Ligjvënësit amerikanë bënë thirrje të enjten që Regjimi Iranian të përjashtohet nga sistemi kryesor financiar që merret me transfertat ndërkombëtare bankare, teksa administrata e Donald Trump vazhdon të rivendosë sanksionet mbi këtë vend të Gjirit Persik, në vijim të tërheqjes së SHBA-së nga pakti bërthamor i Iranit i vitit 2015 në maj.
Një grup pre 16 senatorësh republikanë, të drejtuar nga Ted Cruz i Teksasit, i janë lutur Sekretarit të Thesarit Stephen Mnuchin që të ndërmarrë “të gjithë hapat e nevojshëm” për ta hequr Iranin nga rrjeti SWIFT, i cili u lejon institucioneve globale financiare të shkëmbejnë informacione rreth transaksioneve bankare.
Ata shkruan, në një letër të hapur: “Imponimi i shpejtë e i fuqishëm do të jetë esencial për suksesin e strategjisë së presionit maksimal të administratës, qoftë për t’i shteruar menjëherë burimet e regjimit iranian për sjellje keqdashëse, qoftë si një shenjë e vendosmërisë së Amerikës për të ruajtur integritetin e arkitekturës së sanksioneve tona. Fushata e administratës për presion maksimal nuk do të ketë sukses nëse Republika Islamike mbetet e lidhur me SWIFT.”
SWIFT (Shoqëria për Telekomunikim Financiar Interbankar Mbarëbotëror) e ka selinë në Belgjikë, por ka ekzekutivë amerikanë në bordin e saj. Ligji federal amerikan e lejon administratën Trump të marrë masa kundër bankës qendrore të Iranit, pasi ajo është aktualisht nën sanksionet për terrorizëm dhe pastrim parash.