Kryengritja e Popullit të Behbahan me Slloganet “Nuk e Duam Sundimin e Mullahëve” dhe “Mullahët Duhet të Zhduken”

Shkruar nga Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI)

18 korrik 2020

The uprising of the people of Behbahan with the slogans "We do not want the mullahs’ rule" and "The mullahs must get lost"Iran, protestat në Behbahan, 16 korrik 2020

Nga frika e përhapjes së kryengritjes, regjimi klerikal e ndërpreu internetin në Khuzestan dhe arrestoi dhjetëra të rinj.

Që në orët e para të mbrëmjes së të enjtes, më 16 korrik 2020, një numër i madh njerëzish në Behbahan (në Iranin jug-perëndimor) dolën nëpër rrugë duke thirrur “Nuk e duam sundimin e mullahëve”. Protestuesit u grumbulluan në Sheshin e Bankës Melli, përballë ndërtesës së Bankës Melli, që është i njëjti lokacion të cilit protestuesit i vunë zjarrin gjatë kryengritjes së nëntorit 2019 si një simbol i plaçkitjeve e grabitjeve të regjimit.

Njerëzit thërrisnin, “Iranianët më mirë vdesin sesa të pranojnë poshtërimin”, “Turp të kenë Basij, lëreni rehat popullin,” “Basij të paturpshëm,” “Mos kini frikë, jemi të gjithë bashkë,” “Mullahët duhet të zhduken,” “As për Gazan as për Libanin, e jap jetën për Iranin,” “Khamenei, ti je djalli, dhe Irani nuk është trashëgimi e babait tënd,” dhe “Ti, kriminel i keq i larë në gjak, zhduku nga vendi im.”

Në kujtim të Mahmoud dhe Mehrdad Dashtinia, dy nga martirët e kryengritjes së nëntorit në Behbahan, të rinjtë e guximshëm të Behbahan-it thërrisnin: “Dashti, Dashti, pushoni në paqe.” Vëllezërit Dashti janë qëlluar dhe vrarë nga Garda Revolucionare gjatë kryengritjes së nëntorit të shkuar.

I tmerruar nga përhapja e protestave në zona të tjera, regjimi klerikal e ndërpreu internetin në provincën Khuzestan një orë pas fillimit të protestës në Behbahan.

Forcat e Sigurisë së Shtetit (SSF) u dërguan në vendngjarje dhe u përpoqën t’i shpërndanin njerëzit duke qëlluar me gaz lotsjellës. Por të rinjtë nëpër lagje e rrugica rezistuan duke i qëlluar ata me gurë. Disa njerëz u dërguan në spitale, të lënduar nga gazi lotsjellës. Dhjetëra të rinj u arrestuan gjatë përplasjeve me forcat e sigurisë.

Kreu i SSF në Behbahan, Koloneli Mohammad Azizi i IRGC-së, shpalli mëngjesin e sotëm se demonstruesit “jo vetëm që rezistuan pas mbërritjes së SSF, por gjithashtu thërrisnin me sllogane abuzive, dhe për këtë arsye policia mori masa të egra për t’i shpërndarë ata.” Ai kërcënoi se SSF do t’i ndëshkojë në mënyrë të rreptë këto veprimtari.

Duke përshëndetur popullin e rebeluar të Behbahan, Rezistenca Iraniane i bëri thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Komisioneres së Lartë për të Drejtat Njerëzore, si dhe autoriteteve të tjera ndërkombëtare përkatëse që ta dënojnë fort represionin brutal të fashizmit fetar dhe të marrin masa të menjëhershme për të siguruar lirimin e të arrestuarve në Behbahan.

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI)

17 korrik 2020