Nga Hamideh Taati
Turqia ia ka mbyllur portet naftës iraniane, duke iu bindur plotësisht sanksioneve amerikane kundër furnizuesit kryesor të saj, pavarësisht kritikës publike të Ankarasë ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për t’u dhënë fund lehtësimeve lidhur me importet dhe paralajmërimit të një përpjekjeje për të gjetur prodhues alternativë, raportoi të martën Reuters.
Vendimi i SHBA-së për t’i rikthyer plotësisht sanksionet mbi naftën iraniane i dha fund një periudhe gjashtë-mujore lehtësimesh për Turqinë dhe për shtatë importues të tjerë të mëdhenj, teksa Uashingtoni i rrit përpjekjet për ta izoluar regjimin iranian e për t’ia bllokuar të ardhurat nga nafta.
Rafinuesi më i madh i naftës në Turqi, Tupras, i kishte kërkuar Uashingtonit një zgjatje të lehtësimeve të importit përpara skadencës në datën 1 maj, sipas një personi që ka njohuri për këto bisedime, dhe kur kjo zgjatje afati nuk iu dha, kompania e bëri të qartë se do t’i ndalte të gjitha importet nga Irani.