Saturday, July 27, 2024

Në Rrezik Jeta e Ali Younesi & Amirhossein Moradi

Amir Hossein Moradi, student i fizikës, dhe Ali Younesi, student i inxhinierisë kompjuterike në Universitetin e Teknologjisë Sharif, u arrestuan në Iran më 10 prill 2020, nga oficerë me veshje civile të regjimit pa asnjë urdhër, dhe u rrahën rëndë.

Pak pas kësaj ngjarjeje, nga familja e Ali Younesit, u mësua se ai dhe një student tjetër i universitetit të tij, Amir Hossein Moradi, ishin arrestuar nga agjentët e inteligjencës së Gardës Revolucionare (IRGC), dhe çështja u dërgua në Degën 6 të Prokurorisë së burgut Evin, tek një hetues me emrin Jafari.

Ali Younesi dhe Amir Hossein Moradi janë akuzuar për ‘korrupsion mbi tokë’.

Amnesty International tha në një deklaratë të hënën se Ali Younesi dhe Amir Hossein Moradi, dy studentë elitarë iranianë, rrezikojnë të dënohen nga një gjyq shumë i padrejtë dhe se akuzat kundër tyre mbartin dënimin me vdekje.

Amnesty International tha se dy studentët iranianë janë mbajtur në pavijonin 209 të burgut Evin në mënyrë arbitrare dhe pa gjyq. Amnesty International i quajti të rreme akuzat kundër tyre dhe tha se, në bazë të këtyre akuzave, ata mund të dënohen me vdekje. Amnesty International shtoi se agjentët e Ministrisë së Inteligjencës i kanë mbajtur dy studentët në izolim për një kohë të gjatë dhe i kanë rrahur për t’i detyruar të pranojnë se janë fajtorë.

“Autoritetet shkelën të drejtën e tyre për t’u prezumuar të pafajshëm duke i akuzuar publikisht për lidhje me grupe “kundërrevolucionare” me sa duket bazuar në lidhjet reale apo të perceptuara të familjeve të tyre me Organizatën e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit, një grup opozitar me bazë jashtë Iranit.” (Amnesty International, 22 nëntor 2021)

Në regjimin iranian, shënjestrimi i anëtarëve të familjeve të grupeve opozitare me akuza të rreme ka një histori të gjatë. Edhe pse kanë kaluar rreth dy muaj, nuk janë paraqitur as provat më të vogla kundër Younesit dhe Moradit, dhe nisur nga eksperienca e rrëfimeve të detyruara në drejtësinë e regjimit dhe mungesa e aksesit të të pandehurve në një avokat, gjykimi i drejtë i këtyre dy studentëve vështirë se do të realizohet.

Sipas nenit 48 të Kodit të Procedurës Penale iraniane, aksesi në një avokat për personat e akuzuar për krime sigurie kufizohet në një listë avokatësh të miratuar nga gjyqësori. Por, e drejta ndërkombëtare garanton aksesin në një avokat në të gjitha fazat e procedimit penal, përfshirë gjatë marrjes në pyetje, ndjekjes penale dhe gjatë gjykimit të çdo personi të akuzuar për një krim.

 “Dy studentëve u është mohuar aksesi në një avokat të zgjedhur prej tyre gjatë 13 muajve të fundit që nga arrestimi. Ata mbahen në pjesë të veçuara të Seksionit 209 pa gjyq, ku, sipas një të afërmi, atyre u mohohet kujdesi i duhur shëndetësor dhe ajri i pastër, dhe flenë në dysheme. Ali Younesi nuk është vizituar asnjëherë nga një okulist”. (Amnesty International, 22 nëntor 2021)

Thirrja e Amnesty International për veprim urgjent i nxit njerëzit që t’i shkruajnë regjimit, duke thënë: “Ju bëj thirrje që t’i lironi menjëherë dhe pa kushte Ali Younesi-n dhe Amirhossein Moradi-n, të cilët janë ndaluar vetëm mbi bazën e lidhjeve reale ose të perceptuara të familjeve të tyre me grupe opozitare.

Në pritje të kësaj, ju kërkoj të garantoni që ata të mbrohen nga torturat dhe keqtrajtimet e tjera, t’u sigurohet urgjentisht kujdesi mjekësor që u nevojitet dhe t’u jepet mundësia të kontaktojnë me familjet e tyre dhe ta zgjedhin vetë avokatin. Unë gjithashtu ju bëj thirrje që të hapni një hetim të pavarur mbi dyshimet se ata të dy i kanë rrahur pas arrestimit dhe i kanë mbajtur në kushte që shkelin ndalimin absolut të torturës dhe keqtrajtimeve të tjera, me qëllim që përgjegjësit të çohen para drejtësisë me anë të procedurave që përmbushin standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë.” (Amnesty International, 22 nëntor 2021)