Nga Amir Taghati
Krizat aktuale ekonomike dhe shoqërore që kanë pllakosur Iranin janë rezultat direkt i sundimit 40-vjeçar të Regjimit Iranian, sundim i mbushur me korrupsion e politika shkatërruese, sidomos falë Korpusit të Gardës Revolucionare (IRGC).
Një nga veprimtaritë më të turbullta që kryhen nga IRGC është trafikimi dhe shpërndarja e narkotikëve drejt Iranit dhe jashtë tij; gjë që ka tërhequr tashmë vëmendjen ndërkombëtare.
Regjimi ka dy arsye kryesore për të prodhuar e shpërndarë narkotikë. Së pari, mund të krijojnë një klimë frike duke shtypur dhe ekzekutuar madje shkelësit e ligjit me akuza të lidhura me drogën, të cilët mund t’ia pengojnë biznesin regjimit apo të jenë të varur nga drogat e Regjimit. Kjo frikë përhapet pastaj në popullsinë e gjerë duke e rritur kontrollin e Regjimit. Së dyti, paratë e fituara nga tregtia e drogës i shërbejnë Regjimit për të financuar terrorizmin, luftënxitjen dhe veprimtari të tjera malinje.
Llogaritet, sipas dokumentave nga burime ndërkombëtare, se IRGC ka fituar miliona dollarë vetëm nga tregtia e drogës.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin shkruan: “Rreth 40 përqind e drogave të bllokuara në Iran mbeten në këtë vend, ndërsa 60 përqind mbeten në Irak, Turqi, Azerbaixhan, dhe në fund në Europë.”
IRGC i kanë shtuar veprimtaritë e tyre në tregtinë e drogës duke ia kushtuar madje kësaj fushe pjesën më të madhe të kapaciteteve të tyre.
Raportet tregojnë se IRGC do t’i dërgojë këto droga në Europë, gjë që do të krijojë kaos atje. Në fakt, ngarkesa të mëdha me narkotikë iranianë janë gjetur dhe kapur gjatë muajit të shkuar në Itali, Bullgari, Rumani, Greqi, Afganistan, Turqi dhe Siri.
Është kjo mënyra se si një Regjim që ka ekzekutuar mijëra përdorues të drogës e përdor drogën për të financuar veprimtaritë e tij malinje në botë.