Saturday, July 27, 2024

Teheran Përsërit Kërkesa të Paspecifikuara Ndërkohë që Fajëson SHBA-në për Vonesa në Marrëveshjen Bërthamore

Shkruar nga Alejo Vidal Quadras

Palais Coburg, vendi i një takimi të Planit të Përbashkët Gjithpërfshirës të Veprimit (JCPOA), në Vjenë

Nga: Alejo Vidal-Quadras

Alejo Vidal-Quadras

Të premten e kaluar, regjimi iranian paraqiti përgjigjen e tij zyrtare me shkrim ndaj asaj që Bashkimi Evropian kishte paraqitur si “tekstin përfundimtar” të një marrëveshjeje për të ringjallur paktin bërthamor të Iranit të vitit 2015 apo Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA). Të dielën, zyrtarët amerikanë folën me homologët nga shtetet europiane nënshkruese të marrëveshjes – Britania, Franca dhe Gjermania – për perspektivat e kësaj ringjalljeje, si dhe për nevojën për të mbështetur bashkërisht aleatët e Lindjes së Mesme dhe për të kufizuar rolin e Teheranit në rajon. Dhe të hënën, zyrtarët iranianë akuzuan publikisht Shtetet e Bashkuara për vonimin e finalizimit të procesit për rifillimin e zbatimit reciprok të JCPOA.

Këto akuza janë ironike, duke pasur parasysh se regjimi iranian është konsideruar gjerësisht përgjegjës për një sërë vonesash të mëparshme. Përpjekjet e mëdha për të rikthyer JCPOA-në filluan në mars të vitit të kaluar, por negociatat në kryeqytetin austriak të Vjenës u ndërprenë papritur në qershor pasi Ebrahim Raisi u caktua si presidenti i ri i Iranit. Në pesë muajt që pasuan, Teherani pohoi vazhdimisht se do të duhej të zhvilloheshin diskutime të brendshme përpara se të rihapej dialogu midis regjimit dhe të shteteve të ashtuquajtura P5+1.

Kur bisedimet në Vjenë më në fund rifilluan, Teherani u kthye në tryezën e bisedimeve me një grup të zgjeruar kërkesash dhe një qëndrim diplomatik përgjithësisht më konfrontues. Shumë shpejt, secili nga nënshkruesit perëndimorë po kritikonte regjimin iranian për mbajtjen e qëndrimeve të paarsyeshme që kërcënonin perspektivat për ringjalljen e marrëveshjes. Megjithatë, disa zyrtarë perëndimorë parashikuan se procesi i negociatave do të përfundonte në fillim të vitit 2022, madje arritën deri aty sa caktuan afate jozyrtare për një marrëveshje përfundimtare. Megjithatë, këto afate kaluan pa përparim të dukshëm publikisht dhe në mars, pak më pak se një vit që nga fillimi i negociatave, procesi ngeci përsëri.

Në atë rast, incidenti nxitës thuhet se ishte vendimi i Rusisë për të ndërlikuar bisedimet me një kërkesë për përjashtime specifike të Iranit nga sanksione të reja që shënjestrojnë pushtimin e paprovokuar të Ukrainës. Kjo çështje u duk se u zgjidh shpejt, por Teherani me sa duket e ka shfrytëzuar vonesën për të përforcuar një nga pozicionet e tij kyçe negociuese – atë që kundërshtarët perëndimorë e shpërfillën njëzëri si dështues dhe pa asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me JCPOA. Raisi dhe zyrtarë të tjerë kryesorë thanë në atë kohë se ata do t’i rikthenin përfaqësuesit në Vjenë vetëm për të finalizuar një marrëveshje që pasqyron dorëzimin e Amerikës ndaj kërkesës për heqjen e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike nga lista e organizatave të huaja terroriste e Departamentit të Shtetit.

Kjo çështje mbeti një pengesë edhe pasi regjimi iranian e theu angazhimin e tij duke marrë pjesë në bisedimet e reja, fillimisht në Doha në fund të qershorit dhe më pas përsëri në Vjenë muajin e kaluar. Në të dyja rastet, u raportua se Teherani po këmbëngulte ende për lëshime që SHBA dhe Europa nuk ishin plotësisht të gatshme t’i bënin. Krahas heqjes së IRGC-së nga lista FTO, regjimi kërkoi gjithashtu mbylljen e hetimit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike mbi dimensionet e kaluara ushtarake të programit bërthamor të Iranit, si dhe një formë garancie që Shtetet e Bashkuara nuk do të mund të tërhiqen pa penalitet nga marrëveshja JCPOA e rivendosur, siç bëri në 2018.

Hetimi i IAEA-së mbetet i hapur kryesisht për shkak të refuzimit të Teheranit për të dhënë shpjegime të besueshme dhe të plota për praninë e materialeve bërthamore në mostrat mjedisore nga katër komplekse të padeklaruara, në të cilat agjencia e OKB-së fitoi akses vetëm pasi JCPOA u zbatua për herë të parë.

