Nga një Shkrimtar i Stafit
Të mërkurën Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja mbi sektorët e çelikut, hekurit, aluminit dhe bakrit të regjimit.
Shtëpia e Bardhë i shpalli sanksionet vetëm disa orë pasi regjimi i Iranit tha se nuk do t’i zbatonte më disa pjesë të paktit bërthamor të 2015-ës.
Urdhri ekzekutiv i Presidentit amerikan Donald Trump për vënien e sanksioneve të reja mbi Teheranin erdhi gjithashtu në një-vjetorin e shpalljes nga ana e tij se do ta tërhiqte SHBA-në nga pakti bërthamor.
“Politika e Shteteve të Bashkuara vazhdon të kërkojë që t’ia mohojë Iranit të gjitha rrugët drejt një arme bërthamore dhe raketave balistike ndërkontinentale, si dhe t’i kundërvihet tërësisë së ndikimit malinj të Iranit në Lindjen e Mesme,” tha Presidenti Trump në urdhrin e dhënë të mërkurën.
“Politika e Shteteve të Bashkuara kërkon gjithashtu t’ia mohojë qeverisë iraniane të ardhurat, duke përfshirë të ardhurat e marra nga eksporti i produkteve të sektorëve iranianë të hekurit, çelikut, aluminit dhe bakrit, që mund të përdoren për të ofruar fonde dhe mbështetje për proliferimin e armëve të shkatërrimit masiv, për grupe e rrjete terroriste, fushata të agresionit rajonal, dhe ekspansion ushtarak.”
Këto sanksione mund të kenë impakt tek vendet e tjera që bëjnë tregti me regjimin iranian, dhe Presidenti Trump paralajmëroi në një deklaratë se ky urdhër ekzekutiv “ua bën të qartë vendeve të tjera që nuk do të tolerohen më nëse e lejojnë çelikun apo metale të tjera të Iranit në portet e tyre.”
Presidenti Trump tha në deklaratën e shpalljes së sanksioneve të metaleve të mërkurën se “Teherani mund të presë edhe masa të mëtejshme nëse nuk e ndryshon me themel sjelljen e tij.”