Teherani e Njeh Opozitën Iraniane si Alternativën; Kështu Duhet të Bëjmë Edhe Ne

366

 Agjentët iarnianë kishin planifikuar të bombardonin një festim të Nowruz-it më herët këtë vit në Shqipëri, ku ishim të pranishëm edhe unë, edhe Maryam Rajavi.

 

Rudy Giuliani

 

Diaspora amerikano-iranane e cila qëndron kundër regjimit në Iran, muajin e shkuar erdhi në New York, në qytetin tim, siç bën komuniteti ndërkombëtar gjatë mbledhjeve të përvitshme të Asemblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Për të nëntën herë, unë pata nderin t’u drejtohesha atyre në fjalën time.

E kemi për detyrë të dëgjojmë se çfarë ka thënë populli iranian gjatë nëntë muajve të fundit në protestat e tyre të vazhdueshme mbarëkombëtare.

Unë jam pjesë e një grupi të madh dypartiak të përbërë nga ish-guvernatorë, kryebashkiakë, udhëheqës ushtarakë, zyrtarë të lartë të administratës dhe anëtarë të Kongresit, të cilët bien dakord mbi një politikë të jashtme kritike, siç bie dakord edhe populli iranian: Irani ka të drejtën për liri dhe demokraci, dhe duhet të udhëhiqet nga ata që kanë luftuar për to dhe në të cilët Amerika mund të gjejë aleatët më të mirë. 

Ne e mbështesim fuqimisht opozitën më të madhe e më të organizuar iraniane, të njohur si Mujahedin e-Khalq (MEK).

Është shumë e rëndësishme të kuptohet se ndryshimi rrënjësor në Iran kërkon organizim, udhëheqje, një platformë, qëndresë, kompetencë, dhe sakrificë, dhe i vetmi grup për të cilin regjimi mendon se i ka të gjitha këto karakteristika është MEK.

Udhëheqësi i vetëm që Teherani e ka më shumë frikë është Znj. Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e koalicionit më të gjerë të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) i cili e përfshin MEK-un si anëtar. 

Kjo shpjegon pse regjimi iranian është përpjekur të bombardojë evente në mbështetje të MEK dhe të vrasë liderët e tyre, dhe pse regjimi ka vrarë dhjetëra mijëra anëtarë të tyre gjatë viteve dhe kërkon t’i eliminojë ata duke përdorur madje edhe terrorizmin në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara. 

Terroristë dhe spiunë iranianë janë kapur kohët e fundit në Belgjikë, Francë, Gjermani, Shiqpëri dhe më së fundmi mu këtu në Amerikë, me bomba dhe me foto të anëtarëve të lartë të opozitës së organizuar.  

Dy spiunët iranianë të arrestuar në SHBA kishin marrë pjesë në tubimin e opozitës në New York vitin e shkuar me një “paketë shënjestre” që përfshinte “operacione të kapjes/vrasjes,” sipas dokumentave të gjetura. New York ka parë mjaft terrorizëm për disa jetë; kjo gjë nuk duhet të tolerohet. Për më tepër, mund të nxjerrim si përfundim nga një operacion kaq i pamatur se regjimi në Iran ndihet i kërcënuar nga gjithçka që po shkon keq. Ata e konsiderojnë MEK-un si një kërcënim ekzistencial. 

Në Europë, ku Teherani po përpiqet t’i sigurojë marrëdhëniet e tij me BE-në, diplomatët e tij orkestrojnë komplote me bombë. Agjentët iranianë kishin planifikuar të bombardonin një festim të Nowruz-it më herët këtë vit në Shqipëri, ku ishim të pranishëm edhe unë, edhe Maryam Rajavi.

Shefi i stacionit të Ministrisë iraniane të Inteligjencës për të gjithë Europën, bazuar në ambasadën e Iranit në Vienë, dhe tre të tjetë të pajisur me bomba e eksplozivë, kishin marrë në shënjestër konferencën e përvitshme të NCRI-së në Paris, ku ishin të pranishëm rreth 100,000 iranianë nga diaspora si dhe personalitete ndërkombëtare ku përfshiheshin disa gjeneralë amerikanë në pension. 

Teherani është i gatshëm të rrezikojë një reagim të ashpër politik me veprimtari irracionale terroriste jashtë vendit; dëshpërimi i akteve të tilla është i qartë për komunitetin ndërkombëtar.  

Sigurisht, terrorizmi i regjimit nis brenda vendit, ku ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz nga populli i vet.

Për ata të cilët janë maja e heshtës në Iran, e që ngrihen kundër regjimit në protestë, ne duhet të themi:  Keni mbështetjen tonë.  

Tani është koha të ndjekim rrugën që Ronald Reagan ndërmori një brez më parë, kur e udhëhoqi Amerikën që të përqafonte Solidaritetin në Poloni.

Më pas, qeveria amerikane përqafoi çliruesit dhe patriotët polakë, dhe nuk ua ktheu shpinën. Tani duhet gjithashtu t’i përqafojmë patriotët e Iranit në mënyrë që lëvizja e tyre protestuese të triumfojë.  

Mbështetja dhe vendosmëria e opozitës së organizuar iraniane në SHBA, Europë e tjetërkund për motrat e vëllezërit e tyre brenda Iranit po i jep shtysë vullnetit dhe guximit të këtyre të fundit.

Njerëzit në Iran po vënë në rrezik jetët e tyre në emër të lirisë, dhe duket se sa më shumë që regjimi i sulmon, i burgos e përpiqet t’i vrasë, aq më e fortë bëhet rezistenca.  

Apologjetët e shpifësit e Iranit e kanë vënë në dyshim ndikimin e MEK brenda në Iran. Unë nuk e kam dyshuar kurrë këtë gjë.

Pse do të ishte regjimi kaq metodik në burgosjen, torturimin e vrasjen e mbështetësve të MEK në Iran, si dhe në marrjen në shënjestër të zyrtarëve të tyre të lartë në Paris dhe New York po të mos ndihej i kërcënuar nga ata?

Regjimi nuk e vë në dyshim fuqinë e MEK në Iran dhe po e identifikon gjithnjë atë si lëvizjen e vetme opozitare të aftë për ta përmbysur. 

Dhe ai regjim do të përmbyset. Çështja është kur, jo nëse do të përmbyset.

Siç duket qartë, popullit të Iranit i ka ardhur në majë të hundës. Monedha ka pësuar një rënie të jashtëzakonshme.

Nëpër rrugë, burra e gra po kërkojnë një jetë më të mirë, dhe përfundimin e korrupsionit e të ndërhyrjes së kushtueshme rajonale e cila ua ka vjedhur të ardhmet.

Sanksionet po punojnë për t’ia hequr aparatit sundues aksesin në fonde. Këto janë kushtet që krijojnë ndryshim, dhe revolucione.

As nuk duhet të kemi frikë nga ajo që do të vijë ditën pas revolucionit.

Iranianët po kërkojnë një republikë demokratike. Nën udhëheqjen e Maryam Rajavi-t dhe të lëvizjes së disidentëve të përkushtuar që ajo ka themeluar brenda Iranit dhe në mbarë Botën Perëndimore, ekziston një alternativë e fortë dhe e aftë për sukses, e cila mund ta bëjë të mundur këtë gjë. 

 

Rudolph W. Giuliani është ish-Kryebashkiaku i New York City

 https://townhall.com/columnists/rudygiuliani/2018/10/28/tehran-recognizes-iran-opposition-as-the-alternative-so-should-we-n2532601