Saturday, July 27, 2024

Një Vështrim i Shkurtër në Mediat Shtetërore të Iranit: Populli e Konsideron Regjimin si Rrënja e Problemeve

Më 3 nëntor, mediat shtetërore të Iranit përsëritën paralajmërimet për trazimin e shoqërisë, pak ditë përpara përvjetorit të kryengritjeve të mëdha të Iranit në nëntor 2019 të cilat i shkundën themelet e regjimit. Mediat iraniane kanë pohuar gjithashtu në mënyrë indirekte korrupsionin e institucionalizuar të regjimit.

Kriza e Covid-19 në Iran

Ndërkohë që numri i fataliteteve të COVID-19 në Iran po i afrohet me shpejtësi gjysëm milionit, regjimi vazhdon të mos veprojë dhe përdor mënyra të ndryshme për t’i plaçkitur iranianët e gjorë. Shumë iranianë mezi e sigurojnë jetesën, dhe regjimi refuzon t’i mbështesë. Prandaj ata detyrohen të punojnë deri natën vonë. Regjimi i gjobit njerëzit që lëvizin në orët e vona të natës.

“Mbi 540,000 njerëz në mbarë vendin e kanë shkelur kufizimin e trafikut natën, dhe secili prej tyre është gjobitur 2,000,000 rial. Me fjalë të tjera, mesatarisht 270,000 njerëz kanë lëvizur natën çdo javë, që do të thotë se janë vënë mbi një milion gjoba prej 2,000,000 rialësh në muaj, dhe afërsisht 2.2 trilion toman në muaj [shteti] i fiton vetëm përmes kësaj metode,” shkruan e përditshmja shtetërore Arman.

Varfëria

Ndërkohë, sipas të përditshmes shtetërore Mardom Salarie të mërkurën, “Njerëzit që jetojnë në rrethinat e qyteteve, duke përfshirë lagjet e varfra, përbëjnë 25% të popullsisë totale të vendit.”

Gjithashtu, shumë iranianë që jetojnë në fshatra e kanë gjithnjë e më të vështirë të sigurojnë jetesën për shkak të rritjes së inflacionit dhe çmimeve tejet të larta. Mardom Salarie citon ekonomistin iranian Farshad Momeni, i cili thotë se Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) për fshatrat është pesë herë më i lartë se IÇK urban.

“Ne dhjetë vitet e fundit, kemi parë që IÇK rural ka shkuar mbi pesë-fish më lart sesa IÇK urban. Kudo në botë që të ndodhte kjo, do të ngriheshin shqetësime pasi ky indeks trondit themelin e sigurisë kombëtare dhe e bën të pamundur zhvillimin,” shkruan Mardom Salaries.

Sipas Momeni, “Rezultatet e studimeve, sidomos të studimit të Institutit të Lartë Kërkimor, tregojnë se në tre vitet nga 2017 në 2020-ën, popullsia poshtë kufirit të varfërisë është dyfishuar. Kjo është e paprecedent në shekullin e fundit, dhe duhet të analizohet nga shumë kënde.”

Duke iu referuar masave shtypëse të regjimit për sa i përket krizës sociale, Momeni shton: “Disa zyrtarë i shohin çështjet shoqërore dhe ekonomike nga këndvështrimi i sigurimit, dhe kjo bën që reagimet [e popullit] të qëndrojnë poshtë lëkurës së shoqërisë.”

“Kur situata të bëhet e brishtë, protestat dhe reagimet nuk do të jenë më të parashikueshme apo të kontrollueshme,” paralajmëron Momeni.