Nga Amir Taghati
Senatori republikan i Shteteve të Bashkuara Lindsey Graham tha të martën se zyrtarë të lartë të administratës amerikane u kanë thënë senatorëve në një mbledhje udhëzimesh se sulmet e fundit mbi anijet dhe mbi një naftësjellës në Lindjen e Mesme kanë qenë të drejtuara nga regjimi iranian.
“Na shpjeguan se si kërcënimet iraniane janë ndryshe nga ç’kanë qenë në të kaluarën, se sulmi mbi anijet dhe naftësjellësin është koordinuar dhe drejtuar nga qeveria iraniane, nga ajatollahu,” u tha reporterëve Senatori Graham.
Zyrtarët amerikanë që informuan Kongresin rreth Iranit të martën donin t’i bindnin ligjvënësit që administrata e Presidentit Donald Trump dëshiron ta parandalojë agresionin e Teheranit, jo ta sulmojë regjimin, thanë anëtarët e Kongresit.
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, Kryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabit, Gjenerali Joseph Dunford, dhe Sekretari në Detyrë i Mbrojtjes Patrick Shanahan zhvilluan një mbledhje të klasifikuar informimi për të gjithë Dhomën e Përfaqësuesve.
Zyrtarët e administratës zhvilluan një mbledhje të ngjashme, gjithashtu me dyer të mbyllura, për të gjithë Senatin më vonë të martën.
“Shpresoj që të jenë duke e zbutur (retorikën). Atë përshtypje po përpiqeshin të jepnin,” u tha reporterëve Përfaqësuesi Demokratik Eliot Engel, kryetar i Komitetit të Dhomës për Punët e Jashtme, pas mbledhjes së klasifikuar.
“Nuk ka asnjë qëllim për të bërë luftë në rajon. Ky është një operacion parandalues për ta ndalur përshkallëzimin dhe agresionin e Iranit,” u tha reporterëve Përfaqësuesi Mike McCaul, Republikani i rangut në panelin e Dhomës për punët e jashtme.
Senatori republikan Mitt Romney tha se veprimi i ndërmarrë nga administrata “është plotësisht i përshtatshëm” dhe përçon mesazhin se “nëse sulmoni njerëzit tanë, do të ketë një përgjigje.”
Romney e karakterizoi këtë veprim si me natyrë mbrojtëse dhe me qëllimin për t’ia parandaluar regjimit iranian veprimet “malinje”.
Bazuar pjesërisht në raporte lajmesh