Saturday, July 27, 2024

Sulmi në Irak Vret  Anëtarë të Trupave Amerikane e Britanike, Mund të Jenë të Përfshirë Militantë të Mbështetur nga Irani

Irak, baza Taji

Të mërkurën, dy ushtarakë amerikanë dhe një nga Mbretëria e Bashkuar janë vrarë nga një sulm me raketë mbi një kamp ushtarak në Irak, ku janë të stacionuara trupat e koalicionit.

Dy zyrtarë të Shteteve të Bashkuara thanë për Reuters se 15 raketa të vogla kanë goditur kampin ushtarak Taji të Irakut, në veri të Bagdadit, duke vrarë tre ushtarakë nga SHBA dhe Britania dhe duke plagosur rreth një duzinë të tjerësh. Edhe pse zyrtarët amerikanë thanë për Reuters se është shumë herët për t’ia vënë fajin dikujt, ka të dhëna se ky ishte një sulm nga militantët e mbështetur nga Irani.  

Në lidhje me këtë ngjarje, Mike Pompeo, Sekretari amerikan i Shtetit, shkroi në Twitter: “Sulmi i sotëm vdekjeprurës ndaj bazës ushtarake të Kampit Taji në Irak nuk do të tolerohet. Dominic Raab [Ministri i Jashtëm britanik] dhe unë jemi dakord që autorët e sulmit duhet të mbahen përgjegjës.”

Morgan Ortagus, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, shkroi gjithashtu në Twitter: “Sekretari Pompeo dhe Dominic Raab folën sot rreth sulmit mbi bazën ushtarake të Kampit Taji, sulm i cili rezultoi në disa viktima. Shtetet e Bashkuara i dënojnë sulmet vdekjeprurëse kundër personelit të Koalicionit.” 

Ndonëse eliminimi nga SHBA i arkitektit terrorist të regjimit iranian, Qassem Soleimani, komandantit të Forcave Quds të Gardës Revolucionare (IRGC), në janar, ishte një goditje madhore ndaj regjimit iranian, nuk i ka dhënë fund terrorizmit të institucionalizuar të regjimit.  

Disa ditë para këtij sulmi të fundit, Ali Shamkhani, sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, shkoi në Irak për t’u përpjekur ta kontrollonte të ardhmen politike të Irakut, teksa në atë vend vazhdojnë protestat mbarëkombëtare kundër ndërhyrjes së regjimit në Irak. Në një zhvillim të ngjashëm, Esmail Ghaani, pasuesi i Soleimani-t, ishte në Siri, sipas mediave shtetërore. Një foto e Ghaani-t së bashku me një klerik në Siri është publikuar nga një profil në mediat sociale, i njohur si “Commander Ghaani.”  

Pas eliminimit të Qassem Soleimani-t, Lideri Suprem i regjimit Ali Khamenei caktoi Esmail Ghaani Akbarnejad-in për të zënë vendin e Soleimani-t. Ghaani ka qenë për vite të tëra zëvendës i Soleimani-t në Forcat terroriste Qods. 

Ai u përfshi në listën e zezë terroriste të SHBA-së në 2012-ën pasi 13 kontenierë transporti të drejtuar për në Gambia, të cilët ishin etiketuar sikur përmbanin paketa me lesh xhami dhe gurë, u kapën në Nigeri dhe u zbulua se përmbanin raketa Katyusha 107 mm, municione dhe armë të tjera. 

Regjimi po përpiqet ta rikrijojë hegjemoninë e tij në rajon pas vdekjes së Qassem Soleimani-t. Prandaj, bërja e lëshimeve ndaj regjimit vetëm sa do ta trimërojë atë.  

I përmbytur nga krizat ndërkombëtare e të brendshme, të tilla si përhapja e koronavirusit në Iran dhe numri në rritje i vdekjeve për shkak të mosveprimit e fshehjes së fakteve nga autoritetet, regjimi po kërkon dëshpërimisht shpëtim.