Friday, March 29, 2024

Sulmet Kibernetike të Regjimit të Iranit në Mediat Sociale Zbulohen nga Kompanitë e Mediave Sociale

Facebook, Twitter, dhe Alphabet (kompania prind e Google) të martën kanë fshirë qindra llogari të lidhura me aktorë iranianë të cilat promovonin agjendën gjeopolitike të Iranit në mbarë globin, sipas një firme të sigurisë kibernetike.

Fushata iraniane për të përhapur historitë e regjimit përmes një rrjeti uebsitesh me lajme të rreme dhe profilesh fallco në mediat sociale si Facebook, Instagram, Twitter, Google Plus dhe YouTube, u zbulua nga kompania e sigurisë kibernetike FireEye Inc, e cila zbuloi se kjo fushatë kishte në shënjestër përdorues në Shtetet e Bashkuara, Britani, Amerikë Latine dhe në Lindjen e Mesme.
Facebook ka raportuar se ka fshirë 254 faqe dhe 392 llogari në Facebook dhe Instagram, disa prej të cilave ishin të lidhura me grupe dhe evente. Ata thonë se një apo më shumë nga këto faqe dhe llogari ndiqeshin nga qindra mijëra njerëz.

Facebook tha gjithashtu se këto llogari kishin shpenzuar rreth $12,000 për të reklamuar në Facebook dhe Instagram, gjë për të cilën kompania ka njoftuar departamentet amerikane të Thesarit dhe të Shtetit, pasi kjo mund të jetë shkelje e sanksioneve.

Twitter e ka quajtur këtë përpjekje iraniane si “manipulim i koordinuar” dhe ka fshirë 284 llogari.

As Alphabet, as misioni iranian në Kombet e Bashkuara nuk i janë përgjigjur kërkesës për komente