohej nga takimi i Këshillit apo të abstenonte,” tha më 19 janar Nematollah Izadi, ambasadori i fundit i Iranit në Bashkimin Sovjetik.

Iran sought nuclear weapons from Russia: former Iranian ambassador to Moscow

Së treti, regjimi në Teheran po manovron tani me politikën e tij “vështrim nga lindja” në mes të negociatave bërthamore, dhe pretendon se synon t’i shfrytëzojë problemet aktuale midis fuqive perëndimore dhe Rusisë e Kinës dhe t’i bashkohet “bllokut lindor,” e të peshkojë në ujëra të trazuara.

Kjo nuk ka gjasa të ndodhë pasi regjimi ka dëshpërimisht nevojë për heqjen e sanksioneve të SHBA. Shoqëria e trazuar iraniane me protestat e saj të përditshme i jep mesazhin regjimit të brishtë të Iranit se nuk ka kohë për “prova dhe gabime”, siç përshkruhet nga mediat shtetërore.

Përveç kësaj, kundërshtarët rajonalë të Teheranit po e rrisin presionin ndaj qeverive perëndimore që të mos i nënshtrohen shantazheve bërthamore të regjimit.

Edhe ideja e Teheranit se tregtia me Rusinë dhe Kinën mund të ndihmojë 85 milionë njerëz ose të paktën ta ndihmojë regjimin për të financuar aktivitetet e tij të paligjshme është po aq e gabuar. Ministri i Jashtëm i Raisit reklamon marrëveshjen 25-vjeçare Iran-Kinë, por investimet e premtuara ende nuk janë realizuar pasi Pekini ka ngurruar të injektojë shuma masive në një vend të sanksionuar si Irani.

Me fjalë të tjera, udhëtimi i Raisit në Rusi dhe politika “vështrim nga lindja” e regjimit është si të biesh nga shiu në breshër. Kjo politikë nuk është përparim për regjimin, ajo më tepër nënkupton dëshpërimin e mullahëve, të cilët po kapen pas çdo gjëje që munden si një njeri që është duke u mbytur në det. Regjimi po përballet me një shoqëri shpërthyese brenda vendit dhe një popullsi që dëshiron ndryshim regjimi. Ky është një problem që as Rusia dhe as Kina nuk mund ta zgjidhin.