Në një konferencë për shtyp në Londër sot, zyra përfaqësuese e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) në Mbretërinë e Bashkuar ka ekspozuar detaje lidhur me përfshirjen e zyrtarëve të lartë dhe institucioneve të regjimit në komplotet terroriste në territorin europian, me zinxhirin e komandës në këto komplote dhe me procesin e vendim-marrjes së tyre.
Këto zbulime erdhën në vijim të zbardhjes së disa komploteve të mëdha terroriste në muajt e fundit, përfshirë komplotin e parandaluar për të bombarduar tubimin “Free Iran” të NCRI-së në Paris më 30 qershor.
Sipas informatave të mbledhura nga burimet e Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) brenda vendit, vendimet lidhur me komplotet terroriste në Europë janë marrë në nivelin më të lartë në Këshillin Suprem Kombëtar të Sigurisë, të drejtuar nga Presidenti Hassan Rouhani, me miratimin e Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei.
Dowlat Nowrouzi, përfaqësuesi i NCRI-së në Mbretërinë e Bashkuar identifikoi “Organizatën e Inteligjencës dhe Lëvizjeve Jashtë Vendit” brenda Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) si departamentin përgjegjës për veprimtaritë terroriste jashtë Iranit, veçanërisht në Europë dhe SHBA. NCRI identifikoi gjithashtu Reza Amiri Moghaddam-in si kreun e kësaj organizate, i cili i raporton në mënyrë direkte Ministrit të Inteligjencës, Mahmoud Alavi.
Sipas NCRI-së, diplomati iranian që kishte planifikuar bombardimin e tubimit të 30 qershorit, Assadollah Assadi, i raportonte direkt Amiri Moghaddam-it. Assadi ia kishte dorëzuar personalisht bombën terroristëve. Ai është aktualisht në burg në Gjermani.
Hossein Abedini i Komitetit të Punëve të Jashtme të NCRI-së, i cili u mor në shënjestër nga skuadrat iraniane vrasëse dhe u plagos rëndë në Stamboll, Turqi, në vitin 1990, ndau vrojtimet dhe njohuritë e tij mbi aparatin e terrorit të regjimit iranian dhe mbi shtimin në kohët e fundit të komploteve terroriste të MOIS në Europë dhe SHBA.
Parlamentarë e personalitete nga të dyja Dhomat e Parlamentit Britanik morën pjesë gjithashtu në këtë konferencë dhe paralajmëruan për rritjen e veprimtarive terroriste të regjimit iranian në Europë. Ata dënuan heshtjen përballë veprimtarive të liga të Teheranit dhe paralajmëruan se mbajtja e një qëndrimi të tillë nga Perëndimi do të ketë pasoja të rënda.