Departamenti amerikan i Thesarit shtoi të enjten në listën terroriste dy grupe militante të mbështetura nga regjimi iranian, të cilat luftojnë në emër të diktaturës brutale të Bashar al-Assad në Siri.
Këto janë Divizioni Fatemiyoun, i përbërë nga 10-20,000 kombas afganë, dhe Brigada Zaynabiyoun, e përbërë nga një numër i panjohur kombasish pakistanezë. Shumica e anëtarëve të të dy grupeve janë refugjatë dhe emigrantë banues në Iran – ka afërsisht 1 milion refugjatë afganë të regjistruar dhe deri në 2 milion “të padokumentuar” në Iran – të cilët janë rekrutuar nga Trupat e Gardës Revolucionare iraniane-Forca Qods (IRGC-QF), e cila është e etiketuar nga SHBA si grup terrorist.
Sekretari amerikan i Thesarit Steven Mnuchin tha në një deklaratë: “Regjimi brutal iranain shfrytëzon komunitetet e refugjatëve në Iran, i privon nga aksesi në shërbimet bazë si arsimimi, dhe i përdor si mburojë njerëzore për konfliktin e Sirisë. Marrja në shënjestër nga Thesari e militantëve të mbështetur nga Irani dhe proksive të tjera të huaja është pjesë e fushatës sonë të presionit për të mbyllur rrjetet e paligjshme që regjimi përdor për të eksportuar terrorizëm e trazira në mbarë globin.”
Grupet e të drejtave të njeriut kanë raportuar se shumë prej atyre që “dalin vullnetarë” për t’iu bashkuar brigadave dhe për të luftuar në Daraa, Aleppo dhe Deir el-Zour, janë thjesht duke u përpjekur të fitojnë bukën e gojës e të marrin statusin ligjor për familjet e tyre në një shtet që nuk ofron shumë mundësi për refugjatët. Human Rights Watch ka zbuluar madje se shumë nga luftëtarët janë minorenë. Moshat në Divizionin Fatemiyoun shkojnë madje deri në 14 vjeç.
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo e akuzoi Iranin se “i bën pre” refugjatët e brishtë dhe i përdor si “mish për top” në Siri, në një postim në Twitter të enjten, në të cilin ai betohet ta vazhdojë fushatën e “presionit maksimal” të SHBA-së mbi Iranin.
Deklarata e Departamentit të Thesarit lexon: “Që nga fillimi i luftës civile të Sirisë, Irani është mbështetur vazhdimisht mbi kompanitë ajrore iraniane si Mahan Air për të transportuar luftëtarë e materiale në Siri në mënyrë që t’i japë mbështetje regjimit të Assad-it. Mahan Air ka transportuar operativë të IRGC-QF, armë, pajisje, dhe fonde jashtë vendit në mbështetje të operacioneve destabilizuese në rajon të IRGC-QF-së. Mahan Air ka transportuar gjithashtu edhe Komandantin e IRGC-QF,Qassem Soleimani, i cili është i sanksionuar nën Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara dhe i është ndaluar udhëtimi.”