Organizata e të drejtave njerëzore Amnesty International i ka bërë thirrje Iranit të nxjerrë informacion rreth statusit të qindra individëve që mbahen nga regjimi iranian. Këta individë janë pjesë e minoritetit etnik arab të Ahvazit dhe u janë mohuar avokatët. Nuk kanë mundur as të kontaktojnë familjet e tyre.
Ka një shqetësim të madh se disa nga individët mund të jenë ekzekutuar tashmë.
Amnesty International ka qenë në kontakt me aktivistët arabë të Ahvazit që jetojnë jashtë vendit, dhe ditët e fundit, ata kanë thënë se regjimi iranian ka vrarë në mënyrë të fshehtë 22 burra, njëri prej të cilëve është Mohammad Momeni Timas, një aktivist i shoqërisë civile.
Organizata ka raportuar më parë se qindra anëtarë të komunitetit arab të Ahvazit janë arrestuar në provincën jugore të Khuzestanit.
Arrestimet erdhën menjëherë pas sulmit mbi një paradë ushtarake në shtator në qytetin Ahvaz. Mbi 60 njerëz u plagosën në këtë sulm të armatosur dhe të paktën 24 njerëz u vranë.
Amnesty International thotë se koha e këtyre arrestimeve është shqetësuese pasi me sa duket autoritetet në Iran po e përdorin sulmin mbi paradën ushtarake për të justifikuar trajtimin e padrejtë të arabëve të Ahvazit. Organizata sugjeron se arrestimet kanë për qëllim të shtypin disidencën në këtë provincë.