Shkruar nga një Shkrimtar i Stafit më 22 prill 2019.
Nga një Shkrimtar i Stafit
Shtetet e Bashkuara thanë të hënën se nuk do të përjashtojnë më asnjë vend nga sanksionet e tyre nëse ky vend vazhdon të blejë naftë nga Irani, duke e shtuar kështu presionin mbi regjimin iranian me një masë që prek kryesisht pesë importuesit më të mëdhenj të mbetur: Kinën, Indinë, Japoninë, Korenë e Jugut, dhe Turqinë.
Presidenti Donald Trump e mori këtë vendim si pjesë të fushatës së “presionit maksimal” të administratës mbi regjimin e Iranit, fushatë që ka për qëllim t’i eliminojë të gjitha të ardhurat e Iranit nga eksportet e naftës, të cilat sipas SHBA-së financojnë veprimtaritë destabilizuese në Lindjen e Mesme e përtej saj.
“Ky vendim ka për qëllim t’i çojë në zero ekportet e naftës iraniane, duke e privuar kështu regjimin nga burimi kryesor i të ardhurave të tij,” tha në një deklaratë Shtëpia e Bardhë.
Duke e shpallur këtë masë, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se nuk do të jepen më lehtësime për sanksionet pasi të skadojnë lehtësimet aktuale më 2 maj, duke i ndalur kështu të ardhurat e regjimit iranian të cilat kanë qenë më shumë se $50 bilion në vit.
“Objektivi mbetet i thjeshtë: Ta privojmë këtë regjim të jashtëligjshëm nga fondet që ka përdorur për të destabilizuar Lindjen e Mesme për dekada të tëra dhe ta stimulojmë Iranin të sillet si vend normal,” u tha reporterëve Pompeo në Departamentin e Shtetit.
Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Rezistencës Iraniane, iu përgjigj vendimit të SHBA-së të hënën, duke vënë në dukje në një seri postimesh në Twitter se populli dhe Rezistenca iraniane kanë katër dekada që bëjnë thirrje për vënien e një embargoje të naftës dhe armëve mbi regjimin anti-njerëzor e anti-iranian të mullahëve.
Maryam Rajavi tha në një postim se nafta është një thesar kombëtar dhe duhet të vihet në shërbim të mirëqenies dhe përparimit të popullit iranian, por mullahët ose e plaçkitin atë, ose e shpenzojnë për shtypje dhe eksportim të terrorizmit e luftës.
Znj. Rajavi tha se embargoja e naftës dhe futja e Gardës Revolucionare (IRGC) në listën e zezë duhet të shoqërohen me masa të tjera, përfshirë njohjen e të drejtës së popullit dhe Rezistencës Iraniane për ta përmbysur diktaturën fetare, etiketimin e elementëve të tjerë represivë në Iran, dhe përjashtimin e agjentëve të Ministrisë së Inteligjencës së regjimit dhe të IRGC-së nga SHBA dhe Europa.
Maryam Rajavi bëri thirrje gjithashtu për referimin e dosjes së shkeljeve të të drejtave të njeriut nga regjimi, duke përfshirë masakrën e të burgosurve politikë në 1988-ën, tek Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara.