Greva në Pazarin e Teheranit vazhdoi për të katërtën ditë të mërkurën, 27 qershor. Në pazarin Soltani, njerëzit demonstruan duke thirrur: Tregtarë të zellshëm, mbështetje, mbështetje; Mos kini frikë, mos kini frikë, jemi të gjithë bashkë.
Tregtarët në Pazarin e Madh të Teheranit, në pazarin e arit, Chaharsoogh, Bulevardin Mellat, Mowlavi, Laleh Zar, dhe në Qendrën Tregtare Aladdin refuzuan gjithashtu të hapnin dyqanet e tyre. Në Hassan Abad, njerëz dhe tregtarë pazaresh protestuan duke thirrur: Nuk duam inflacion dhe çmime të larta.
Dyqanet e qendrës tregtare Saadat—prodhues veshjesh—janë gjithashtu në grevë. Në hyrje të qendrës është vënë një afishe ku shkruhet: “Të lodhur nga çmimet e larta dhe inflacioni.” Pronarët e dyqaneve të Yaft Abad janë në grevë dhe njerëzit kanë bllokuar rrugët në një aksion proteste.
I frikësuar nga vazhdimi dhe përhapja e kryengritjes së njerëzve të Teheranit, regjimi i mullahëve ka pozicionuar forca represive në pjesë të ndryshme të qytetit, veçanërisht në Sheshin Baharestan dhe në zonat rreth parlamentit, duke mos i lejuar njerëzit të mblidhen në këto zona. Mercenarët e regjimit i janë drejtuar masave të turpshme shtypëse duke i rrëmbyer tregtarët e fismë grevistë dhe të rinjtë protestues përpara syve të popullit, e duke i futur në automjetet e tyre, si dhe duke i rrethuar qendrat tregtare e dyqanet që janë në grevë e duke ua shkatërruar pronat tregtarëve e duke i kërcënuar. Qëllimi është që t’i detyrojnë të hapin dyqanet, dhe që të intensifikojnë atmosferën e frikës në shoqëri. Një shembull është sulmimi i Laleh Zar nga forcat shtypëse.
Edhe dje, forcat represive sulmuan tregtarët grevistë në Laleh Zar, qëlluan me armë në drejtim të dyqaneve të mbyllura, dhe lëshuan gaz lotsjellës për të ndalur grevën e për të shpërndarë protestuesit.
Në grevë janë edhe tregtarë pazaresh në Kermanshah, Isfahan, Pazarin Vakil në Shiraz, qendrën tregtare Pasargad në Dorood si dhe në shumë qytete të tjera.
Ndërkohë, regjimi i mullahëve po përpiqet ta mbulojë krizën aktuale duke bërë ndryshime në kabinetin e Rouhani-it duke shpresuar se do ta parandalojë përhapjen e kryengritjes. Por realiteti është se vetë regjimi i Velayat-e Faqih është shkaku kryesor i krizës, dhe ndryshime të tilla –të ngjashme me ato të ditëve të fundit të sundimit të Shahut—vetëm sa e intensifikojnë krizën e brendshme të regjimit si dhe e forcojnë vullnetin e popullit për ta rrëzuar këtë regjim.
Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
27 Qershor, 2018