25 janar 2019 – Ministri i Jashtëm i Bahreinit, Khalid bin Ahmed Al Khalifa, ka thënë se do të flasë për terrorizmin shumë-faqësh të regjimit iranian gjatë Konferencës në Varshavë ku ministrat e jashtëm do të fokusohen në Lindjen e Mesme.
“Muajin tjetër do të ketë një mbledhje në Varshavë e cila do të fokusohet në sfidat e stabilitetit dhe sigurisë me të cilat përballet Lindja e Mesme. Ndërkohë që do të dëgjoj me vëmendje fjalët e të tjerëve, do të jap gjithashtu komentet e mia në lidhje me terrorizmin shumë-faqësh të regjimit iranian, terrorizëm me të cilin përballemi çdo ditë,” tha kryediplomati i Bahreinit në një mesazh.
Vlen të përmendet se Shtetet e Bashkuara dhe Polonia kanë publikuar një deklaratë të përbashkët rreth organizimit të një konference në Varshavë për të promovuar një të ardhme paqeje dhe sigurie në Lindjen e Mesme, me një fokus specifik në ndërhyrjet dhe luftënxitjen e mullahëve.
Teksa e presin me kënaqësi bashkë-organizimin e këtij evenimenti, Uashingtoni dhe Varshava besojnë se interesat e tyre të përbashkëta qëndrojnë në themelimin e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme. Sigurisht, është fare e qartë se këto gjëra janë plotësisht kundër interesave të regjimit iranian. Për gati dyzet vjet, mullahët kanë bërë kërdinë në rajon, sidomos në Irak, Siri, Jemen dhe Liban.
Regjimi iranian, i njohur si shteti kryesor në botë në sponsorizimin e terrorizmit, ka një histori të gjatë ndërhyrjeje në këto vende, si dhe në Afganistan, Bahrein, Palestinë, Arabi Saudite, Jordani etj. Paralelisht me shtypjen e popullit brenda vendit, regjimi iranian e ka themeluar gjithë sundimin e tij mbi shtyllën tjetër strategjike të eksportimit të ekstremizmit, fondamentalizmit islamik, radikalizmit dhe terrorizmit jashtë vendit.
Kjo konferencë do të presë një numër shtetesh të shqetësuara nga përshkallëzimi i paqendrueshmërisë në Lindjen e Mesme, si dhe do të transmetojë vlerësimet dhe idetë e tyre për një zgjidhje progresive. Temat e konferencës do të përfshijnë terrorizmin, radikalizmin, zhvillimin dhe proliferimin e raketave, sigurinë, tregëtinë detare dhe kërcënimet që vijnë nga grupet proksi të regjimit iranian në mbarë rajonin.
Si përgjigje ndaj shpalljes së kësaj konference, të planifikuar për datat 13-14 shkurt, Ministri i Jashtëm i regjimit iranian Mohammad Javad Zarif postoi në Twitter këtë kërcënim: “Kujtesë për organizatorët/pjesëmarrësit e konferencës anti-Iran: ata që morën pjesë në shfaqjen e fundit anti-Iran të organizuar nga SHBA janë ose të vdekur, të diskredituar, ose të margjinalizuar.”
Sipas Reuters, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka thënë se vendi i tij ka në plan që kjo konferencë ndërkombëtare të fokusohet në Lindjen e Mesme, dhe specifikisht në regjimin iranian.