Tuesday, March 19, 2024

SHBA Vë Sanksione të Reja mbi 13 Individë dhe Entitete për Mbështetjen e Tyre ndaj Programit të Raketave të Regjimit Iranian

Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara ka sanksionuar 13 individë dhe entitete në Kinë, Irak, Rusi e Turqi për shkelje të sanksioneve mbi Iranin dhe mbështetjen për programin e raketave të regjimit. Kjo gjë u shpall në një deklaratë të martën, më 25 shkurt.

“Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar 13 entitete e individë të huaj në Kinë, Irak, Rusi, dhe Turqi, në përputhje me Aktin e Mosproliferimit në Iran, Korenë e Veriut dhe Siri (INKSNA).  Kjo masë përfshin sanksione të reja kundër pesë entiteteve/individëve në Kinë (Luo Dingwen, Baoding Shimaotong Enterprises Services Company Limited, GaobeidianKaituo Precise Instrument Co. Ltd , dhe Wuhan Sanjiang Import and Export Co., Ltd) dhe Turqi (Eren Carbon Graphite Industrial Trading Company, Ltd) për mbështetjen e tyre ndaj programit të raketave të Iranit,” lexon deklarata. 

“Këto vendime janë rezultat i një shqyrtimi periodik të veprimtarive të sanksionueshme, siç kërkohet nga INKSNA.  Kemi vënë sanksione diskrecionale dy-vjeçare mbi 13 individët/entitetet e identifikuara në këtë raport. Sanksionet përfshijnë kufizime në prokurim, asistencë, dhe eksporte të qeverisë amerikane,” shton në deklaratë Departamenti amerikan i Shtetit.  

“Marrja e këtyre masave thekson se programi i raketave i Iranit mbetet një shqetësim i konsiderueshëm për sa i përket proliferimit. Vënia e sanksioneve kundër këtyre entiteteve të huaja përputhet me përpjekjet tona për t’i përdorur të gjitha masat e disponueshme në mënyrë që Irani të mos lejohet të përparojë në kapacitetet e tij lidhur me raketat,” lexon deklarata.  

Më herët, përpara zgjedhjeve parlamentare false të regjimit të premten, më 21 shkurt, Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara vuri sanksione të reja mbi Këshillin e Gardianëve të regjimit iranian dhe mbi Komitetin e Mbikëqyrjes së Zgjedhjeve. Të premten, pas mbarimit të farsës së dështuar të zgjedhjeve të regjimit, Task Forca e Veprimit Financiar (FATF) me bazë në Paris e vuri regjimin iranian në listën e saj të zezë, pasi regjimi “nuk i ka zbatuar normat ndërkombëtare kundër financimit të terrorizmit.” 

Ndërkohë që populli iranian lufton me varfërinë dhe tashmë edhe me përhapjen e koronavirusit vdekjeprurës, regjimi vazhdon me programet e tij antipatriotike bërthamore e raketore, duke plaçkitur pasurinë kombëtare, në vend që të ndihmojë popullin iranian.