Ivan Sheehan
Në një artikull për “Town Hall”, Dr. Ivan Sheehan, drejtori i programeve të pas-diplomimit në Negocim dhe Menaxhim Konflikti, si dhe në Punët Globale dhe Siguri Njerëzore në Shkollën e Punëve Publike dhe Ndërkombëtare të Universitetit të Baltimore, shpjegon se si regjimi iranian shfrytëzon gazetarët për të denigruar opozitën e tij demokratike. Në këtë artikull, ai shkruan:
Për dekada me rradhë, sunduesit teokratikë të Teheranit kanë bërë përpjekje të mëdha për të penetruar në mediat perëndimore të cilat dikur shquheshin për angazhimin ndaj pavarësisë gazetareske.
Këto përpjekje kanë qenë kaq të suksesshme saqë shumë organizata të tilla tashmë kërcënohen nga brenda nga asete – që shpesh maskohen si gazetarë – që e portretizojnë Iranin si viktimë të ndërhyrjes së kryesuar nga SHBA dhe madje edhe të një lufte në horizont. Këto instrumente të propagandës përdoren për të denigruar kundërshtarët e regjimit në momente kyçe dhe për të mënjanuar liritë bazë të cilat do të bënin që regjimi të shembej si një shtëpi letrash.
Shumë nga këta të ashtu-quajtur gazetarë me origjinë iraniane kanë punuar më përpara për median shtetërore të Iranit, dhe disa prej tyre vazhdojnë të recitojnë për regjimin sikur të ishin ende të punësuar nga ai.
Shumica kanë gjetur rehati në media me tendencë të majtë në Perëndim, duke përfshirë MSNBC, Al-Jazeera English, Britanikun Channel 4 News, The Guardian, dhe The Independent, ku e shfrytëzojnë në liri të plotë hapësirën e tyre për të përmbushur urdhrat e Teheranit.
Ja si e bëjnë këtë.
Vitet e fundit, regjimi ka zgjedhur disa organizata të caktuara lajmesh për të avancuar në një prani “të kontrolluar” të mediave në Iran. Asistentët e përkthyesit vendas për gazetarët e huaj kërkojnë leje nga Ministria e Kulturës dhe Udhëheqjes Islamike. Këta shegertë zakonisht vijnë nga Ministria e Inteligjencës dhe kanë përvojë të mëparshme në mediat shtetërore vendase. Me kalimin e kohës, ata ndihmojnë në përgatitjen e raporteve dhe intervistojnë zyrtarë të lartë të regjimit të cilët normalisht do t’i shmangeshin bisedave me shtypin ndërkombëtar. Ndërsa marrëdhëniet zhvillohen më tej, ata që tregojnë një prirje të veçantë për të ndjekur rregullat përfshihen në stafin e përhershëm të lajmeve dhe dërgohen jashtë vendit.
Edhe pse disa nga këta gazetarë ndonjëherë i përmendin abuzimet me të drejtat njerëzore në Iran, shumë rrallë – për të mos thënë kurrë – bien në kontradiktë me pozicionin themelor të regjimit në fusha thelbësore si mundësia e ndryshimit të regjimit përmes protestave të brendshme, efekti i sanksioneve në ndezjen e demonstratave anti-regjim, apo roli i opozitës së organizuar në avancimin e ndryshimeve rrënjësore.
Në fakt, ata këmbëngulin, pa as provën më të vogël, se sanksionet do të dëmtojnë iranianët e zakonshëm e jo regjimin; mbështetja amerikane për protestuesit do ta bëjë popullsinë të ngrihet përkrah mullahëve; dhe se alternativa ndaj regjimit është një kult që torturon anëtarët e vet dhe do të themelojë një diktaturë edhe më mizore. Për ta duket se nuk ka rëndësi fakti që nuk ekziston as prova më e vogël për t’i mbështetur këto pretendime.
Javët e fundit, në mediat ndërkombëtare janë publikuar një sërë raportesh që denigrojnë opozitën kryesore demokratike të Iranit, Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI ose MEK). Raporti më i fundit ishte një artikull 6,600-fjalësh nga Arron Reza Merat në The Guardian, i cili akuzonte MEK-un se ua shpëlan trurin anëtarëve, torturon ish-anëtarët, ngacmon pjesëtaret femra, se ka shtypur kurdët irakenë në emër të Saddam Hussein, dhe se ka vrarë shkencëtarë bërthamorë iranianë me ndihmën e Izraelit. As dëshmitë zyrtare nga ushtarakë si dhe nga zyrtarë aktualë e të mëparshëm të Departamentit amerikan të Shtetit, të cilat i hedhin poshtë pretendime të tilla, dhe as vlerësimet e besueshme të bëra nga akademikë nuk duket se mjaftojnë për t’i mposhtur këto akuzime skandaloze.
