Friday, March 29, 2024

Iran: Rrëzimi i Regjimit do të Hapë Rrugën Drejt Lirisë për Popullin

Nga Shahriar Kia

Ish anëtari i parlamentit europian, Struan Stevenson, i ka hedhur poshtë pretendimet se rrëzimi i regjimit iranian do të shkaktonte më shumë probleme sesa do të zgjidhte.

Për rreth dyzet vjet, regjimi iranian e ka shtypur popullin e Iranit dhe ia ka shkelur të drejtat njerëzore, lirinë dhe demokracinë . Regjimi është i bazuar në këto praktika dhe asgjë nuk do ta ndryshojë këtë.

Disa besojnë se regjimi iranian duhet të shtyhet në drejtimin e duhur në mënyrë që ndryshimi të vijë në Iran. Por kjo është krejtësisht e gabuar. Në fund të fundit, ish-Presidenti Barack Obama i bëri kaq shumë lëshime Iranit duke besuar se do të bëhej më i moderuar. Kjo nuk ndodhi kurrë. Në fakt, paqësimi i Obamës pati efektin e kundërt – regjimi u trimërua dhe vazhdoi me retorikën e tij anti-amerikane.

Disa kanë thënë gjithashtu se Presidenti Hassan Rouhani është më i moderuar se anëtarët e tjerë të regjimit iranian por moderimi nuk ekziston. As edhe një zyrtar nuk mund të përshkruhet si vërtet i moderuar dhe kjo për shkakun e thjeshtë se moderimi nuk përputhet me vlerat themelore dhe qëllimet e regjimit.

Duke iu referuar pretendimeve se Presidenti Iranian është i moderuar, Stevenson tha: “Nuk mund të ketë gjë që të jetë më larg së vërtetës sesa kjo. Që kur Rouhani erdhi në pushtet në gusht 2013, mbi 3,500 njerëz janë ekzekutuar në Iran, i cili mban tani rekordin si ekzekutuesi më i madh në botë për kapita.” Ai vuri gjithashtu në dukje se populli nuk po bën thirrje që ekstremistët të zëvendësohen me të moderuar – por po bën thirrje për ndryshim regjimi.

Mijëra protestues janë arrestuar, shumë prej tyre janë torturuar, e disa janë qëlluar nëpër rrugë. Të gjitha këto kanë ndodhur nën të ashtu-quajturën qeveri të “moderuar” të Rouhani-t. Gratë vazhdojnë të mos trajtohen si të barabarta dhe ekzekutimet masive kryhen rregullisht. Të burgosurit torturohen, detyrohen me forcë të rrëfehen për krime, dhe lihen të lëngojnë në kushte të tmerrshme.

Organizatat e të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësimin e tyre rreth situatës në Iran. Ato kanë bërë thirrje që t’i jepet fund menjëherë ekzekutimeve dhe i kanë bërë thirrje Iranit që të veprojë në përputhje me normat ndërkombëtare në lidhje me situatën e të drejtave të njeriut. Amnesty International ka sjellë në vëmendje çështje të shumta në raportet e saj gjatë viteve, por asgjë nuk ka ndryshuar ndonjëherë për mirë.

Stevenson tha: “Duke patur parasysh tendencën e mullahëve për mbushjen e xhepave të tyre përmes korrupsionit, nuk është i habitshëm fakti që vendi i dytë në botë për rezervat më të mëdha të gazit dhe i katërti në botë për rezervat më të mëdha të naftës, po përballet tani me një shkatërrim ekonomik. Irani, pavarësisht kulturës së tij të pasur, të qytetëruar e të hapur, është bërë tani një i dëbuar nga komuniteti ndërkombëtar, me regjimin e tij fashist fetar që dënohet për abuzimet ndaj të drejtave njerëzore dhe për eksportimin e terrorizmit, ndërkohë që 80 milion qytetarët e tij, më shumë se gjysma e të cilëve janë nën 30 vjeç, mezi ushqejnë familjet e tyre në një sfond temperaturash ekstreme, ndërprerjesh të energjisë e të ujit dhe çmimesh të ushqimeve që janë rritur me mbi 50%.”

Ndryshimi do të ndodhë vetëm atëherë kur të marrë fund sundimi i regjimit klerikal. Asnjë politikë paqësimi nuk do të nxjerrë gjë në dritë ndonjëherë. Ajo që duhet është një politikë e fortë, e qartë dhe e rreptë – jo vetëm për popullin e Iranit por edhe për viktimat e tjera të regjimit në rajon.