Saturday, July 27, 2024

Lejimi i grave në stadiumin e futbollit; “Një marifet cinik publiciteti”

Vdekja tragjike e Sahar Khodayari, e cila ka marrë emrin Vajza Blu dhe që u vetë-flijua pasi mori vesh se do të merrte dënimin me gjashtë muaj burg për pjesëmarrje si spektatore në një ndeshje futbolli, ishte incidenti më i fundit që nxori në pah gjendjen tragjike të grave në Iran nën sundimin e teokracisë misogjiniste.

Vdekja e Sahar krijoi një stuhi zemërimi, duke i detyruar kështu mullahët që të tërhiqeshin përkohësisht. I gjendur përballë një presioni të jashtëzakonshëm nga jashtë, madje me rrezikun e dëbimit nga FIFA, regjimi iranian më në fund u dorëzua dhe lejoi një numër të kufizuar grash të hynin në Stadiumin Azadi të Teheranit për të parë ndeshjen mes Iranit dhe Kamboxhias.

Nga frika e pasojave që mund të sillte prania e grave në stadium, zyrtarët e kufizuan numrin e biletave që do t’u shiteshin grave. Vetëm katër pjesë të stadiumit, me një total prej afërsisht 3,500 vendesh, u caktuan për gratë. Stadiumi Azadi ka një kapacitet prej afërsisht 78,000 vendesh, dhe mund të mbajë rreth 95,000 spektatorë.

Por mos u gënjeni. Siç tha më 9 tetor Philip Luther, Drejtori i Kërkimit dhe Mbrojtjes për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Amnesty International, “Vendimi i Iranit për të lejuar një numër simbolik grash në stadium për ndeshjen e nesërme të futbollit është një marifet cinik publiciteti nga autoritetet, me qëllimin për ta pastruar imazhin e tyre pas zemërimit global lidhur me vdekjen tragjike të Sahar Khodayri.”

 

“Vendimi i Iranit për të lejuar një numër simbolik grash në stadium për ndeshjen e nesërme të futbollit është një marifet cinik publiciteti nga autoritetet, me qëllimin për ta pastruar imazhin e tyre pas zemërimit global lidhur me vdekjen tragjike të Sahar Khodayri” https://www.amnesty.org/en/latest/news/2019/10/iran-limited-allocation-of-football-tickets-for-women-a-cynical-publicity-stunt/ …

Autoritetet iraniane duhet t’i heqin kufizimet ndaj grave për pjesëmarrjen në ndeshjet e futbollit

Vendimi i Iranit për të lejuar një numër simbolik grash në stadiumin Azadi është një marifet cinik publiciteti nga autoritetet

amnesty.org

 

Në të vërtetë, çdo prani publike e grave shihet si kërcënim ndaj ligjeve dhe edikteve drakoniane të mullahëve, roli i të cilave është ta ruajnë shtetin. Prokurori i Teheranit, Mohammad-Jafar Montazeri, ka paralajmëruar se “prania e grave në arenën e futbollit është një lëvizje e llogaritur nga ana e armiqve.”

Pak vite më parë, si përgjigje ndaj një kërkese të ngjashme nga gratë iraniane për të përdorur biçikleta, Lideri Suprem i regjimit Ali Khamenei nxori një fatwa ku shfaqej qartë mendësia e shtrembëruar e klerikëve, dhe ua ndaloi grave të ngisnin biçikleta në publik. “Përdorimi i biçikletave shpesh ua tërheq vëmendjen burrave dhe e ekspozon shoqërinë ndaj korruptimit, duke dhunuar kështu pastërtinë e grave, dhe prandaj duhet të braktiset,” citohet ai nga mediat shtetërore.

Shkelja e të drejtave të grave nën sundimin e mullahëve shkon shumë më thellë sesa moslejimi i tyre për të hyrë në stadiume futbolli apo për të përdorur biçikleta. Ky është vetëm një aspekt i diskriminimit sistematik e të institucionalizuar kundër grave iraniane. Në botëkuptimin mesjetar të mullahëve, gratë konsiderohen qytetare të dorës së dytë. Aparteidi gjinor është ruajtur si i shenjtë në kushtetutën dhe kodet civile e penale të regjimit iranian që nga themelimi i këtij regjimi në 1979-ën. Ai nisi me imponimin e mbulimit të detyrueshëm dhe vazhdoi me mohimin e së drejtës për divorc, për t’u bërë gjykatëse apo presidente, për të udhëtuar vetëm, për të patur akses në shumë fusha të rëndësishme studimesh apo për pjesë të barabarta në trashëgimi.

Në betejën e palodhur për të drejtat e tyre, gratë iraniane e kanë përmbysur situatën në favor të tyre në lidhje me regjimin dhe masat e tij represive. Kundërshtimi i grave u reflektua në pjesëmarrjen e tyre aktive në betejën politike të opozitës demokratike gjatë dy viteve të para pas rënies së Shahut. Gratë e vazhduan rezistencën e tyre duke iu bashkuar radhëve të opozitës së organizuar, Mujahedin-e Khalq (PMOI/MEK) në vitet që pasuan. Jo më pak se 30 përqind e të ekzekutuarve nga regjimi për arsye politike kanë qenë gra. Gratë kanë luajtur gjithashtu një rol kryesor në mijëra protesta kundër regjimit gjatë viteve të fundit, si për shembull në kryengritjen që përfshiu 160 qytete në fund të 2017-ës dhe që vazhdoi edhe gjatë 2018-ës. 

Në luftën për të fituar të drejtat e tyre, gratë e Iranit janë frymëzuar pa dyshim nga motrat e tyre në radhët e MEK dhe të koalicionit të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), ku gratë luajnë role udhëheqëse. Plani me dhjetë pika i Presidentes së zgjedhur të NCRI-së, Maryam Rajavi, e vë theksin tek barazia gjinore në të gjitha aspektet e jetës për gratë, duke përfshirë pjesëmarrjen e barabartë në udhëheqjen politike të vendit pas përmbysjes së mullahëve.