Nga Shahriar Kia
Europa do të detyrohet t’i rivendosë sanksionet mbi Iranin nëse mullahët shkelin çfarëdo pjese të paktit bërthamor, sipas një burimi presidencial francez të martën.
Burimi, i cili nuk donte të identifikohej, i referohet një shpalljeje të bërë nga mediat shtetërore iraniane të hënën se Regjimi i Iranit do t’i rifillojë disa sektorë të programit të tij bërthamor si përgjigje ndaj tërheqjes së SHBA-së majin e shkuar nga pakti bërthamor i 2015-ës mes Iranit dhe gjashtë fuqive botërore.
Burimi thotë: “Nuk duam që Teherani të shpallë [veprime] që do të shkelnin marrëveshjen bërthamore pasi në këtë rast, ne europianët do të detyroheshim t’i rivendosnim sanksionet sipas kushteve të marrëveshjes. Nuk e duam këtë gjë dhe shpresojmë që iranianët të mos e marrin këtë vendim.”
Aktualisht, Franca, Gjermani dhe Britania, së bashku me Rusinë dhe Kinën, janë ende pjesë e paktit bërthamor dhe nuk kanë vënë sanksione mbi Iranin, megjithëse, nisur nga shtrirja e sanksioneve amerikane; Irani ka vuajtur shumë gjithsesi me humbje në biznesin ndërkombëtar.
Vendet europiane e kanë paralajmëruar vazhdimisht Iranin që t’u bindet të gjitha aspekteve të paktit, veçanërisht atyre që lidhen me veprimtaritë bërthamore. Ato kanë premtuar gjithashtu se do të krijojnë një mekanizëm financiar për t’ia bërë të mundur Iranit që t’u shmanget sanksioneve amerikane, por vetëm nëse Irani miraton ligjet lidhur me transparencën financiare.