Nga Shahriar Kia
Të hënën, Presidenti sirian Bashar al-Assad vizitoi Teheranin për të shënuar ‘fitoren’ e deklaruar të forcave të tij me mbështetjen e Iranit.
Gjatë vizitës së Assad-it, Udhëheqësi i regjimit Ali Khamenei lavdëroi ‘fitoren’ siriane, dhe e quajti madje si një fitore iraniane kundër ‘komploteve’ amerikane në Lindjen e Mesme. (Këto komplote përfshijnë mposhtjen e ISIS dhe kundërvënien ndaj agresionit ushtarak iranian.)
Irani është përfshirë me kohë ushtarakisht në Siri nën pretekstin e kundërvënies ndaj ISIS apo mbrojtjes së tempujve apo shpikje të tjera të Regjimit, por misioni i tij i vërtetë ka qenë të shtypë kryengritjen e popullit sirian dhe qëllimin për të fituar kontroll politik mbi Sirinë përmes Assad-it dhe për të shkurajuar popullin iranian që të mos ngrihet kundër mullahëve.
Irani është një forcë destabilizuese në Siri, duke e zgjatur luftën civile për përfitimet e regjimit, dhe duke ia bërë të mundur mbijetesën Assad-it përmes militantëve të tij të ndryshëm, duke përfshirë Trupat e Gardës Revolucionare Islamike dhe Hezbollah.
Tensionet SHBA-Iran
Por Siria nuk është i vetmi vend ku SHBA dhe Irani janë vënë ballë për ballë në luftëra proksi. Në Irak, Njësitë e Mobilizimit Popullor (PMU) të mbështetura nga Irani po pyesin se edhe për sa kohë trupat amerikane do të mbeten në Irak në vijim të mposhtjes së ISIS, me liderin e militantëve Qais al-Khazali që argumenton se PMU do të mbeten atje për ta mbrojtur kufirin kundër një rishfaqjeje të ISIS.
Edhe pse SHBA ka shpallur së fundmi se po i tërheq trupat nga Siria, shumica po transferohen në Irak. Nuk është qëllimi thjesht për të ndaluar ISIS, por edhe për ta mbajtur nën vëzhgim Iranin. Ja përse Khamenei po përpiqet të bindë Sirinë dhe Irakun që ta refuzojnë e të rezistojnë ndaj këtij plani. Irani po fsheh diçka.
Libani, ku Hezbollahu i mbështetur nga Irani ka kontroll politik e ushtarak, është gjithashtu një vend ku shihet rritja e tensioneve midis SHBA-së dhe Iranit. Vlen të përmendet që si SHBA ashtu edhe Mbretëria e Bashkuar e kanë etiketuar Hezbollahun në tërësi si grup terrorist në muajt e shkuar, dhe jo vetëm krahun ushtarak, dhe SHBA e sheh këtë si pjesë të fushatës së saj të “presionit maksimal” mbi Iranin.
Dhe kjo gjë vetëm sa do të përkeqësohet nisur nga dorëheqja e Ministrit të Jashtëm iranian Javad Zarif, pasi shumë besojnë se ka mundësi që kjo të rezultojë në një politikë më të “ashpër” nga ana e Regjimit.
E vetmja politikë e pranueshme
Bota duhet ta rrisë presionin diplomatik dhe ekonomik mbi Regjimin Iranian në mënyrë që ta lejojë popullin iranian ta përmbysë diktaturën teokratike dhe të nisë një epokë të re të Iranit të lirë e demokratik. Kjo është e vetmja politikë që mund të garantojë paqen në Lindjen e Mesme dhe lirinë për popullin iranian.