Monitoruesi i të Drejtave të Njeriut në Iran ka bërë një raport të detajuar rreth kushteve të tmerrshme në burgun famëkeq Evin të Teheranit, ku mbahen aktualisht mbi 15,000 njerëz, duke përfshirë shumë aktivistë paqësorë, gazetarë, intelektualë e avokatë të të drejtave të njeriut.
Raporti, të cilin mund ta gjeni këtu, është përmbledhur në këtë artikull.
Godinat e Burgut Evin
Kjo pjesë do të paraqesë disa nga godinat ku bëhen abuzimet më të tmerrshme.
Godina 209: Kjo është godina më e keqe në burg pasi deri në 800 të burgosur i nënshtrohen torturës këtu në çfarëdo kohe. Të 80 qelitë janë të gjitha për një person, por për shkak të mbipopullimit të burgut, deri në 10 vetë detyrohen të futen në secilën qeli. Në bodrum ndodhet një dhomë torturash, ku të burgosurit goditen me kabllo, me rrymë elektrike, apo edhe varen nga tavani nga këmbët ose nga duart.
Godina 240: E kontrolluar nga njësitë e sigurisë dhe inteligjencës. Përsëri, qelitë e projektuara për një person, mbushen vazhdimisht me gjashtë apo shtatë vetë.
Godina 2a: E kontrolluar nga Departamenti i Inteligjencës i Trupave të Gardës Revolucionare. Të burgosurve politikë u lidhen sytë sa herë që nxirren nga qelia.
Godina e Metadonit: Në këtë qeli gjigante, ka të instaluar CCTV për të monitoruar të burgosurit në çdo kohë, duke ua hequr privatësinë, por të burgosurve nuk u lejohet të largohen në çdo kohë, as për një pushim.
Godina e Grave: Të gjitha dritaret janë të kyçura, dhe kjo bën që të burgosurave t’u mungojë drita e diellit dhe ventilimi, duke ua përkeqësuar kështu sëmundjet. Nuk ka shërbim mjekësor dhe të burgosurave mund t’i duhen disa muaj për të marrë trajtim.
Godina 7: E projektuar për të mbajtur të burgosur që janë akuzuar për krime financiare, por shumë të burgosur politikë mbahen gjithashtu këtu. Godina ka një kapacitet prej 200 vetash, por mban aktualisht mbi 700. I mungon ventilimi, uji i ngrohtë, dhe drita natyrale.
Ushqimi
Pjesa më e madhe e ushqimit që u jepet të burgosurve është gati i pangrënshëm, shpesh i prishur e i mbushur me jashtëqitje minjsh, por të burgosurit shpesh nuk kanë zgjidhje tjetër veçse ta hanë. Disa të burgosur të cilëve ua mban xhepi, mund të blejnë ushqim shumë të shtrenjtë nga dyqani i burgut.
Nëse të burgosurit ankohen për kequshqyerjen, rojat i kërcënojnë me burgosje në izolim.
Kujdesi mjekësor
Shumë prej të burgosurve u mohohet kujdesi mjekësor, gjë që i vë në rrezik të madh. Kjo bëhet për t’i ndëshkuar apo për t’i detyruar të bëjnë rrëfime të rreme.
Leja mjekësore për pacientë të sëmurë të cilëve u duhet të shkojnë në spital jepet rrallë dhe shpesh jepet vetëm atëherë kur është tepër vonë.
Sipas Amnesty International, Regjimi Iranian shpesh e minimizon seriozitetin e problemeve mjekësore duke i trajtuar sëmundjet si kanceri me qetësues.
Një doktor, Shahriar Pourfarzam, mbahet madje i pranishëm gjatë marrjeve në pyetje, në mënyrë që i burgosuri të mbahet gjallë për më shumë torturë.