Vlen të përmendet se Merat, i cili ka shkruar raportin shpifës ndaj MEK-ut, ka shërbyer më parë si një korrespondent i bazuar në Teheran dhe njihet për lëvdatat e mëdha që i bënte Presidentit joliberal të regjimit, Hassan Rouhani.
Al-Jazeera English ka transmetuar gjithashtu kohët e fundit një program ku sulmon anëtarët e MEK që jetojnë në Shqipëri. Producenti dhe drejtuesi i këtij programi, Ëill Yong, është gjysëm-iranian dhe ka shërbyer më parë në kanalin iranian shtetëror në gjuhën angleze, Press TV – një autlet me zyrat qendrore në Teheran, i lidhur ngusht me Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei.
Artikuj të ngjashëm që kanë në shënjestër MEK-un janë shfaqur në media të tjera ndërsa agjentët e Teheranit, duke shfrytëzuar lidhjet e tyre me shtypin perëndimor, përpiqen t’i bindin audiencat e tyre kozmopolitane se kundërshtarët e regjimit janë më keq se vetë regjimi. Në të vërtetë, MEK është grupi opozitar më i madh e më i mirë-organizuar i Iranit, dhe “Njësitë e tij të Rezistencës” në Iran kanë luajtur një rol kyç në organizimin e demonstratave anti-qeveritare. Grupi është pjesë e koalicionit të organizatave disidente që përfshihen nën Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI). Fakti që NCRI drejtohet nga një grua karizmatike, Maryam Rajavi, dhe është lëvizja e vetme opozitare me një plan me 10 pika të artikuluar qartë për një Iran të lirë, e mundon në veçanti regjimin.
Të jemi të qartë, fushata iraniane e keqinformimit nuk kufizohet vetëm tek MEK. Korrespondenti i The Guardian në Iran, Saeed Kamali Dehghan, një kritik i hapur i sanksioneve të Presidentit Donald Trump kundër Teheranit, ka punuar më përpara për Agjensinë e Lajmeve Fars, e cila është e lidhur me Gardën Revolucionare. Kjo gjë, e cila sigurisht do ta komprometonte integritetin e tij gazetaresk, mungon tek emri i tij në Guardian. Ai është gjithashtu thellësisht armiqësor ndaj MEK.
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo postoi javën e shkuar një kundërpërgjigje ndaj një artikulli në Newsweek, i cili pretendonte se sanksionet e rivendosura amerikane do t’ua mohonin iranianëve të zakonshëm aksesin në nevojat bazë humanitare. “Turp të ketë #FakeNewsweek (Newsweek e rreme)” për ndihmesën që i jep Ministrit të Jashtëm të Iranit, Javad Zarif, për të përhapur gënjeshtra” lexonte qortimi i tij i rreptë. “E vërteta është: SHBA nuk sanksionon, dhe nuk ka sanksionuar kurrë, ushqimin dhe ilaçet.”
Disa organizata lajmesh me tendenca të majta mund të jenë thjesht naive në raportimin e pretendimeve të rreme të Teheranit se SHBA po planifikon një luftë tjetër në Lindjen e Mesme. Por dekada të tëra paqësimi nga administratat e mëparshme amerikane dhe qeveritë e BE-së, njëra më e etur se tjetra për ta prezantuar Teheranin në një dritë pozitive, e kanë ndihmuar padyshim Iranin të mbjellë apologjetët e vet në redaksitë perëndimore të lajmeve.
Këta shkrimtarë pro-Iranit dhe sindikatat e tyre nuk janë gazetarë të zakonshëm; ata janë agjentë të marrëdhënieve publike për një regjim që burgos reporterët, censuron shprehjen e lirë mediatike, dhe skllavëron një komb të paqetë.
Ngritja e zërit për një shtyp të pavarur duhet të përfshijë ekspozimin e operacioneve të influencës së Teheranit në mediat perëndimore si dhe agjentët e huaj që trafikojnë keqinformim.
Dështimi i një veprimi të tillë kërcënon pavarësinë gazetareske dhe komprometon vlerat thelbësore të një shtypi të lirë.