Instituti i Uashingtonit organizoi një Forum Politike me Ambasadorin Nathan Sales, Koordinatorin e Departamentit të Shtetit për Kundër-terrorizmin, si pjesë të serisë së gjatë të Leksioneve Stein mbi Kundër-terrorizmin. Më poshtë vijon një raport i këtij eventi.
Zyrtari i Lartë i Administratës Trump: Do ta Bëjmë Regjimin e Teheranit të Paguajë për Mbështetjen ndaj Terrorizmit
Regjimi i Teheranit u siguron grupeve terroriste në mbarë Lindjen e Mesme gati një bilion dollarë në vit, tha të martën një zyrtar i lartë i Administratës Trump.
“Kush e paguan çmimin e kësaj mbështetjeje?” Ambasadori dhe Koordinatori për Kundër-terrorizmin, Nathan Sales, pyeti gjatë një leksioni në ‘think tank-un’ e Institutit të Uashingtonit për Politikën e Lindjes së Mesme. “Populli iranian. Burimet që Irani përdor për të financuar fushatën e tij globale terroriste vijnë direkt nga xhepat e iranianëve të thjeshtë. Regjimi grabit shtetasit e vet për të paguar proksit e tij jashtë vendit.”
“Prioritetet e Teheranit janë të qarta,” vazhdoi ai. “Nuk kërkon t’i japë shtysë rritjes ekonomike brenda vendit, apo të përmirësojë standartet e jetesës së iranianëve. Nuk kërkon të ulë papunësinë në rritje të Iranit. Ajo që regjimi ka si prioritet, pavarësisht vështirësive të shtuara ekonomike në vend, është blerja e armëve e bombave për terroristët e huaj.”
Sipas Sales, Irani i jep proksit të tij libanez Shi’a, Hezbollah, $700 milion çdo vit, ndërsa organizatat terroriste palestineze marrin rreth $100 milion nga mullahët në Teheran.
“Falë mbështetjes së Iranit, Hezbollah ka ndërtuar një arsenal të frikshëm,” paralajmëroi Sales. “Ky grup ka tashmë mbi 100,000 raketa në Liban, një grumbullim masiv e destabilizues. Indiferent ndaj njerëzve që pretendon se i mbron, Hezbollah i fsheh fabrikat e raketave në qendra popullsie — duke përdorur në mënyrë efektive civilë të pafajshëm si mburojë njerëzore.”
“Dhe ndërkohë që Hezbollah-ut i pëlqen të shesë rolin e tij politik e shërbimet shoqërore në Liban, ajo është vetëm një mbulesë e keqe nën të cilën fshihet agjenda e tij e vërtetë dhe më e ligë,” shtoi ai. “Të jemi të qartë: Hezbollah nuk është një OJQ; nuk është thjesht një parti politike. Hezbollah është një grup terrorist me një historik gjakatar të dhunës e shkatërrimit në Liban e Siri, në Lindjen e Mesme, e në mbarë botën.”
Liderët iranianë nuk shfaqin sjelljen e një “qeverie normale,” por atë të “një regjimi të jashtëligjshëm që përdor terrorizmin si vegël bazë të qeverisjes,” tha Sales.
“Nuk mund ta lëmë pa përgjigje këtë kërcënim,” deklaroi ai. “Dhe kështu, administrata Trump po përgjigjet. I jemi vënë prapa mbështetjes që Irani i jep terrorizmit në mënyra të ndryshme për të arritur tek njerëzit dhe organizatat që ai përdor për të përhapur terror.”
“Do t’ua bëjmë të qartë terroristëve që mbështeten nga Irani dhe padronëve të tyre në Teheran se ka kosto — gjithnjë e më të rënda — për mbështetjen e tyre ndaj barbarizmit terrorist,” tha Sales. “Jemi të përgatitur t’ia imponojmë këto kosto regjimit dhe proksive të tij kudo që të jenë.”
Administrata Trump, u zotua Sales, “do të vazhdojë ta rrisë presionin derisa Irani të vijë të vete, t’i bashkohet komunitetit të kombeve të qytetëruara, dhe t’i japë fund mbështetjes së tij për vrasjet e kërdinë në mbarë globin.”