Friday, March 29, 2024

SHBA u Bën Thirrje të Gjitha Vendeve t’i Reduktojnë Importet e Naftës Iraniane në Zero

 

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit të SHBA ka thënë se Shtetet e Bashkuara po i nxisin vendet e huaja t’i çojnë në zero importet e naftës nga Irani. Zyrtari i lartë nuk u lejua të identifikohej por u tha reporterëve të martën se SHBA do të donte t’i shihte importet të ndërprera krejtësisht në nëntor të këtij viti.

Presidenti amerikan Donald Trump shpalli muajin e kaluar se Shtetet e Bashkuara do të dilnin nga marrëveshja bërthamore e Iranit e vitit 2015. Që kur u implementua marrëveshja, Irani ka përfituar nga heqja e sanksioneve të shumta, duke përfshirë sanksione mbi sektorin e tij të energjisë, në këmbim të ndaljes së programit të tij bërthamor.

Pas shpalljes se Shtetet e Bashkuara do të dilnin nga marrëveshja, ai tha që, pas një periudhe faljeje gjashtë-mujore, sanksionet do të hynin sërish në fuqi. Kjo periudhë faljeje skadon më 4 nëntor.

Administrata Trump, që në ditët e saj të para, e ka përshkallëzuar presionin mbi Iranin, e gjendur përballë sjelljes së tij të vazhdueshme agresive.

Zyrtari i lartë tregoi se administrata Trump nuk do t’i lejojë vendet e tjera, përfshirë aleatët e regjimit iranian, të vazhdojnë të importojnë naftë iraniane.

Kur u bë shpallja për herë të parë, Departamenti i Thesarit nxori udhëzime publike mbi këtë çështje. Ai tha që vendet e huaja duhet të bëjnë një “reduktim të konsiderueshëm” në importet e naftës iraniane. Ato vende që nuk do ta bënin këtë gjë do të ishin subjekt i sanksioneve amerikane të cilat ndalojnë çdo transaksion midis bankës qendrore të Iranit dhe bankave të vendeve të tjera.