Raportet të premten treguan se përgjigja me shkrim e Iranit ndaj “teksit përfundimtar” të BE-së nuk përmendte hetimin e IAEA. BE-ja, nga ana tjetër, premtoi se nuk do të kundërshtojë mbylljen e hetimit, me kusht që Teherani të japë përgjigjet e kërkuara përpara se JCPOA të ringjallet zyrtarisht.

Për më tepër, drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi, u tha së fundmi gazetarëve se ai do ta konsideronte “të papranueshme” që hetimi të përfundonte për arsye politike dhe jo sepse ka zbuluar me sukses të gjithë informacionin përkatës.

Rezistenca e unifikuar nga IAEA, BE dhe SHBA mund ta ketë bindur më ne fund Teheranin se është e kotë të kërkosh lëshime për hetimin. Regjimi sigurisht që nuk e ka pranuar këtë, por duke mos përmendur hetimin apo etiketimin terrorist të IRGC-së në përgjigjen me shkrim të javës së kaluar, autoritetet mund të kenë shpresuar t’i zgjidhnin këto çështje në heshtje, duke lejuar regjimin të korrte fitoren ndaj kundërshtarëve perëndimorë. Në të vërtetë, të martën, u raportua në mediat perëndimore se lëshimet kryesore ishin hequr, edhe pse Teherani vazhdoi të pohonte publikisht se i ishin bërë lëshime të reja.

Edhe përpara se teksti përfundimtar t’i paraqitej Teheranit, SHBA kishte deklaruar se regjimi po tërhiqej nga kërkesa e tij për heqjen e IRGC-së nga lista. Megjithatë, në vend që të hiqnin dorë plotësisht nga kjo çështje, autoritetet iraniane u duk se po e shtynin përballjen me të duke pranuar emërtimin terrorist, por duke bërë presion për negociata të mëvonshme për të hequr sanksionet ekonomike ndaj bizneseve të lidhura me IRGC-në.

Nuk ka asnjë indikacion se negociata të tilla do të ndodhin në të vërtetë, por narrativa publike mund të argumentohet se e lejon Teheranin të lavdërojë forcën e tij në negociatat me Perëndimin, ndërkohë që teknikisht heq dorë nga çështjet që ka kërkuar që nga fillimi i procesit për ringjalljen e JCPOA më shumë se 16 muaj më parë.

Edhe nëse kjo e përshkruan me saktësi situatën ashtu siç është, retorika e Teheranit mund të krijojë probleme për ri-implementimin në anën perëndimore. Që nga fillimi, JCPOA ka patur shumë kritikues në rrethet politike amerikane, si dhe në mesin e aleatëve kryesorë të SHBA-së. Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive argumenton se JCPOA e ringjallur do të jetë një “marrëveshje më e dobët” se ajo paraardhëse për shkak se nuk adreson përparimet e fundit në programin bërthamor të Iranit dhe nuk kundërshton klauzolat për mbylljen e marrëveshjes që fillimisht u krijuan me supozimin se Teherani do t’u përmbahej plotësisht kufizimeve të atij programi që nga fillimi i vitit 2016.

Për më tepër, pretendimi se Teherani ka hequr dorë nga kërkesat e tij paraekzistuese vihet në pikëpyetje nga raportet përkatëse që thonë se përgjigjja me shkrim e regjimit kërkonte “rregullime” në “tekstin përfundimtar” të BE-së. Megjithëse shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, e përshkroi atë përgjigje si “të arsyeshme”, është e paqartë se si kërkesat e mëtejshme mund të konsiderohen të pajtueshme me deklaratën e mëparshme të Borrell-it që pohonte se të gjitha mundësitë për kompromis ishin ezauruar në procesin e krijimit të draftit aktual.

Kjo çështje mund të bëhet më e qartë pasi SHBA të përfundojë shqyrtimin e përgjigjes së Iranit dhe të përgatisë të sajën – gjë që Borrell ka thënë se pret të ndodhë këtë javë. Borrell ka deklaruar gjithashtu se të gjitha palët e tjera në JCPOA kanë rënë dakord tashmë për ringjalljen e propozuar të marrëveshjes. Por për këtë çështje, zyrtarët amerikanë sinjalizuan verbalisht pajtimin me “tekstin përfundimtar” të BE-së përpara se Irani të jepte përgjigjen e tij. Nëse ka ndonjë pyetje të pazgjidhur në lidhje me angazhimin e SHBA-së ndaj marrëveshjes, ato duket se burojnë nga ndryshimet aktuale ose të propozuara, të cilat ende kanë potencialin ose që të prishin marrëveshjen ose që procesi i negociatave të kalojë kufirin 17-mujor.

Alejo Vidal-Quadras, profesor spanjoll i fizikës atomike dhe bërthamore, ka qenë zëvendës president i Parlamentit Europian nga viti 1999  deri në vitin 2014. Ai është aktualisht president i Komitetit Ndërkombëtar në Kërkim të Drejtësisë (ISJ), me bazë në Bruksel